1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pranë kampionëve : Adriatik Hoxha në hedhje gjyleje në Kampionatin Botëror të Atletikës

21 Gusht 2009

Ai ishte sportisti i parë që hapi Kampionatin Botëror të Atletikës, më datën 15 gusht në Berlin Adriatik Hoxha ishte edhe i vetmi sportist që përfaqësonte Shqipërinë. Për sportin shqiptar ishte një ngjarje e rëndësishme

https://p.dw.com/p/JG3U
Gjylehedhësi 19 vjeçar nga Shqipëria Adriatik Hoxha me trajnerin e tij, Emir Kosturi në Berlin
Gjylehedhësi 19 vjeçar nga Shqipëria Adriatik Hoxha me trajnerin e tij, Emir Kosturi në BerlinFotografi: DW

Gjylja e parë shqiptare që hidhej në një kampionat botëror

Në një distancë prej 15,79 metra fluturoi gjylja e parë e 19 vjeçarit Adriatik Hoxha. Ishte aktiviteti i parë sportiv i Kampionatit të 12-të të Atletikës në Berlin. Ishte gjylja e parë shqiptare që hidhej në një kampionat botëror.

"Të garosh me kampionët e botës, me amerikanët e polakët, dhe fati im i mirë ishte që ata ishin në baterinë time, sigurisht që hutohesh duke i parë ", thotë sportisti nga Durrësi. Rezultatin më të mirë ai e arriti mbas hedhjes së dytë: 15,89 metra, por as ky nuk mjaftoi. Prova e tretë dhe e fundit doli e pavlefshme. "Gara ka edhe zhgënjimet e saj", pranon Hoxha.

Trajneri Emin Kosturi e pati zbuluar vetë nxënësin e tij, katër vjet më parë, krejt rastësisht në oborrin e shkollës. Ishte ai që ia mbushi mendjen asokohe që të merrej me sportin që kërkon peshë dhe madhësi.

Deri tani Hoxha ka fituar disa çmime në nivel ballkanik dhe ka thyer rekorde në Shqipëri, por rezultati i botërorit të këtij viti nuk ishte më i miri i tij:

"Nuk them se dështuam, sepse këtu ka rëndësi pjesëmarrja"

"Ne kemi thyer rekordin me 16.95 metra në Shqipëri. Pikësynimi im si trajner ishte 17 metërshi ose të kapnim rekordin që kishim arritur në Shqipëri. Por nuk arritëm. Por unë nuk them se dështuam, sepse këtu ka rëndësi pjesëmarrja", thotë Kosturi.

Por edhe me distancën prej 17 metrash, Hoxha do të mbetej ende larg nivelit botëror. Diferenca e tij aktuale ndaj bullgarit Georgi Ivanov, të parafundit në listë, është Saktësisht, 3 metra e 78 centimetra. Por Kosturi ka besim tek potenciali i nxënësit të tij:

"Ky është ende i ri, ka kohë thotë trajneri i tij. Rezultatet më premtuese në këtë sport arrihen deri në moshën 27-28 vjeçe."

28 vjeç është pikërisht tani Tomasz Majewski, polaku që mori medaljen e artë në Berlin. Për të arritur në nivelin e tij, Hoxhës i duhen edhe pesë metra e 30 centimetra dhe shumë privime.

"Të marrësh pjesë në botëror do të thotë të përqendrohesh dy vjet vetëm në këtë çështje, të largohesh nga familja dhe jeta shoqërore", thotë Hoxha.

Adriatik Hoxha ende nuk guxon ta harxhojë gjithë kohën e tij për karrierën sportive

Djali trupmadh ende nuk guxon ta harxhojë gjithë kohën e tij për karrierën sportive. Pagesa që i jep federata shqiptare është simbolike. Prandaj edhe ai një vit më parë filloi studimet e juridikut dhe tani nuk e ka ndarë mendjen ende përfundimisht, në do të bëhet një sportist me sens të veçantë për drejtësi apo një jurist peshërëndë.

Autor: Anila Shuka / Berlin

Redaktoi: Auron Dodi