1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Prishtina kërkon rezolutë të re për Kosovën

3 Gusht 2010

Në seancën e sotme të KS-it, ku do të diskutohet për Kosovën, Prishtina zyrtare do të kërkojë zëvëndësimin e rezolutës 1244 me një rezolutë të re.

https://p.dw.com/p/Ob7c
Fotografi: AP

Zyrtarë të misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, thonë se Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban ki Mun, në raportin e tij të fundit për Kosovën i cili diskutohet sot në KS-it, thotë se situata e sigurisë në Kosovë mbetet relativisht e qetë, mirëpo shfaqet shqetësimi mbi mundësinë e rritjes së tensioneve në veri të Kosovës. Ban ki Mun, në raportin e tij, nënvizon se qëndrueshmëria afatgjatë dhe zhvillimi i Kosovës dhe rajonit lidhet me një proces të suksesshëm pajtimi në mes bashkësive. Ai i bën thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të bisedojnë për çështje praktike të bashkëpunimit rajonal.

KB mbështesin dialogun Prishtinë- Beograd

Zëdhënësi i UNMIK-ut, Russel Geekie, i tha DW-së, se Kombet e Bashkuara janë të gatshme të japin kontributin e tyre në dialogun e mundshëm ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. “Vlerësimi i Sekretarit te Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, është se situata në Kosovë mbetet relativisht e qetë, por ai shfaq shqetësimin mbi mundësinë e rritjes së tensioneve në veri të Kosovës.

"Sa i përket dialogut Prishtinë- Beograd, ju e dini se të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë inkurajojnë dialogun konstruktiv ndërmjet dy palëve dhe kërkojnë nga palët që mos të ndërmerren akte provokative," thotë Russel Geekie. Në këtë linjë ai thotë se edhe Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki Mun inkurajon këtë dialog. Ban Ki Mun edhe në raportin e tij të fundit për Kosovën thotë se Bashkimi Evropian mund të luajë një rol konstruktiv dhe të shtyjë përpara këtë dialog dhe të diskutohet për çështjet që shqetësojnë Prishtinën dhe Beogradin.

Nën dritën e këtyre zhvillimeve, sipas zëdhënësit Russel Geekie dhe Kombet e Bashkuara mund të luajnë një rol konstruktiv natyrisht në bashkëpunim të ngushtë me Bashkimin Evropian. Kombet e Bashkuara sipas tij, mund të ndihmojnë në fushat ku kanë më shumë përvojë.

Prishtina kërkon rezolutë të re

Në seancën e sotme të KS-it, ku do të diskutohet për zhvillimet në Kosovë, merr pjesë edhe ministri i jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni. Pas një takimi që zhvilloi me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, ministri Hyseni, tha se Prishtina zyrtare ka kërkuar zëvëndësimin e rezolutës 1244 me një rezolutë të re për Kosovën, e cila mund të hartohet mbi bazën e realitetit të ri në Kosovë.

Zëdhënësi i UNMIK-ut, Raseel Geekie, thotë se ai nuk mund të përgjigjet në këtë deklaratë që ka bërë shefi i diplomacisë kosovare. “Kjo është një çështje që vetëm KS-it mund ta vendosë, nëse duhet zëvëndësuar rezoluta 1244 apo jo. UNMIK-u po vazhdon punën e tij nën mandatin që ka“, thotë Russel Geekie.

Autoritetet e Prishtinës disa herë janë shprehur se janë të gatshme të hyjnë në dialog me autoritetet e Beogradit, nëse diskutohet vetëm për çështje praktike dhe jo për statusin. Kjo është e papranueshme për autoritet e Serbisë.

Pala serbe kërkon që në dialog të diskutohet edhe statusi

Sekretari i shtetit në ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq, thotë për programin tonë se përderisa në dialogun Prishtinë-Beograd nuk diskutohet të gjitha çështjet, destabilizimi politik është i pashmangshëm. “Dialogu do të ndodhë dhe tash janë kushtet e mira për të dyja palët. Kosova dhe Serbia respektojnë mekanizmat ndërkombëtarë në këtë mes edhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara. KS-it është vend i hapur për përfaqësuesit e Kosovës dhe ata të Serbisë, ku diskutohet për zhvillimet në Kosovë çdo tre muaj. UNMIK-u vazhdon të jetë në Kosovë edhe pse me mandat dhe personel të zvogëluar, prap se prap vazhdon të ketë një mandat.

„Fjala magjike është dialogu dhe ky dialog po përmendet në të gjitha këto takime në KS-it, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe në mekanizma tjerë ndërkombëtarë. Pala kosovare thotë se nuk diskuton për çështjen e statusit, ndërsa, pala serbe kërkon që në këtë dialog të diskutohet edhe çështja e statusit. Bazuar në këto qëndrime unë dyshoj se do të ketë një zgjidhje. Mirëpo, unë mendojë se ky dialog duhet të jetë i hapur për të gjitha çështjet, sepse në të kundërtën destabilizimi politik do të jetë i pashmangshëm dhe kjo nuk do të sjellë përfitime as për shqiptarët e Kosovës as për serbët“, thotë Oliver Ivanoviq.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Aida Cama