1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Presidenti në Gjermani: Forca e fjalës

Richard Fuchs
8 Shkurt 2017

Qëkurse është në post Donald Trump, shumë janë të habitur me pushtetin që ka presidenti i SHBA-së. Ndryshe është në Gjermani: për shkak të historisë gjermane kreu i shtetit ka këtu kryesisht funksion reprezentativ.

https://p.dw.com/p/2X8Av
07.09.2015 DW Doku Schloss Bellevue
Schloss Bellevue

Në shkurt në Gjermani zgjidhet presidenti i ri. Presidenti aktual Jochaim Gauck, të cilit i përfundon mandati, nuk rikandidon. Si pasardhës i tij sipas të gjitha gjasave do të zgjidhet  socialdemokrati Frank-Walter Steinmeier, deri së fundi ministër i Jashtëm. 

Presidenti federal është kreu i shtetit, por jo personi më i pushtetshëm në strukturën shtetëore. Posti dhe detyra duke iu referuar përovojës me Gjermaninë naziste janë kufizuar ndjeshëm. Asnjëher përfaqësuesi më i lartë i Gjermanisë nuk duhej të kishte të gjithë pushtetin në dorë. Kjo e dallon postin e presidentit nga paraardhësi i presidenti i rajhut në Republikën e Vajmarit (1918 bis 1933). Ky ishte një lloj "kancelari shtesë", i cili të gjithë pushtetin në shtet ia pasoi në fund diktatorit Adolf Hitler.

Neutral, i orientuar nga vlerat dhe largpamës

Presidenti sot nuk qeveris, ai përfaqëson vendin. Në vizitat shtetëtore jashtë vendit presidenti është "fytyra dhe zëri i Gjermanisë". Brenda vendi ai simbolizon "unitetin e shtetit", siç ka konfirmuar më 2014 Gjykata Kushtetuese. Për të garantuar unitetin, presidenti pozicionohet përtej grindjeve mes partive. Ai reagon neutral, por reflekton në fjalimet dhe veprimet e tij, kodin e vlerave të kushtetutës gjermane - ligjit themelor. Për këtë arsye presidenti normalisht gjatë mandatit heq dorë nga antarësia në ndonjë parti politike.

Në strukturën e shtetit posti i presidentit inkorporohet jashtë tre pushteteve: qeverisë, parlamentit dhe gjykatave. Në këtë mënyrë secili drejtues i postit të presidentit përtej aktivitetit të përditshëm politik mund të japë impulse për zhvillimet e mëtejshme të demokracisë dhe të shtetit ligjor. Këtë e përjetoi edhe presidenti në largim Joachim Gauck. Posti i presidentit i ka dhënë atij, sikurse është shprehur, "një vetëdije të shëndetshme", si edhe dijen, për të mos qenë për gjithçka përgjegjës politik. "Kjo të jep edhe lirinë, që aty këtu të thuash i shpenguar edhe ndonjë fjalë fare hapur", vëren Gauck.

Në këtë mënyrë presidenti me fjalimet e tij duhet të bashkëkontribuojë në zgjidhjet e problemeve kombëtare apo ndërkombëtare. Ai jep impulse, e megjithatë politika praktike e jashtme mbetet detyre e qeverisë dhe ministrive të saj. Shpesh presidentët në detyrë angazhohen për respektimin e të drejtave të njeriut, mbështetejen e shtetit ligjor dhe të dialogut demokratik. Edhe sigurimi i paqes, uniteti i Europës dhe mbrojtja e klimës janë ndër temat thelbësore të këtij posti. Thekset që vendos presidenti duhet të kenë peshë në mbarë federatën, këtë e kërkon posti i tij.

Nënshkrimi i tij ngre në fuqi marrëveshjet dhe ligjet

Nëse Republika Federale e Gjermanisë nënshkruan një marrëveshje të detyrueshme në bazë të së drejtës ndërkombëtare, atëherë në emër të shtetit presidenti vendos mbi të firmën e tij. E njëjta gjë vlen edhe për ligjet, që miratohen nga Bundestagu (Parlamenti). Vetëm pas nënshkrimit nga presidenti ligji hyn në fuqi.  Presidenti verifikon nëse ligji është miratuar në rregull formalisht. Por presidenti vepron edhe si avokat i demokracisë dhe duhet të dokumentojë, që secili ligj që ai nënshkruan është konform Kushtetutës. Në historinë e Gjermanisë ka pasur tetë raste, kur presidenti e ka refuzuar nënshkrimin e ligjit të miratuar më parë në Bundestag. Ligji për një rregullore të re për siugrinë e fluturimeve në vitin 2006 nuk u nënshkrua nga presidenti i atëhershëm Horst Köhler. Ky ligj më vonë u tërhoq.

Në rast krize posti i presidentit fiton disa funksione të rëndësishme. Ndër to bën pjesë p.sh. kompetenca që presidenti mund të vendosë për zgjedhje të reja, në rast se kancelari humbet mbështetjen në parlament, emëron ose shkarkon ministrat. Gjithashtu presidenti emëron gjyqtarë, nëpunës të lartë dhe ushtarakë. Edhe kujdestaria për aktivitete të ndryshme është detyrë e një presidenti si dhe udhëzimi për ceremoni shtetërore. Ndër të tjera ai përshëndet ambasadorët e vendeve të tjera si dhe pranon emërimin e tyre.

Qytetarët e takojnë presidentin gjatë udhëtimeve që ky bën nëpër Republikë. Shumë qytetarë nderohen nga presidenti. Personave me merita ai u akordon Urdhërin për Merita të Republikës Federale të Gjermanisë, po ashtu edhe fletën e argjendtë të dafinës e të tjera medalje. Shpesh në shtëpi ndonjë qytetari i mbërrin edhe ndonjë kartolinë me urimet për ditëlindjen nga presidenti. Vitin e kaluar presidenti u uroj ditëlindjen rreth 4000 gjermanëve, që mbushën 100 apo më shumë vjeç. Po ashtu presidenti merr përsipër kujdestarinë e nderit, kur një familje ka shtatë apo më shumë fëmijë.