1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Presidenti gjerman Köhler: "Unioni Afrikan po bën përparime të dukshme"

Ute Schaeffer15 Dhjetor 2004

Presidenti gjerman Horst Köhler mbajti të mërkurën një fjalim përpara Unionit Afrikan AU.

https://p.dw.com/p/AquY
Presidenti gjerman Horst Köhler
Presidenti gjerman Horst KöhlerFotografi: dpa

Presidenti gjerman Köhler u shpreh pozitiv pas qëndrimit të tij 10 ditor në Afrikë. Gjatë fjalimit të tij përpara Unionit Afrikan në kryeqytetin e Etiopisë, Adis Abeba, Köhler kërkoi edhe njëherë që marrëdhëniet mes shteteve të veriut dhe Afrikës të përmirësohen edhe më shumë. Të dyja palët do të përfitonin nga ky hap, theksoi Köhler dhe shtoi se Afrika luan një rol të rëndësishëm për pasurinë kulturore në botë falë karakterit të saj të veçantë. Por Köhler shtoi se:

"Unë nuk pranoj që ky karakter i veçantë të përdoret si arsyetim për luftëra dhe dëbim njerëzish nga trojet e tyre. Kjo nuk do të thotë një ndërhyrje neokolonialiste por një përgjegjësi civile botërore."

Köhler e përshëndeti faktin se në Afrikë po zhvillohet një politikë e re, e cila bëhet e qartë nëpërmjet punës së Unionit Afrikan AU dhe planit të sapo zgjedhur Nepad. Shtetet e Unionit Afrikan marrin për herë të parë përgjegjësi kolektive për zhvillimin e kontinetit të tyre dhe pranojnë demokracinë, të drejtat e njeriut dhe një qeverisje të drejtë. Köhler shtoi se fakti që Unioni Afrikan ka krijuar mundësinë e misioneve për paqe, në rast se diku shkelen të drejtat e një populli, është një hap shumë i rëndësishëm. Në shumë pjesë të Afrikës, konflikte të armatosura janë në rendin e ditës, si për shembull në Republikën Demokratike të Kongos ose në rajonet e liqeneve të mëdhenj.

Köhler e vlerësoi dërgimin e trupave të Unionit Afrikan në rajonin e Sudanit Perëndimor, Darfur, si një hap të rëndësishëm. Ky vendim
është një sinjal i qartë se Unioni Afrikan është i gatshëm të veprojë edhe në sektorin e sigurisë, shpjegoi Köhler dhe theksoi:

"Fatkeqësisht trupat e Unionit Afrikan arrijnë shumë vonë në Darfur. Në Cote d'Ivoire lufta civile ka marrë përmasa dramatike që prej fillimit të saj në nëntor. Me keqardhje konstatoj se këtu vihet në lojë stabiliteti i një rajoni të tërë".