1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Poroshenko do ta çojë Ukrainën në BE

Marcus Lütticke / exh8 Qershor 2014

Në fjalimin e tij të marrjes së detyrës, Presidenti i ri i Ukrainës Poroshenko bëri të qartë se ku e sheh të ardhmen e vendit të tij. Por në rrugën drejt Evropës, Ukraina duhet të kapërcejë shumë pengesa.

https://p.dw.com/p/1CESJ
Presidenti i Ukrainës Petro Poroschenko
Fotografi: picture-alliance/dpa

Tani është zyrtare. Ukraina ka një president të ri, të zgjedhur në mënyrë demokratike. Më shumë se tre muaj pas rrëzimit të Viktor Janukoviçit, Petro Poroshenko mori zyrtarisht detyrën në Kiev si kryetari i ri i shtetit.

Në fjalimin e tij të parë Poroshenko bëri të qartë se çfarë perspektive sheh ai për rrugën e ardhshme të Ukrainës: "Ka ardhura koha të ngremë një Ukrainë të re dhe moderne." Për këtë arsye ai synon të nënshkruajë së shpejti pjesën ekonomike të marrëveshjes së asociimit. Marrëveshja është për të një hap i rëndësishëm për anëtarësimin e mëvonshëm në BE. Ky drejtim, u shpreh Poroshenko, nuk është i negociueshëm.

Vetëm mbështetje simbolike

Në ceremoninë në parlamentin në Kiev morën pjesë një numër i madh të ftuarish shtetërore, ndër të cilët edhe Presidenti gjerman Joachim Gauck, Presidenti i Këshillit të BE-së Herrman Van Rompuy si dhe zv/presidenti i SHBA Joe Biden. Rusia kishte dërguar ambasadorin e saj Mihail Subarov. Vëzhguesit ishin të habitur që ishte i pranishëm edhe Presidenti i Bjellorusisë Aleksander Lukashenko, i cili konsiderohet si diktatori i fundit i Evropës dhe vetëm pak kohë më parë lidhi një marrëveshje me Rusinë dhe Kazakistanin për themelimin e një unioni ekonomik euroaziatik.

Pjesëmarrja e aq shumë përfaqësuesve të lartë qeveritarë të nivelit të lartë nga jashtë, në ceremoninë e marrjes së postit nga Poroshenko është e pazakontë dhe konsiderohet si simbol i mbështetjes që ata do t'i ofrojnë Presidentit të ri. Presidenti gjerman Gauck për herë të parë merrte pjesë në një ceremoni të tillë jashtë vendit.

Presidenti gjerman Gauck merr pjesë në ceremoninë e betimit të Presidentit ukrainas Poroshenko.
Presidenti gjerman Gauck merr pjesë në ceremoninë e betimit të Presidentit ukrainas Poroshenko.Fotografi: Getty Images

Hans-Joachim Spanger, politolog pranë Fondacionit për Studime të Paqes dhe Konflikteve në Hesen, e sheh këtë simbolikë nga dy këndvështrime: "Pozitive është në këtë mes që kështu dokumentohet se Ukraina nuk lihet vetëm, veçanërisht edhe përballë trysnisë nga Rusia." Negative është nga ana tjetër që ka shumë pak ndihma konkrete. "Aktet simbolike këtu nuk mund të zëvendësojnë politikën." E rëndësishme është sipas Spander që Ukraina të ndihmohet tani edhe ekonomikisht.

BE si perspektivë në horizont

Një anëtarësim të Ukrainës në BE, Spanger e konsideron megjithatë jo të mundshëm në periudhë afatshkurtër. "Ka anëtarë në BE si p.sh. Polonia, të cilët prej kohësh kërkojnë që Ukrainës t'i jepet një perspektivë anëtarësimi por kundërshtimi është po aq i madh sa më parë." Këtë nuk do ta ndryshojë as nënshkrimi i marrëveshjes së asociimit, pjesa politike e të cilës është nënshkruar ndërkohë nga qeveria kalimtare në Kiev ndërsa pjesa ekonomike pritet të nënshkruhet tani sipas deklaratës së Poroshenkos.

Presidenti i Rusisë Vladimir Putin u takua shkurt me Petro Poroshenkon në kuadër të festimeve për D-Day në Francë dhe shumë vëzhgues u habitën prej kësaj. Në një konferencë për shtyp pas takimit Putin deklaroi se ai paralajmëronte për marrëveshjen e asociimit: "Sapo të nënshkruhet dhe të jetë efektive do të jemi të detyruar të ndërmarrim masa në mbrojtje të ekonomisë sonë". Aktualisht mes Ukrainës dhe Rusisë nuk ka doganë. Nëse tani doganat do të hiqen edhe mes BE-së dhe Ukrainës, kjo e fundit do të bëhej një vend tranzit për importet e mallrave pa doganë nga BE për në Rusi. Rusia nuk e ka pranuar kurrë këtë.

Merkel me Putin dhe Poroschenko - 06.06.2014 Benouville
Merkel me Putin dhe Poroschenko - 06.06.2014 BenouvilleFotografi: Reuters/Guido Bergman/Bundesregierung

Markus Kotzur, profesor për të drejtën ndërkombëtare në Universitetin e Hamburgut për këtë arsye mbron pikëpamjen se qeveria në Moskë duhet të përfshihet më shumë. "Rusisë duhet t'i tregohet se edhe për të ka avantazhe ekonomike nëse Ukraina merr pjesë në tregun e brendshëm të BE-së. Ukraina mund të luajë në këtë mes rolin e një menteshe."

"Krimea mbetet ukrainase"

Krahas marrëveshjes së asociimit, Poroshenko tematizoi edhe Krimenë në fjalimin e tij të marrjes së postit. Ai theksoi se vazhdon ta shohë si pjesë të Ukrainës gadishullin në Detin e Zi i aneksuar nga Rusia. "Krimea ka qenë dhe mbetet ukrainase", tha 48-vjeçari.

Parada me rastin e 1 Majit në Simferopol, Krime.
Parada me rastin e 1 Majit në Simferopol, Krime.Fotografi: picture-alliance/dpa

Eksperti i së drejtës ndërkombëtare Kotzur e mbështet këtë vlerësim nga aspekti juridik: sipas së drejtës ndërkombëtare Krimea i përket Ukrainës edhe pse tani është e pushtuar nga Rusia. Një situatë e tillë mund të zgjasë edhe dekada me radhë pa ndryshuar asgjë në statutin ligjor. Vetëm pasi Ukraina të negociojë me Rusinë për një tjetër status për Krimenë, situata mund të vlerësohet ndryshe.

Në fjalimin e tij Poroshenko njoftoi sërish se shpejti do të udhëtojë për në lindjen e vendit, të përfshirë në luftime. Në rusisht ai iu drejtua bashkqytetarëve në Donbass: "Ne nuk do t'ju harrojmë në asnjë rrethanë." Ai tha se do të shkojë "me mesazhin e paqes dhe garancinë e përdorimit të lirë të gjuhës ruse". Veç kësaj ai i premtoi rajoneve lindore të Ukrainës më shumë autonomi.

Tani Presidenti i ri duhet të dëshmojë se është vërtet një reformator, thotë Spanger. Nuk duhet harruar se ai ka qenë edhe më parë pjesëtar i qeverive ukrainase. "Do të jetë shumë e rëndësishme që njerëzit të cilët i dhanë formë revolucionit në Maidan të mos i lëshojnë frenat nga duart, siç ndodhi pas revolucionit të portokalltë."