1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Presidenca e Finlandës në BE & Botërori 2006

3 Korrik 2006

Nga temat që komentohen në shtypin e sotëm veçojmë fillimin e presidencës gjashtëmujore në BE nga Finlanda si dhe Kampionatin Botëror të Futbollit.

https://p.dw.com/p/Arp8
Logo e presidencës finlandeze të BE
Logo e presidencës finlandeze të BE
Gazeta "Schwäbische Zeitung" që del në Leutkirh lidhur me BE-në dhe presindencën finlandeze të radhës komenton: "Presidencës finlandeze i duhet të mundohet në moderimin e proceseve që janë në vazhdim. Finlandezët mund t´i stërmundojë një vend këtej dhe përtej Bosforit, që ka paraqitur kërkesën për anëtarësim në BE dhe me të cilin Brukseli negocion zyrtarisht qysh nga viti 2005. Turqia refuzon me këmbëngulje që marrëveshja doganore me BE-në të aplikohet edhe në pjesën e ndarë të Qipros. Në fund të vitit skadon ultimatumi. Ankaraja s´po bën asnjë lëvizje. Brukseli kësisoj në rast ekstrem s´ka ç´të bëjë tjetër veçse të ndërpresë bisedimet, në mënyrë që të mbetet i besueshëm." shkruan "Schwäbische Zeitung". Ndërsa në komentin e saj "Westfälische Nachrichten" e Mynsterit i referohet problemit të kushtetutës evropiane: "Politika e finlandezëve të sukseshëm ekonomikisht merr frymë nga pragmatizmi i freskët, përmes së cilit ndërkohë mund të arrish shumë më tepër në skenën evropiane, se sa me veprimet pompoze të mëvetsishme. Nga Helsinki nuk priten hapa të mëdha. Por me hapa të vogla duhet të përmirësohet klima, në mënyrë që në vitin 2007 nën kancelaren gjermane Angela Merkel të mund të trajtohet çështja e kushtetutës. Në këtë kontekst është mjaft e rëndësishme, që Finlanda në vjeshtë të ratifikojë kushtetutën, kjo do të ishte dëshmia më e mirë për të treguar, se dosja e këtij projekti s´është mbyllur.", komenton "Westfälische Nachrichten". Tema e dytë: Kampionati Botëror i Futbollit në Gjermani. Gazeta "Volksstimme" e Magdeburgut shkruan: "Bota gjithnjë e më shumë po befasohet me kombëtaren gjermane. Raundin e parë të kampionatit, ekipi gjerman e përballoi me qëndrueshmëri, me një futboll të imazhit të ri ai mundi Suedinë në raundin e dytë dhe me nerva të forta eliminoi Argjentinën në çerek finale me penallti. Për një kohë të gjatë i parë me sy refuzues, i përqeshur dhe madje edhe me tallje, traineri i kombëtares Jyrgen Klinsman asnjëherë nuk u tërhoq nga linja e tij dhe me një shifër rekord prej tashmë pesë fitoresh në botëror ai i ka dhuruar më në fund një jetë të re futbollit gjerman. Ndaj këto ditë e javë futbolli i Gjermanisë po habitet edhe me veten e vet duke pranuar, se metodat e Klinsmanit s´qenkan dhe kaq të këqia. Së fundi të gjithë u habitën me humbjen e Brazilit. Por me një fitore të gjermanëve në botëror, askush s´do të habitej më", nënvizon "Volksstimme". "Nordsee-Zeitung" shkruan: "Brazili u nda prej takatit të vet, për argjentinasit mund të thuash se i ndoqi tersi, afrikanët me Ganën arritën të dalin në raundin e 16, Kampionati Botëror është tkurrur kësisoj në një Kampionat Evropian me Gjermaninë, Italinë, Francën dhe Portugalinë.", thekson Nordsee Zeitung". Ndërsa "Süddeutsche Zeitung" veçon nga konteksti i kampionatit rolin e politikanëve: "Futbolli është një sport me forcë të jashtëzakonshme identifikimi. Të gjithë ndjejnë me skuadrën duke i uruar ndonjëherë palës tjetër, ndonëse vetëm për 90 minuta, që të humbasë. Politikanët që ulen në tribunë duke besuar, se prej këtij pasioni mund të përfitojnë edhe ata, si të thuash nën moton "ekipimi im, kancelarja ime", s´kuptojnë asgjë nga futbolli dhe aq më pak nga njerëzit. E njëjta gjë vlen edhe për shumë politikanë drejtues, që përpiqen tani me metaforat e botërorit të ngjallin optimizëm dhe pranimin me gëzim të rritjes së taksave. Ekziston një frymë e mrekullueshme vere, sepse Klinsmani, Balaku dhe të tjerë po sjellin një rendiment të shkëlqyer në futboll. Por Merkeli, Myntefering e të tjerë në politikë s´mund t´ia arrijnë kësaj.", komenton "Süddeutsche Zeitung".