1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Problemet me simbolet e shtetit maqedonas

Bahri Cani29 Shtator 2009

Stema e Maqedonisë mbetet problem edhe dy dekada prej futjes së saj në përdorim. Ende nuk ka ndryshuar ylli pesërremësh, që ka shkaktuar debate tek partitë politike.

https://p.dw.com/p/Jtbr
Flamuri është në rregull por stema...

Partia VMRO - Popullore e përkrahur edhe nga partia në pushtet VMRO-DPMNE, ka futur në procedurë parlamentare nismën për ndryshimin e stemës shtetërore, nga e cila pas 50 viteve kërkohet heqja e yllit pesëremësh. Kryetari i VMRO-Popullore, Marjan Dodovski, propozon që ylli në stemë të zëvendësohet me figurën e dy luanëve, simbol ky që sipas tij, është në harmoni me historinë e popullit maqedonas. Kjo nismë që në fillim ka hasur në reagime të ashpra, si tek partitë politike shqiptare ashtu edhe tek partitë opozitare maqedonase. Të gjitha partitë politike dakordohen se ylli duhet të largohet nga stema, pasiqë ai është simbol i sistemit të kaluar komunist. Dilemat dhe qëndrimet e kundërta lindin në momentin kur jepen propozime, se me çka duhet të zëvendësohet ylli në stemë. Safet Neziri,deputet i Bashkimit Demokratik për Integrim, vlerëson se stema e ardhshme duhet të pasqyrojë realitetin etnik në Maqedoni.

“Mendoj se duhet të ketë pëlqim dhe konsensus politik dhe ndëretnik, i cili do ta pasqyrojë realitetin në Maqedoni. Në këtë moment BDI-ja nuk jep pëlqim sepse nuk janë krijuara as kushte politike e as ndëretnike për një iniciativë siç është kjo e VMRO-Popullore për ndryshimin e stemës”, thotë Neziri.

Logo der VMRO Partei in Mazedonien
VMRO-ja kërkon luanë, shqitparët multietnicitetFotografi: Petar Stojanovski

Stema duhet të pasqyrojë Maqedoninë e sotme

Deputeti i Demokracisë së re, Sulejman Rushiti, thotë se në stemën e re doemos duhet të përfshihen karakteristikat e multietnitetit të shoqërisë maqedonase.

“Vetëm largimi i yllit nuk mjafton, nuk pasqyron realitetin multietnik të Maqedonisë. Ne jemi që stema të pasqyrojë të sotmen e Maqedonisë”, thotë ai.

VMRO-DPMNE pohon se çdo ndryshim që do të inicohet për heqjen e yllit do të jetë i pranueshëm për këtë parti.

“ VMRO do ta mbështes iniciativën për ndryshimin e stemës, ku do të largohet ylli. Ky është një moment i pastrimit nga sistemi i kaluar dhe njëherit do të heq një barierë me të cilën ballafaqohet vendi drejt integrimit në BE”, thotë Illija Dimovski.

Mazedonien Das Parlament in Skopje
Parlamenti një herë i tha jo ndryshimeveFotografi: Petar Stojanovski

Opozita maqedonase kërkon debat të thellë

Opozita maqedonase nënvizon se iniciativa duhet të shqyrtohet mirë dhe se nuk duhet të kalojë pa një debatë të gjerë publik.

“Nuk duhet që në start të pengohet kjo inisiativë dhe të lihet të ngatërrohet në labirintet e drejtësisë. Presim nga ministria e drejtësisë të ofrojë propozime logjike dhe të pranueshme për një çështje shumë të rëndësishme, siç është stema” thotë Vllado Buçkovski, deputet i socialdemokratëve.

Ndryshimi i stemës në Parlament mund të miratohet me dy të tretat e votave dhe sipas parimit të Badenterit. Në këtë moment asnjë parti politike parlamentare nuk ka siguruar një votim të sigurtë për ndryshimin e stemës.

Iniciativa e parë për ndryshimin e stemës ka qenë në vitin 1991, nga VMRO-DPMNE por atëherë kjo ide nuk gjeti mbështetjen e duhur në parlament.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Bahri Cani