1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Presidenti Bush theksoi në Mainc te Gjermanisë rëndësinë e marrëdhënieve amerikano - gjermane

Monika Dittrich23 Shkurt 2005

Diferencat në marrëdhëniet dypalëshe nuk luajnë rol në bisedimet në Mainc.

https://p.dw.com/p/AquF
George Bush në Mainc
George Bush në MaincFotografi: AP

Vetëm pak më shumë se një orë u mbeti kancelarit gjerman Gerhard Shrëder dhe presidentit amerikan Xhorxh Bush për të folur për politikë- kaq kohë u mbeti atyre në programin e thurur ngushtë midis nderimeve ushtarake dhe drekës. Megjithatë, u diskutuan të gjitha temat e rëndësishme, tha kancelari Shrëder.

Presidenti amerikan Bush theksoi se ka qenë një vendim i qëllimshëm që e zgjodhi Evropën si vendin e parë për ta vizituar në krye të periudhës së tij të dytë në post. Evropa është aleati më i ngushtë i SHBA. Dhe Bushi shtoi:

"Për të mbajtur marrëdhënie të mira me Evropën, ne duhet të kemi marrëdhënie të mira me Gjermaninë. Ky është shkaku se pse kjo vizitë është një vizitë e rëndësishme për Gjermaninë dhe për mua."

Iraku, dikur mollë sherri dhe shkak i grindjes transatlantike sot në Mainc nuk ishte pikë konflikti. Pozicionet janë të qarta, tha kancelari Shrëder:

"Ne nuk duam të heshtim që në të kaluarën ka pasur vlerësime të ndryshme - por kjo është e kaluar. Ne kemi një interes të përbashkët që të ekzistojë një Irak stabil dhe demokratik. Gjermania nuk ishte mospjesëmarrëse në cështjen kur u diskutua falja e borxheve Irakut. Së dyti, ne jemi të gatshëm të marrim pjesë në shkollimin e policisë dhe ushtarëve. Këtë do ta bëjmë - kur ta themi do ta bëjmë vërtet."


Dhe presidenti Bush shtoi se vendi i tij është i gëzuar për angazhimin gjerman. Edhe duke pasur parasysh programin atomik iranian, presidenti u tregua i gatshëm për negociata:

"Unë kam thënë se të gjitha opsionet janë në tryezë, kjo është pjesë përbërëse e pozicionit tonë. Por unë kujtoj edhe se marrëdhëniet diplomatike sapo fillojnë. Irani nuk është Irak."

Ai i është mirënjohës kancelarit Schrëder që bashkëpunon në këtë cështje me Britaninë e Madhe dhe Francën. Eshtë e rëndësishme që SHBA dhe Evropa të flasin me një zë përballë Iranit. Të gjithë kanë pasur synimin e përbashkët për ta bindur qeverinë në Teheran që të heqë dorë nga ambiciet e saj bërthamore.

Ndryshime mendimesh megjithatë ka më tej në mbrojtjen e klimës dhe për protokollin ndërkombëtar të mbrojtjes së klimës së Kiotos, të cilin SHBA nuk e pranojnë deri tani. Por kancelari Shrëder tha se shënon një përparim fakti që të dyja vendet duan të bashkëpunojnë në këtë fushë. Bushi dhe Shrëderi ranë dakord në Mainc për një plan veprimi: synimi i tij do të jetë pak a shumë që vendeve në zhvillim t'u ofrohen në të ardhmen burime energjitike më të lira dhe që ruajnë ambjentin.