1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pretenca në procesin kundër Mlladiqit

5 Dhjetor 2016

Në dhjetë ditët e ardhshme do të paraqiten argumentet e prokurorisë dhe të mbrojtjes në procesin kundër Ratko Mlladiqit. Ai akuzohet për gjenocid, krime...

https://p.dw.com/p/2TlHc
Ratko Mladic
Fotografi: picture-alliance/dpa

Trupi gjykues i Tribunalit të Hagës, me 16 gusht të këtij viti, e ka përfunduar procesin e nxjerrjes së dëshmive kundër të akuzuarit për gjenocid dhe krime lufte, Ratko Mlladiq. Ndërsa prej 5-12 dhjetor do të mbahen pretencat e prokurorisë dhe të mbrojtjes. Prokuroria ka në dispozicion tri ditë për të argumentuar aktakuzën kundër Mlladiqit. Ndërsa pas një dite pushim, mbrojtja të premten (09.12) do të fillojë nxjerrjen e argumenteve të veta. Prokuroria dhe mbrojtja më 15 dhjetor do të kenë edhe një seancë të përbashkët ku do t'i përgjigjen njëra - tjetrës. Ky do të jetë edhe akti i parafundit, para shpalljes së vendimit, i cili pritet nga fundi i vitit të ardhshëm.

Gjenocidi i dyfishtë

I akuzuari Ratko Mlladiq është në burg qysh prej 5,5 vitesh. Ai u arrestua në vitin 2011, pas më shumë se 16 vitesh, gjatë të cilave qendronte i fshehur në Serbi. Ai akuzohet për gjenocid në Bosnje-Hercegovinë në vitin 1992 dhe në veçanti në Srebrenicë në vitin 1995. Gjykimi ka filluar më 16 maj 2012. Prokuroria ka ftuar 172 dëshmitarë dhe ka prezantuar 7.500 dëshmi dhe dokumente. Ndërsa mbrojtja ka ftuar 208 dëshmitarë dhe ka paraqitur 2.000 dokumente.

Symbolbild Ratko Mladic

Në verë 2015 u lejua rihapja e procesit, i cili kishte përfunduar njëherë në shkurt të vitit 2014, për të paraqitur edhe dëshmitë e një varreze masive në Tomashice afër Prijedorit. Në pjesën shtesë janë marrë në pyetje edhe gjashtë ekspertë dhe dy dëshmitarë. Ndërsa pesë persona kanë dhënë dëshmi me shkrim. Në këtë varrezë janë gjetur mbetjet e 712 viktimave. Shumica e tyre janë ekzekutuar nga nga pas, si pjesë e fushatës së spastrimeve në Prijedor. Mlladiqi akuzohet edhe për terror ndaj banorëve të Sarajevës gjatë gjithë kohës së luftës si dhe marrjen peng të helmetkaltërve të OKB-së.

Vëretjejt e mbrojtjes së Mlladiqit

Para përfundimit të nxjerrjes së dëshmive, mbrojtja ka formuluar shumë ankesa dhe vërejtje ndaj procesit. Vërejtjet kryesore të avokatëve Branko Llukuq dhe Miograd Stojanoviq janë që Ratko Mlladiqi po përballet me një gjykim të padrejtë dhe të njëanshëm. Ata kanë kërkuar largimin e shumicës së gjykatësve nga trupi gjykues dhe ndërprerjen e procesit. Në veçanti kritika ka pasur ndaj anëtarëve të trupit gjykues Alphonso Orie dhe Christoph Fluegge. Por është kontestuar edhe integriteti i tre gjykatësve të tjerë, italianit Fausto Pocar, amerikanit Theodor Meron dhe francezit Jean-Claude Antonetti. Ndërkohë që si i njëanshëm është cilësuar edhe kryetari i Tribunalit Carmelo Agius. Ankesat janë refuzuar.

Vendimi i parë pritet pas një viti

Gjykata e ka hedhur poshtë edhe kërkesën për ndërprerjen e gjykimit, sepse mbrojtja nuk ka dëshmuar ndonjë shkelje të procedurës ligjore. Avokatët Llukiq dhe Stojanoviq thonë se janë shkelur rregullat, pasi në këtë proces janë angazhuar edhe gjykatës që e kanë dënuar Radovan Karaxhiqin me 40 vjet heqje lirie. Sipas tyre, kjo mund të ndikojë në dënimin e Mlladiqit.

Pas prezantimit të argumenteve të palëve në dhjetë ditët e ardhshme, trupi gjykues duhet të marrë vendim. Por do të duhet së paku një vit kohë për të shqyrtuar të gjitha argumentat e paraqitura në proces.