1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pritshmëri të mëdha ndaj presidencës gjermane!

Anila Shuka20 Dhjetor 2006

"Europa bëhet vetëm së bashku!" - kjo është motoja e presidencës gjermane

https://p.dw.com/p/Aqnh
Shtajnmajer paraqet prioritetet e presidencës gjermane në Bruksel
Shtajnmajer paraqet prioritetet e presidencës gjermane në BrukselFotografi: AP

"Nuk do të bëjmë ndonjë mrekulli në gjashtë muaj, por e pranojmë përgjegjësinë që na është vënë dhe gëzohemi për mundësitë që na hap presidenca" - tha ministri i jashtëm gjerman Shtajnmajer (Frank Walter Steinmeier) në kuadër të prezantimit të presidencës gjermane.

Afro 400 aktivitete: takime, konferenca, katër samite, rreth 100 troika, - programi i presidencës gjermane është kompleks dhe ambicioz. Të larta janë edhe shpresat që ka vënë unioni ndaj Gjermanisë, që është vendi me popullsi më të madhe në bashkësinë e 25-të, së shpejti të 27 vendeve evropiane. Ministri gjerman i punëve të jashtme Frank Valter Shtajnmajer, për këtë arsye e filloi prezantimin e programit të presidencës gjermane me një fjali relativizuese: "I njohim shpresat e varura tek ne. Ato janë shumë të larta, prandaj po e them që në fillim, ne nuk do të bëjmë ndonjë mrekulli në gjashtë muaj, por e pranojmë përgjegjësinë që na është vënë dhe gëzohemi për mundësitë ndërtuese që na hap presidenca."

Kantjeret ku duhet të vazhdojë të ndërtojë presidenca gjermane janë të shumta: Fillimi i vitit të ardhshëm do të jetë i mbushur me Kosovën dhe Serbinë, në se në arenën ndërkombëtare nuk ndodh diçka më akute. Mbas zgjedhjeve në Serbi dhe publikimit të propozimit të presidentit finlandez Marti Ahtisaari për të ardhmen e Kosovës do ta ketë radhën BE-ja të tregojë unanimitet: "Sipas mendimit tim, është e rëndësishme që ne në Evropë të përkrahim ngushtë Grupin e Kontaktit, e që aty të mos kemi përçarje," - tha Shtajnmajer.

Ai e vuri theksin tek misioni juridiko-civil që do të stacionohet në Kosovë pas statusit e që do të jetë më i madhi në historinë e BE-së: "Eshtë një plan shumë ambicioz, tek i cili rajoni ka varur shumë shpresa, prandaj edhe duhet t'i përqendrojmë forcat në përgatitjen e tij." Optimist u tregua shefi i diplomacise gjermane edhe sa i përket pozicionit të vendeve të BE-së në lidhje me rifillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Serbinë. Po ashtu, Gjermania shpreson që gjatë presidencës së saj të hapë edhe kapituj të tjerë negociatash me Turqinë.

Në planin e brendshëm Gjermania ka ndër mend të japë një kontribut të konsiderueshëm në përparimin e procesit të kushtetutës, që "jo vetëm që e ka futur BE-në në krizë besimi, por po e pengon atë edhe në sensin praktik". Sipas këtij plani procesi i kushtetutës pritet të përfundojë gjatë presidencës franceze, në gjysmën e dytë të vitit 2008.

Shtajnmajer u shpreh edhe një herë pro idesë së Bashkimit Evropian, i cili në mars të vitit të ardhshëm feston 50 vjetorin e nënshkrimit të të ashtuquajturave kontrata të Romës: "Europa bëhet vetëm së bashku!" - kjo është edhe motoja e presidencës gjermane.