1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Prania e NATO-s në Kosovë do të mbështetet në rezolutën 1244 deri në aprovimin e një rezolute të re

Viron Gjymshana7 Dhjetor 2007

Ministrat e jashtëm të NATO-s nuk u ndalën në njohjen apo jo të pavarësisë së Kosovës

https://p.dw.com/p/CYuW
Ministrat e jashtëm të NATO-s në Bruksel
Ministrat e jashtëm të NATO-s në BrukselFotografi: AP

Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së përbën një bazë të mjaftueshme për vazhdimin e misionit paqëruajtës të KFOR-it në Kosovë edhe në të ardhmen. Kështu u shprehën sot zyrtarët e lartë të Aleancës Atlantike pas përfundimit të takimit të ministrave të saj të jashtëm. Sekretari i përgjithsëm i NATO-s Jaap de Hop Skefer deklaroi se KFOR-i do të angazhohet për ta garantuar një Kosovë të sigurtë dhe të qetë për të gjithë banorët e saj, qofshin shqiptarë apo serbë. Nuk do të tolerohet asnjë akt dhune ngado që të vijë, - vuri në dukje ai.

Gjatë këtij takimi ra në sy se disa vende anëtare të Aleancës Atlantike shprehën dyshime dhe kundërshti ndaj formës së zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës. Por NATO u shpreh se pranimi apo jo i shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës, i takon shteteve anëtare të saj dhe jo organizatës vetë. Sidoqoftë prania e NATO-s në Kosovë vazhdon të jetë e mbështetur ligjërisht në rezolutën aktuale 1244 deri në aprovimin e një rezolute të re, - u theksua në selinë e NATO-s në Bruksel.

Nga ana tjetër ministrat e jashtëm të NATO-s përsëritën edhe një herë tjetër sot angazhimin që Aleanca Atlantike mori nëntorin e kaluar në Riga të Lituanisë : për të mbajtur hapur dyert e Aleancës për të pranuar anëtarë të rinj. Këtë premtim e përsëriti sot edhe një herë tjetër sekretari i NATO-s, Skefer. Sipas tij është shumë e mundshme që në samitin e ardhshëm të Bukureshtit në muajin prill të ketë ftesa për anëtarësim në organizatën e Aleancës Atlantike. Siç dihet tre janë vendet kandidate që e presin këtë ftesë. Por siç përsëriti edhe para pak ditësh Jaap de Hop Skefer, ftesat do të jenë individuale dhe jo në formë grupi, sepse secili vend do të vlerësohet sipas arritjeve vetjake. Dhe megjithëse asgjë nuk është ende e zyrtarizuar, pasi « ftesat ende nuk janë shtypur », - sipas pohimeve të vetë zyrtarëve të lartë të NATO-s, ka shumë mundësi që Kroacia të jetë vendi që do të ftohet në gjirin e NATO-s gjatë samitit të Bukureshtit. Për sa i takon Shqipërisë dhe Maqedonisë, dy vende të tjera kandidate – misteri mbetet i plotë.