1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Presidenti gjerman Köhler: Afrika ka prioritet për politikën e jashtme gjermane

Ute Sheffer1 Prill 2006

Posti i presidentit gjerman ka një funksion reprenzentativ. Por megjithatë presidenti gjerman Horst Köhler ka vënë thekse të reja në politikën e jashtme gjermane, duke shfaqur madje edhe angazhim personal: Fjala është për politikën ndaj Afrikës. Të dielën presidenti Köhler fillon një tur në tri shtete afrikane: Mozambik, Madagaskar dhe Botzvana.

https://p.dw.com/p/Ar11

Shtetet që do të vizitojë këtë rradhë presidenti gjerman Köhler, e kanë gjetur mënyrën si t´i zgjidhin problemet e varfërisë dhe ato ekonomike në vend. Botzvana është shembulli më i mirë. Shteti që quhet edhe "Zvicra e Afrikës" nuk ka nevojë për ndihma financiare për zhvillim. Botzvana vlerësohet si një shtet me një politikë reformatore dhe të suksesshme, dhe presidenti Köhler do ta përmendë këtë fakt gjatë vizitës së tij. Botzvana ka prodhimin më të lartë të të përgjithshëm kombëtar se të gjitha shtetet e tjera të Afrikës.

Arsyeja kryesore është pasuria e këtij vendi me diamante. Botzvana prdhon një të tretat e të gjithë diamantëve që qarkullojnë në botë. Dhe vendi me 1.7 milionë banorë i përdor fitimet që sjellin gurët e çmuar për të rregulluar infrastrukturën dhe për të rritur shërbimet sociale në rrugë dhe shkolla publike. Shumica e të hollave investohen edhe për luftimin e sidës. 4 nga 10 të rritur në Botzvana janë të infektuar me virusin HIV. Botzvana e lufton këtë fenomen të hidhur me një politikë të qartë: 12% e të ardhurave shtetërore investohen në sistemin shëndetësor, një të tretat në sektorin e arsimit.

Botzvana vlerësohet prej dekadash si një shtet i suksesshëm reformator - Mozambiku dhe Madagaskari që prej pak kohësh. Për dy vendet e fundit, Gjermania vazhdon të jetë një donator i rëndësishëm bilateral. Madagaskari është një shtet partner në bashkëpunimin për zhvillim. Gjatë dy viteve të fundit Gjermania ka investuar mbi 16,5 milionë euro në këto dy shtete.

Paqësore dhe demokratike - të tri shtetet që do të vizitojë Köhler, mund të quhen të tilla. Imazhi që ka Köhler nga Afrika është pozitiv. Ai nuk do të dëgjojë fjalë si "kontinenti i humbur" dhe
është i bindur se me ndihmë nga jashtë, demokracia është një opcion i mundshëm për ndryshime në këtë kontinent. Dhe të tri këto shtete e kanë dëshmuar tashmë se janë në gjendje të kryejnë reforma.

Misioni politik i presidentit gjerman Köhler, është që Afrika të merrer seriozisht. Sipas tij siguria, paqja dhe së fundi edhe mirëqënia në Evropë mund të sigurohen për kohë të gjatë vetëm po t´i jepet edhe Afrikës një shans i vërtetë. Që në fjalimin e parë si president i ri i Gjermanisë përpara një viti e gjysmë, ai tha:

"Fati i Afrikës do të vendosë se sa njerëzore është në të vërtetë bota në të cilën jetojmë."