1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Procesi i decentralizimit - vendimtar në përcaktimin e statusit final

Bekim Shehu14 Nëntor 2006

Shefat e zyrave të vendeve anëtare të grupit të kontaktit në Prishtinë, e shohin decentralizimin në Kosovë si një proces pozitiv. Ata kërkojnë nga kryetarët e komunave të Kosovës që të ndihmojnë në jetësimin e këtij procesi.

https://p.dw.com/p/ArbD
Delegacioni kosovar dhe ai serb biseduan për decentralizimin pa asnjë rezultat në Vjenë
Delegacioni kosovar dhe ai serb biseduan për decentralizimin pa asnjë rezultat në VjenëFotografi: AP

Shefat e zyrave në Prishtinë të vendeve anëtare të grupit të kontaktit, kërkuan nga kryetarët e komunave kryesore të Kosovës, që të punojnë aktivisht në procesin e decentralizimit në mënyrë që ky proces të jetësohet sapo, ndërmjetësi ndërkombëtar në bisedimet për statusin, Marti Ahtisari të bëjë propozimin e tij për statusin final të Kosovës. Përfaqësuesit e vendeve anëtare të grupit të kontaktit, të kryesuar nga shefja e zyrës amerikane, Tina Kajdanov, zhvilluan një takim me kryetarët e komunave të Kosovës, të cilëve u sqaruan se, procesi i decenralizimit do të jetë vendimtar në përcaktimin e statusit final.

"Ne në grupin e kontaktit ua kemi të bërë të qartë kryetarëve të komunave se, ne e shohim procesin e decentralizimin si një proces shumë pozitiv. Në këtë linjë kërkojmë nga kryetarët e komunave që të përqendrohen më shumë në këtë proces dhe të punojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës", tha Tina Kajdanov, shefe e zyres amerikane në Kosovë.

Ndër të tjera, Kajdanov u shpre se, si rezultat i marrëveshjes për decentralizimin, në Kosovë do të ketë komuna të reja dhe në këtë kuadër kryetarët aktual të komunave të Kosovës do të kenë një rol të rëndësishëm në krijimin e këtyre komunave të reja. Kryetari i asociacionit të komunave të Kosovës, Ismet Beqiri, nga ana e tij, thotë se ky asociacion e përkrah procesin e decentralizimit, mirëpo, sipas tij, ky proces i cili do prodhojë komuna të reja duhet të jetë në funksion të krijimit të një shoqërie shumëetnike dhe jo të ndarjes së tyre.

Çështja e decentralizimit në Kosovë ka qenë pjesa kryesore e bisedimeve teknike disa mujore ndërmjet Prishtinës, Beogradit dhe bashkësisë ndërkombëtare. Për këtë proces nuk u arrit ndonjë marrëveshje, mirëpo, pala kosovare është pajtuar për krijimin e disa komunave të reja që do të menaxhohen nga serbët e Kosovës. Formula e fundit e pranueshme për Prishtinën ishte krijimi i pesë komunave të reja serbe dhe zgjerimi i disa zonave kadastrale. Mirëpo, se ç'pamje do të ketë decentralizimi në Kosovë, kjo do të dihet qartë vetëm pas prezantimit të dokumentit për statusin final të Kosovës nga ndërmjetësi ndërkombëtar, Marti Ahtisari.