1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ballkani Perëndimor - në rajon real ekonomik dhe politik

Ani Ruci/ Tiranë21 Janar 2016

Përfundoi në Tiranë takimi i dytë tripalësh Shqipëri-Itali-Serbi në nivel ministrash të Jashtëm. Ministrat kërkuan financime nga BE për projektet e përbashkëta. Shërbimet e fshehta do të forcojnë bashkëpunimin.

https://p.dw.com/p/1HhZu
Albanien Serbien Italien Treffen
Fotografi: DW/A. Ruci

Bashkëpunimi rajonal është fjala kyç e procesit të Berlinit, nismës diplomatike para dy vitesh të kancelares gjermane Angela Merkel, për t'i dhënë energji te re procesit të afrimit të Ballkanit Perëndimor me BE. Në vijim të këtij procesi lindi edhe nisma italiane për të zhvilluar takime të përvitshme tripalëshe Shqipëri- Serbi-Itali, në nivel ministrash të Jashtëm, me synim stabilizimin e marrdhënieve mes Beogradit dhe Tiranës. Takimi që u zhvillua në Tiranë dje ( 20 janar 2016) është i dyti pas atij që u zhvillua në Romë janarin e kaluar. Në një konferenvë të përbashkët shtypi, në Pallatin e Brigadave në Tiranë, Ministri i Jashtëm Italian, Paolo Gentiloni, e cilësoi takimin tripalësh “ dëshmi të progresit në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë, progres me rëndësi të madhe për stabilitetin e Ballkanit. Avancimi i Serbisë dhe Shqipërisë në procesin e afrimit me BE është një sinjal pozitiv për rajonin. Italia do të kontribojë që Serbia dhe Shqipëria ta rrisin më tej bashkëpunimin” theksoi ai.

Pa financime projektet rajonale do të mbesin në letër

Tre ministrat e Jashtëm, Bushati, Gentilone dhe Daçiç, shprehën të njëjtin interes për bashkëpunim në realizimin e projekteve të përbashkëta strategjike në sektorin e energjisë, furnizimit me gaz e transportit për ta transformuar Ballkanin Perëndimor "në një rajon real nga pikëpamja ekonomike dhe politike”, tha ministri i jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati.

“Të kthehemi në një rajon jo nga emri, por nga projektet strategjike, që janë ideuar në kuadër të Procesit të Berlinit. Por për këte duhen burime financiare, të cilat nuk i kemi. Projektet janë jetike për infrastrukturën rajonale rrugore, energjinë dhe sigurinë ne BP. Presim që të zbatohen të gjitha projektet që kemi diskutuar. Të gjitha dallimet që i takojnë çështjeve politike duhet t'i lëmë pas dhe të gjejmë një emërues të përbashkët për bashkëpunim”, deklaroi Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç.

Që prej samitit te Vienës, ku u prezantuan projektet rajonale strategjike, nuk është siguruar financimi i tyre. Samiti i Parisit, në vjeshtën e këtij viti, i treti në serinë e 4 takimeve, që përmban procesi i Berlini, do të jetë një test për këtë çështje. Eridana Çano, zëvendësdrejtore e kabinetit të Kryeministrit Rama, thotë për DW:

Eridana Çano: samiti i Parisit moment historik për të ndërmarrë hapa konkrete
Eridana Çano: samiti i Parisit moment historik për të ndërmarrë hapa konkreteFotografi: DW/A. Ruci

“Samiti i Parisit duhet të jetë një moment historik për të ndërmarrë hapa konkretë në identifikimin e financimit të projekteve rajonale strategjike që ndërlidhin ekonomikisht Ballkanin Perëndimor dhe e kthejnë atë në një rajon real, projekte që sjellin përfitime të menjëhershme për qytetarët”.

Nëse në samitin e Parisit nuk ndërmerren hapa konkrete, ka rrezik që projektet të mbeten në letër. Ardian Haçkaj, Drejtor Ekzekutiv i Institutit për Bashkëpunim dhe Zhvillim, thotë për DW:

“Projektet në infrastrukturë, në transport dhe energji që lidhin rajonin kanë një kosto të lartë dhe ndikim të madh në komponentë të tjerë të strategjive të zhvillimit social dhe ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nëse nuk sigurohet financimi i tyre ka disa rreziqe: ose projektet nuk do të realizohen, ose realizimi i tyre mund të prekë dhe cënojë strategjitë ekzistuese kombëtare për zhvillim dhe integrim në BE si edhe të ndikojë negativisht në financat kombëtare duke rritur borxhin publik”.

Politika të përbashkëta për refugjatët, që Shengeni të mos vdesë

Procesi i Berlinit përballet me krizën e refugjatëve. Në takimin tripalësh në Tiranë Shqipëria, Serbia dhe Italia ranë dakort për domosdoshmërinë e një politike të përbashkët nga çdo vend i BE, të cilën ta ndjekin edhe vendet e BP.

“ 600 mijë refugjatë kanë kaluar deri tani në territorin e Serbisë, një pjesë kanë zbarkuar në Greqi. BE nuk mundi t' i përgjigjej kësaj situate, sepse secili vend veproi më vete. Duhen procedura të njëjta dhe politikë e përbashkët europiane. Nese çdo vend i BE merr vendime te veçanta, kjo do të sjelle efektin domino, do të vërë në rrezik lirinë e lëvizjes në zonën Shengen” tha në Tiranë Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç.

Ardian Haçkaj: projektet me ndikim në komponentë të tjerë të strategjive sociale e ekonomike të Ballkanit Perëndimor
Ardian Haçkaj: projektet me ndikim në komponentë të tjerë të strategjive sociale e ekonomike të Ballkanit PerëndimorFotografi: DW/A. Ruci

Por nuk është vetëm një politikë e përbashkët e BE, e domosdoshme në situatën e rënduar nga kriza e refugjatëve. Ministri i Jashtëm italian, Gentilone, tha se “duhet modifikuar Marrëveshja e Dublinit, e realizuar nga BE, 25 vjet më parë, kur fluksi i refugjateve drejt vendeve te BE nuk ishte në përmasat e sotme”.

Sipas Marrëveshjes së Dublinit, refugjatët nga vendet ku u rrezikohej jeta kërkojnë azil në vendin e parë të BE ku ata kalojnë kufirin dhe ky vend është i detyruar të zhvillojë procedurat përkatëse te parashikuara ne marrveshje.

Ligje kundër radikalizimit dhe fenomenit të “ luftëtarëve të huaj”

Per rritjen e bashkëpunimit mes Shqipërisë, Serbisë dhe Italisë u ra dakord edhe për luftën kunder terrorizmit dhe rritjen e sigurise dhe stabilitetit. Ministri i jashtëm Italian, Gentiloni tha:

“ Kemi rënë dakort të rrisim bashkëpunimin mes shërbimeve tona inteligjente. Qeveritë e të tria vendeve janë të shqetësuara për radikalizimin dhe fenomenin e “luftëtarëve të huaj”.Po punojmë të miratojmë ligje. Asnjë vend nuk ka imunitet nga sulmet terroriste. Nuk dihet nga vjen rreziku: nga metropolet e BE, Lindja e Mesme apo nga Ballkan” tha ai.

Gentilone theksoi se Shqipëria me modelin e bashkëjetesës fetare jep kontribut të çmuar kundër radikalizimit dhe mbetet një faktor stabiliteti në rajon.Procesi i Berlinit përfshin edhe luftën kundër ekstremizmit dhe radikalizimit. Takimi i ardhshëm tripalësh do te zhvillohet vitin që vjen ne Beograd. Pas Parisit, procesi i Berlinit do të vijojë në Romë.