1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Presidenti Bamir Topi akuzohet nga PD për shkelje të Kushtetutës

Ani Ruci / Tiranë11 Qershor 2008

Akuza e rëndë për mosrespektim të Kushtetutës nga ana e Presidentit të Republikës nuk vjen nga opozita, që nuk ia dha votën për postin e lartë. Ajo vjen nga maxhoranca e djathtë.

https://p.dw.com/p/EHhK
Bamir Topi, celebrohet si President i Shqipërisë, 20 korrik 2007
Bamir Topi, celebrohet si President i Shqipërisë, 20 korrik 2007Fotografi: AP

Akuzat ndaj Presidentit Bamir Topi vijnë nga maxhoranca e djathtë e kryesuar nga PD, forca politike që e solli atë në postin e kreut të shtetit, në verën e kaluar. Tri javë pas bllokimit të dekreteve presidenciale për pesë gjyqtarë të Gjykatës së Lartë, maxhoranca tregoi në Komisionin e Ligjeve pse nuk i voton ato. Arsyeja- shkelje e procedurave kushtetuese, pasi emrat e pesë gjyqtarëve nuk u miratuan paraprakisht nga Parlamenti, para se Presidenti të nxirrte dekretin e emërimit të tyre.

"Këtë e kërkon ligji i organizimit të Gjykatës së Lartë.që Parlamenti të japë paraprakisht pëlqimin për emrat." tha ne Komisionin e Ligjeve, kryetari i tij, deputeti demokrat, Fatos Beja.

Por opozita mendon ndryshe

Sipas saj bllokimi i dekreteve të Presidentit Topi nga Parlamenti ka arsye të tjera. Ato nuk lidhen me Kushtetutën por me përpjekjet e pushtetit politik për ta vënë nën kontroll Gjykatën e Lartë duke zgjedhur atje njerëz të PD. "Kjo ndodh pasi Presidenti i vendit, i ardhur nga PD, ka guxuar të dalë jashtë gardhit të kryeministrit Berisha dhe kryetares së Kuvendit, Topalli." tha Fatmir Xhafa, deputet socialist, anëtar i Komisionit të Ligjeve.

Opozita do t`i dërgojë raport parlamentit


Qëndrimi i kundërt i opozitës lidhur me procedurat kushtetuese do të pasqyrohet në raportin që ajo do t`i drejtojë Parlamentit. Komisioni i Ligjeve do të prodhojë kështru dy raporte të kundërta - njeri i maxhorancës dhe tjetri i opozitës, traditë kjo e kahershme e Komisioneve Parlamentare ne Shqipëri, kur dy palët mbrojnë qëndrime të ndryshme dhe nuk arrijnë konsensus. Por për Fatmir Xhafën pas raportit të saj maxhoranca fsheh nje vendim. "Vendimi i maxhorancës është që Bamir Topi, President i Republikës së Shqipërisë ka shkelur Kushtetutën," tha ai dje, gjatë një debati të ndezur politik në Komisionin e Ligjeve.

Në këtë debat spikati arsyetimi i deputetit opozitar socialist, Bashkim Fino. Me argumenta logjike ai përjashtoi praktikën e rrëzimit të dekreteve presidenciale me anë raportesh. " Vetë e propozuat, vetë e zgjodhët për President. Ne nuk e votuam. Ai ka respektuar Kushtetutën, ka sjellë pesë dekrete. Ju tani thoni jo. Bamir Topi nuk i kthen tani dekretet e tij. Ju me votën kundër në Parlament i ktheni" ju drejtua maxhorancës së djathtë në Komisionin e Ligjeve, Bashkim Fino.

Për bllokimin trijavor të dekreteve te Predentit për pesë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, opozita ka kërkuar shkarkimin e Kryetares se Parlamentit, Jozefina Topalli.