1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Procesi i marrjes së statusit duhet zhvilluar me shumë kujdes

Aida Cama23 Nëntor 2006

Të martën në mbrëmje në Berlin u zhvillua Konferenca "Does anyone have a plan?" e organizuar nga Fondacioni Heinrich Böll dhe shoqata Balkanblacbox. Në to u prezantuan pikëpamje të ndryshme të zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Cilat janë pikëpamjet gjermane?

https://p.dw.com/p/Aray
Does anyone have a plan? Mbi të ardhmen e Kosovës
Does anyone have a plan? Mbi të ardhmen e KosovësFotografi: DW

Për disa nga pjesëmarrësit e takimit duket sikur kërkush nuk ka një plan të qartë për Kosovën, aq më tepër komuniteti ndërkombëtar. Por në fakt për Joachim Bleicker, Drejtor i Drejtorisë për Ballkanin perëndimor në Ministrinë e jashtme gjermane, planet ekzistojnë vetëm se ato duhen vënë në jetë me kujdes.

Joachim Bleicker: Unë jam shumë i sigurt se Marti Ahtisaari, i cili kryeson bisedimet në emër të Kombeve të Bashkuara në Vjenë, ka një plan dhe ka ide konkrete se si mund të afrohen pozicionet e palëve, megjithëse ato janë krejt të papajtueshme. Kur ai deklaroi para disa ditësh se do të presë deri sa të zhvillohen zgjedhjet në Serbi, që janë parashikuar për më 21 janar, ai e bëri këtë që kjo çështje emocionale të mos përdoret në to. Ndaj është e kuptueshme që mund të pritet këto tre ose katër javë. Atëherë, ai do të prezantojë planin e vet, i cili do të jetë shumë konkret. Ai do të përmbledhë në të elementet për të cilat palët kanë rënë dakort. Si për shembull mbrojtjen e monumenteve kulturore serbe, kishave manastireve, dhe pjesërisht çështjet e decentralizimit në të cilat ka patur po ashtu marrëveshje. Këto ai do t'i përmbledhë në letër. Çështjet ku nuk ka patur marrëveshje, ai do i kapërcejë dhe do të prezantojë propozimet e veta për to dhe atëherë, vendet e ndryshme të botës do vendosin nëse do e njohin këtë shtet Kosovë apo jo, do vendosin nëse kjo zgjidhje është në rregull. Por më parë duhet të vendosë Këshilli i Sigurimit, sepse nuk duhet harruar se me gjithë problemet emocionale që janë krijuar nga lufta, nga reprecionet e Millosheviçit, në fund të fundit një shteti sovran dhe demokrat i merret nje pjesë e territoreve, dhe shtetet e tjera nuk e shohin këtë çështje pa probleme, sepse shumë prej tyre thonë se kanë probleme të njëjta ose edhe tek ata mund të shfaqen probleme të tilla. Ndaj procesi duhet zhvilluar me shumë kujdes dhe shumë ekuilibër. Por presioni për të marrë vendimin, dhe për të vendosur sa më shpejt, është shumë i madh. Ndaj vendimi do të prezantohet në një të ardhme shumë të shpejtë.


Edhe Mariluise Beck, deputete, anëtare e komisionit për politikën e jashtme të
Bundestagut gjerman e ka shumë të qartë së çfarë do të ndodhë.

Mariluise Beck Është e qartë se do të vijë pavarësia me sovranitet të kufizuar. Që me tekst të qartë do të thotë: në disa elemente është e qartë dhe në disa të tjera jo dhe aq, pra do të thotë që Kosova nuk do të ketë ushtrinë e vet, ndër të tjera edhe në mënyrë që UÇK të mos transformohet në një ushtri të Kosovës, pra kjo çështje do të zgjasë vite deri sa të zgjidhet, dhe Kosova nuk do të ketë vend në Këshillin e Sigurimit. Çfarë unë mendoj nuk është pa probleme. Pra do të thotë që përfaqësimi i jashtëm i Kosovës, nëse vjen puna, do të bëhët nga diplomacia serbe. Një model i tillë, është i mundur sepse kemi të bëjmë me Këshillin e Sigurimit, tek i cili duhet të
kalojë çdo lloj propozimi që jep Ahtisaari. Eshte e qartë që Rusia nuk do të votojë menjëherë, madje do të kërkojë dhe të paguhet që të heqë dorë nga vetoja, (Abkazinë ose pranimin në Organizatën Botërore të Tregëtisë) pra do të bëhet një pazar me Rusinë. Atëherë do të zhvillohen procese bilaterale njohjeje. Sovraniteti i një vendi krijohet edhe nga aktet e njohjes të qeverive të ndryshme. Dhe kjo realizon sovranitetin faktik.