1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pozita dhe opozita shqiptare të zgjidhin çështjet e mbetura pezull

Viron Gjymshana8 Janar 2007

Komisioni Europian pret nga Shqipëria zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kristina Nagy zëdhënëse e komisionerit përgjegjës për zgjerimin, Olli Rehn, shpreh mbështetjen e Komisionit për nismën e presidentit Mojsiu për daljen nga kriza që ka kapluar vendin

https://p.dw.com/p/ArZv
Tirana
TiranaFotografi: DW

Viti i ri 2007 duket se nuk ka filluar mbarë për klasën politike shqiptare, sidomos në marrëdhëniet e saj me Bashkimin Europian. Ende nuk kishin përfunduar mirë festimet e Vitit të Ri, kur shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Havier Solana paralajmëroi pozitën dhe opozitën shqiptare për përgjegjësitë që ato kanë në zhvillimin si duhet të zgjedhjeve të ardhshme vendore.

Dështimi i zgjedhjeve demokratike do të rrezikojë afrimin e Shqipërisë me BE-në – nënvizoi zyrtari i lartë i Bashkimit Europian. Solana kërkoi nga pozita dhe opozita që të zgjidhin sa më shpejt dhe në pajtim me njëra tjetrën çështjet e mbetura pezull.

I njëjti ton u vu re edhe në deklaratën e Komisionit Europian. Në ditën e parë të rifillimit të veprimtarisë zyrtare të tij, Kristina Nagi, zëdhënëse e komisionerit përgjegjës për zgjerimin, Olli Rehn deklaroi se: « Eshtë e qartë se zgjedhjet vendore në Shqipëri duhet të jenë të lira dhe të ndershme. Ato duhet të përputhen me vizionin që bashkësia ndërkombëtare ka për të ardhmen e vendit.

Komisioni Europian i bën thirrje qeverisë dhe opozitës të vënë në jetë marrëveshjen politike të 30 dhjetorit. Në të njëjtën kohë Komisioni përshëndet nismën e presidentit Moisiu për të ndihmuar qeverinë dhe opozitën për të gjetur një zgjidhje të mundshme për vënien në jetë të kësaj marrëveshjeje.

Komisioni Europian u bën thirrje me forcë qeverisë dhe opozitës të shfrytëzojnë këtë mundësi për të zgjidhur çështjet e mbetura pezull, duke përfshirë këtu edhe problemin e çertifikatave të votimit.

Eshtë përgjegjësi e të gjithë udhëheqësve politikë në Shqipëri të arrijnë në një kompromis të pranueshëm për të mundësuar zgjedhje të lira dhe të ndershme » - deklaroi zëdhënësja e Komisionit Europian, Kristina Nagy.