1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

210410 Polen Präsidentschaftswahlen

22 Prill 2010

Më 20 qershor polakët do të zgjedhin një president i ri. Nacionalkonservatorët duan që Jaroslaw Kaczynski, vëllai binjak i kryetarit të ndierë të shtetit të kandidojë për postin më të lartë në vend.

https://p.dw.com/p/N2mf
Zgjedhjet presidenciale në Poloni u afruan për shkak të vdekjes së presidentit Kaczynski
Zgjedhjet presidenciale në Poloni u afruan për shkak të vdekjes së presidentit KaczynskiFotografi: picture-alliance/dpa

Partitë e vogla nuk do të emërojnë kandidatë

Partitë kanë kohë deri të hënën që të emërojnë kandidatët e tyre për zgjedhjet presidenciale më 20 qershor. Të drejtën të kandidojnë e kanë vetëm konkurentë, që deri më 6 maj kanë mbledhur 100.000 nënshkrime në popull. Prandaj partitë e vogla paralajmëruan se nuk do të emërojnë politikanë. Të gjithë i kanë drejtuar sytë këto ditë nga nacional-konservatorët, të cilët duan të vendosin deri të dielën se kush do ta trashëgojë politikisht Lech Kaczynskin e ndjerë. Tri emra qarkullojnë në Partinë E Drejta dhe Drejtësia. Dhe më shpesh përmendet ai i Jaroslaw Kaczynskit, thotë eurodeputeti Jacek Kurski:

"Vendimin e merr Jaroslaw Kaczynski vetë. Atmosfera në parti është qartazi për të. Natyrisht, kjo është një sfidë e jashtëzakonshme, por Jaroslaw Kaczynski është burrë i fortë. Besoj që ai di se ç'bën. Dhe sido që të vendosë, partia do ta pranojë."

Shanse të pakta për Jaroslaw Kaczynkin

Kryeredaktori i gazetës nacional-konservatore Rzeczpospolita paralajmëron sot në komentin kryesor që të mos keqpërdoret katastrofa e Smolenskut për qëllime të fushatës zgjedhore. Nuk besoj, shkruan Pawel Lisicki, që dhimbsuria e njerëzve të mund të kthehet në vota zgjedhore për vëllain e presidentit të ndjerë. Sondazhet e para në opinion e konfirmojnë këtë vlerësim. Demoskopët e shohën Jaroslaw Kaczynskin tek 26 për qind dhe Bronislaw Komorowskin, kandidatin e platformës qytetare liberale, tek pothuajse 50 për qind. Për shkak të paraqitjeve të tij pa emocione gjatë ceremonive të përmortshme, Komorowski është kritikuar në fakt shumë, por me sa duket ai vazhdon të gëzojë besimin e shumicës së qytetarëve.

Të gjitha palët me agresivitet

Se ç'pamje do të ketë fushata zgjedhore, kjo do të varet shumë nga ajo se kë do të nisë në garë Partia e Drejta dhe Drejtësia mendon sociologu Maciej Gdula. Por ai mendon se si gjithmonë të gjitha palët do të veprojnë me agresivitet.

"Ne kemi pasur njëherë një zi të madhe kombëtare pas vdekjes së Papës. Por, uniteti kombëtar mori shpejt fund. Që tani dallohen krisjet në shoqëri. Pra me siguri konfliktet politike nuk do të ulen. Por, të gjithë duhet të kenë kujdes që të mos e shfrytëzojnë tragjedinë. Ato parti që i varin shumë shpresat tek zia dhe dhimbsuria do të humbasin në fund."

Në rast se asnjëri prej kandidatëve nuk fiton me shumicë absolute më 20 qershor, do të ketë balotazh më 4 korrik.

Autor: Ludger Kazmierczak/Elert Ajazaj

Redaktoi: Auron Dodi