1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Procesi i Berlinit:Ndihmë Ballkanit që rinia të mos emigrojë

10 Korrik 2018

Në kuadër të samitit për Ballkanin Perëndimor që po zhvillohet në Londër i kushtohet vëmendje motivimit të rinisë për shmangien e brain drain.

https://p.dw.com/p/317mH
EU-Westbalkan-Gipfel in London
Fotografi: DW/A. Ruci

Në Londër, kryetarët e qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor (BP ) dhe të  vendeve partnere të BE,  mes të cilëve kancelarja gjermane Angela Merkel, do të diskutojnë për të ardhmen europiane të rajonit, në kuadër të Procesit të Berlinit . Forumi i Shoqërisë Civile dhe Rinisë, që i parapriu një ditë më parë (9.07.2018) takimit , e konsideron largimin masiv të rinisë nga rajoni, largimin e trurit, si sfidën më të madhe, që kërcënon të ardhmen e rajonit. Rreth 100 aktivistë të shoqërisë civile dhe rinisë nga BP, në forum, diskutuan me ministrat e jashtëm të BP emergjencën e  ndalimit të emigrimit masiv të rinisë. Rekomandimi i tyre kryesor për kryetarët e qeverive të BP dhe politikanët drejtues të BE: Procesi i Berlinit të motivojë rininë të qëndrojë në rajon për të siguruar të ardhmen e tij. Alan Duncan, Ministri i  Shtetit për Europën dhe Amerikën, i Britanisë së Madhe, vendit që mirëpret Samitin e Londrës, tha në hapje të Forumit se një "nga synimet kryesore të Procesit të Berlinit është të ndihmojë që rinia të mos emigrojë”.

Samiti që po zhvillohet në Londër është i pesti në serinë e samiteve në kuadër të Procesit të Berlinit, nismës diplomatike të kancelares Merkel, në vitin 2014 për t'i dhënë impulse dhe dinamikë të re afrimit të BP me BE-në.

Pse emigron rinia e vendeve të Ballkanit Perëndimor në mënyrë masive?

Arësyet nuk janë as të reja, as të panjohura: papunësia, humbja e shpresës për të ndërtuar jetën në vend. Ministri i Jashtëm i Bosnjë- Hercegovinës, Igor Crnadak, tha se " Largimi në rritje i rinisë nga rajoni vjen nga mosbesimi në sistemin ekonomik dhe social që kemi në vendet tona, mosbesimi në zbatimin e ligjit, drejtësi, luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Investitorët e huaj ikin nga vendet e BP për shkak të korrupsionit të lartë. Niveli i papunësisë në Bosnjë-Hercegovinë ka arritur në 62,6%” , theksoi Crnadak.

Ndryshimet që kanë ndodhur në rajon dhe ritmet e tyre nuk i përgjigjen aspiratave të rinisë. Ҫfarë duhet bërë? Kthimi i shpresës tek rinia, transformimi me ritme më të shpejta i  rajonit, një proces më dinamik i afrimit me BE, që mund të konkretizohet me hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Dhe këtu hyn në lojë Procesi i Berlinit dhe BE.

"Këtë nuk mund ta bëjme vetëm. Na duhet mbështetje nga Procesi i Berlinit dhe BE”, tha ministri i Jashtëm i Kosovës”, Bexhet Pacolli.

Për Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë , Ditmir Bushati, rajoni ka nevojë për transformim të shpejtë, për ritme më dinamike drejt konvergimit me standartet europiane të jetesës. ” Qeveritë e vendeve të BP kanwë burime të kufizuara për ta bërë  atë lloj transformimi që të mbajë rininë në rajon”, tha Bushati.

EU-Westbalkan-Gipfel in London
Fotografi: DW/Ani Ruci

Nga duhet të fillojë transformimi i rajonit?

Reformimi i sistemeve të arsimit në BP, që rinia të motivohet për të studiuar në rajon dhe të mos largohet. Njohja reciproke e diplomave mes vendeve të BP, që ende ka mbetur si ide në letër pa arritur marrëveshjet përkatëse, ndryshimi i kurrikulave mësimore dhe krijimi i platformave gjithëpërfshirëse të arsimit në rajon. Komisioneri i Zgjerimit  dhe Fqinjësisë së Mirë, Johannes Hahn, i pranishëm në Forumin e Shoqërisë Civile dhe Rinisë,  tha se "në rajon mund të ngrihen universite, qendra të ekselencës, ku rinia e talentuar e BP të studiojë,  si një mundësi për të shmangur  largimin  nga rajoni”.

Agjenda digjitale dhe rinia

Investimi në njohuritë digjitale të rinisë është një nismë tjetër për të hapur vende të reja pune dhe për ta mbajtur rininë në rajon. Britania e Madhe premton të dyfishojë fondet e saj për rajonin, ku pritet që 10 milionë Pound të përdoren për agjendën digjitale, punësimin e rinisë dhe për të kontribuar në stabilitetin ekonomik të rajonit. Edhe pse Britania e Madhe pritet të largohet nga BE-ja në mars 2019 kryeministrja Theresa May  tha në prag të fillimit të Samitit të Londrës,  se  "historia ka treguar që një Ballkan Perëndimor i stabilizuar dhe i sigurtë do të thotë një Europë më e sigurtë dhe e qëndrueshme. Britania e Madhe do të vazhdojë të mbajë zotimet dhe angazhimin e saj ndaj BP”.

Në   këtë kontekst Britania e Madhe premton të financojë me  rreth 107 milionë dollarë rritjen e sigurisë në rajon për të luftuar krimin e organizuar në periudhën 2020-2021.

Vendet partnere të BP në Procesin e Berlinit janë Gjermania, Austria, Franca, Sllovenia, Kroacia dhe Italia.

 

.

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana