1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Presidenti i SHBA-së Bush i jep fund vizitës në Kroaci

Elert Ajazaj5 Prill 2008

'Në rast se popujt tuaj do ti kërcënojë ndonjë rrezik, Amerika dhe aleanca e NATO-s do të jenë përkrah jush dhe askush nuk do të jetë në gjendje t'ua marrë lirinë.'

https://p.dw.com/p/DcfU
Stipe Mesiç dhe George Bush në ZagrebFotografi: AP

Para nisjes së tij për në Soçi buzë Detit të Zi ku do të takohet me presidentin rus Vladimir Putin presidenti i SHB George W. Bush ka qëndruar sot në Kroaci. Ai ka vlerësuar reformat demokratike të këtij vendi dhe është shprehur në lidhje me të gjitha vendet e rajonit dhe raportet e tyre me NATO-n.


'Ftesa per anëtarësim në NATO që morrën këtë javë Kroacia dhe Shqipëria ka të bëjë me besimin se do të vazhdoni të bëni reformat e nevojshme dhe do të bëheni kontribues të fuqishëm të aleancës sonë të madhe - ndaj në rast se popujt tuaj do t'i kërcënonte ndonjë rrezik Amerika dhe aleanca e NATO-s do të jenë përkrah jush dhe askush nuk do te jete në gjendje t'ua marrë lirinë.'


Presidenti Bush shprehu keqardhjen për faktin që Maqedonia nuk e morri ftesën për anëtarësim në samitin e NATO-s të kësaj jave.


'Maqedonia ka kryer reforma të vështira në vend dhe po jep kontribut të rëndësishëm në misionet e NATO-s. Fatkeqësisht ftesa për Maqedoninë u vonua për arsye të mosmarrëveshjes mbi emrin e saj. Aleatët deklaruan në Bukuresht se me tu zgjidhur kjo çështje Maqedonisë do ti jepet ftesa për anetaresim. Qëndrimi i Amerikës është i qartë: Maqedonia duhet të zërë vendin e saj në NATO sa më shpejt të jetë e mundur.'


Bush përsëriti se aleanca e NATO-s është e hapur për të gjitha vendet e rajonit:


'Ne përshëndesim vendimet e Bosnje Hercegovinës dhe të Malit te Zi për të hedhur hapin tjetër drejt anëtarësimit, të quajtur 'Dialog Intensiv', dhe shpresojmë se së shpejti një Serbi e lirë dhe e përparuar do të gjejë vendin e ligjshëm në familjen evropiane dhe do të jetojë në paqe me fqinjët e saj.'