1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Presidenti francez Nikola Sarkozi inaguron në Abu Dabi një bazë ushtarake

25 Maj 2009

Qëkurse Sarkozia është president i Francës, marrëdhëniet mes të dy vendeve janë zgjeruar në shumë drejtime, duke filluar nga armët dhe centralet atomike e deri tek institucionet kulturore.

https://p.dw.com/p/Hx43
Presidenti francez Nikola Sarkozi inaguron në Abu Dabi një bazë ushtarake
Parisi synon të zgjerojë pozitën e vet në zonën e Gjirit PersikFotografi: AP

Pa shumë zhurmë Franca po ndërmerr një ndryshim në strategjinë e saj. Hapja e bazës ushtarake në Abu Dabi dhe inagurimi i saj prej vetë presidentit Nikola Sarkozi është për t'u shënuar, jo vetëm se Franca ka vite që nuk ka hapur ndonjë bazë të re ushtarake jashtë vendit. Kjo tregon para së gjithash se Parisi dëshiron ta zgjerojë pozitën e vet në zonën e Gjirit Persik të pasur me naftë dhe gaz.

Emiratet e Bashkuara Arabe klientët më të mirë të Francës

Me këtë bazë Franca nuk synon vetëm që të sigurojë rrugën detare përmes ngushticës së Hormozit që lidh Gjirin Persik me Gjirin e Omanit dhe Oqeanin Indian, për të cilën Irani ka deklaruar disa herë se do ta bllokojë. Emiratet e Bashkuara Arabe janë klientët më të mirë të Francës duke filluar nga armët dhe centralet atomike e deri tek institucionet kulturore.

Ndryshim në strategjinë franceze

Zyrtarisht kjo bazë shërben vetëm për furnizime, por në rast nevoje mund të shndërrohet shpejt në një bazë mbështetëse operative. Në të do të stacionohen 450 ushtarë. Pas bazës në Réunion, në brigjet e Afrikës, dhe asaj në Xhibudi kjo është baza e tretë franceze në Oqeanin Indian. Gjatë prezantimit të librit të bardhë për ushtrinë, verën e vitit të kaluar, presidenti francez Nikola Sarkozi u shpreh për një ndryshim në strategjinë e saj. Sipas tij disa prej bazave franceze në Afrikë do të grupohen për të hapur kapacitete për një bazë në Abu Dabi. Ngritja e kësaj baze ushtarake do të shoqërohet edhe me zgjatjen e marrëveshjes ushtarake të vitit 1995 mes Francës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Emirët kishin kohë që kishin shprehur interes për një partneritet strategjik me Francën, por paraadhësi i Sarkozisë, Zhak Shiraku, ishte më tepër për intensifikimin e marrëdhënieve me Arabinë Saudite. Pas zgjedhjes së Sarkozisë si president marrëdhëniet mes të dy vendeve u zgjeruan në shumë drejtime dhe jo vetëm ekonomike. Kështu në Abu Dabi kanë hapur filialet e tyre edhe Luvri (Louvre) dhe Univertsitetit i Sorbonës (Sorbonne). Po ashtu Emiratet janë të interesuara për reaktorët francezë të energjisë atomike, sepse duan që në vitin 2017 të fillojnë vetë me prodhimin e energjisë bërthamore.


Autor: Pandeli Pani
Redaktoi Bahri Cani