1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Presidenti rus, Vladimir Putin mund të jetë shumë i kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve parlamentare.

Miodrag Soric8 Dhjetor 2003

Ato i hapin atij të gjitha mundësitë për të zbatuar në mënyrë legale përfytyrimet për të ardhmen e tij personale dhe të ardhmen e Rusisë.

https://p.dw.com/p/Aqw2
Vladimir Putini duhet të jetë i kënaqur nga demokracia e drejtuar prej tij: partitë që pak a shumë ai i kontrollon me siguri do të zotërojnë më shumë se dy të tretat e të gjitha vendeve në Duma-n e re. Me këtë Putini ka edhe mundësinë formale për të ndryshuar kushtetutën e vendit. Dhe këtë mundësi ai do ta shfrytëzojë, për të kandiduar në vitin 2008 për herë të tretë për postin më të lartë të shtetit. Kushtetuta aktuale e ndalon këtë. Që Putini do t'i fitojë zgjedhjet e ardhshme presidenciale në mars 2004 me shumicë dërmuese votash, pas përvojës me zgjedhjet e Dumës mund ta shohësh vetëm si punë formale.

Cfarë përvojash janë këto dhe çfarë kanë të bëjnë zgjedhjet në Rusi me demokracinë?Për ta thënë shkurt, shumë pak, fitimtarët ishin përcaktuar që më parë. Këtu bën pjesë para së gjithash partia e Putinit "Rusia e bashkuar". Mbështetësit politikë të presidentit mund të shfrytëzojnë në fushatën elektorale aparatin shtetëror dhe të llogarisin mbështetjen e shumë guvernatorëve lokalë. Emisarët e Putinit fluturuan me shpenzimet e shtetit nga njëra qendër elektorale në tjetrën. Makina e propagandës e drejtuar nga shteti, para së gjithash televizioni shtetëror i vendosur nën kontroll të plotë i paraqiti kandidatët e "Rusisë së bashkuar" ashtu sic duhet, në një kohë që për konkurencën politike u shqiptuan shpifje ose asaj nuk iu dha fare mundësi për të dalë në mediet elektronike.

Nga kjo ata që vuajtën ishin para së gjithash komunistët rusë, të cilët humbën gjysmën e votave të tyre. Dobësimi i partisë së Leninit ishte me sa duket një synim strategjik i Kremlinit. Këtij synimi i shërbeu edhe krijimi i partisë "Atdheu". Atë e drejton Sergej Glasjev, një shkencëtar i ekonomisë me aftësi oratorike, i cili më parë bënte pjesë në udhëheqjen e Partisë Komuniste. Partia "Atdheu" arriti që në sajë të mbështetjes nga aparati presidencial të kapërcejë që në raundin e parë kuotën e 5 përqindshit. Shtimi i votave për Glasjevin u arrit duke ua marrë komunistëve.

Gjëra të ngjashme mund të thuash për rezultatin cuditërisht të mirë në zgjedhje të kllounit politik, Vladimir Zhirinovski. E ashtuquajtura parti Liberal-demokratike e tij- një grupim që nuk ë shtë as liberal dhe as demokratik, por nacionalist- mori pothuajse po kaq vota sa komunistët. Asnjëra nga dy partitë e vogla demokratike, Jabloko dhe Bashkimi i Forcave të Djathta nuk arriti të futet në parlament. Shumë zgjedhës me sa duket ia morën për keq drejtuesit të Jablokos, Grigorij Jablinski, që partia e tij u mbështet financiarisht nga oligarku tashmë i arrestuar, Mihail Kodorkovski. Pak mirëkuptim treguan zgjedhësit edhe për faktin që dy partitë e vogla demokratike ende nuk janë bashkuar. Javlinski, kaq i preferuar në perëndim, kërcënon tani të zhytet në parëndësi politike.

Cfarë roli politik do të luajë kjo duma vitet e ardhshme? Sado e çuditshme që të tingëllojë për veshët perëndimorë: në demokracinë e drejtuar të Rusisë ky parlament luan vetëm një rol të dorës së dytë. Projektligjet projektohen në radhë të parë nga aparati presidencial, konkordohen me kryetarët e fraksioneve dhe pastaj u vihet vula nga parlamentarët. Debate të mëdha, siç dëgjoje në Duma në vitet 90, tani nuk bëhen më. Parlamenti nuk kontrollon aparatin presidencial ose qeverinë. Më tepër vlen e kundërta. Nuk të çudit fakti që prestigji i parlamentit tek shumë rusë është i ulët. Ndoshta prandaj në zgjedhje shkuan vetëm një në dy rusë.

Përmbledhtazi: Putini del më i fortë nga zgjedhjet parlamentare. Por fitorja e tij, shtimi i pushtetit të tij bëhet në kurrizin e demokracisë ruse, në kurriz të shoqërisë civile. Në natën e votimit, paraardhësi i Putinit, Boris Jelcini ngriti zërin. Ai paralajmëroi për të ruajtur nga forcimi i madh i rolit të Putinit dhe i partive të Kremlinit, të cilat, si në kohën e komunizmit, mund të dilnin jashtë kontrollit. E kush i njeh më mirë rreziqet që e kërcënojnë demokracinë ruse se sa Jelcini, mposhtësi i sistemit totalitar në Moskë.