1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Profesioni apo familja?

Dafne Antohopulos23 Janar 2006

Qeveria gjermane kërkon të nxisë politikën profamiljare

https://p.dw.com/p/Ar1V
"Fëmijët janë gëzimi i jetës" (Matias Placek)
"Fëmijët janë gëzimi i jetës" (Matias Placek)Fotografi: Bilderbox

Në aspektin demografik, të dhënat për zhvillimin e popullsisë në Gjermani janë alarmuese që prej shumë vitesh. Statistikat zyrtare thonë, se çdo grua në Gjermani ka mesatarisht 1,4 fëmijë. Për sistemin e sigurimeve shoqërore, që është ndërtuar mbi bazën e të ashtuquajturës kontratë brezash, pra që do të thotë, ata që punojnë sot financojnë pensionistët e sotëm, kjo është një gjendje shkatërruese. Pak fëmijë sot, do të thotë pak kontriubute në arkat e pensionistëve për nesër.

Qeveria aktuale konservativo-socialdemokrate e kancelares Angela Merkel, ka vendosur si synim që të nxisë krijimin dhe ruajtjen e familjeve. Kryetari i Partisë Socialdemokrate (SPD), Matias Placek, bën reklamë: "Fëmijët përbëjnë një pjesë të madhe të kuptimit të jetës sonë. Janë ata, që na sjellin gëzimin e jetës. Dhe ky është dhe kuptimi më i thellë i kësaj detyre dhe sfide shoqërore."

Të krijosh një familje në Gjermani mbetet sfidë. Shkaqet janë të shumta: Jo vetëm për gratë me shkollë të lartë. Ato ngurrojnë të krijojnë familje para se të përfundojnë fakultetin. Këtë e dëshmon më së miri fakti, që mosha mesatare e atyre që bëjnë fëmijën e parë është afër 30-shit. Tendenca është në rritje. Së pari kjo ka të bëjë me dëshirën për pavarësi financiare. Disa prej tyre duhet të fitojnë para dhe nuk duan ta humbasin vendin e punës, për shkak të kuotës së lartë të papunësisë, që tani ka arritur tek 11 përqindshi.

Rritja e një fëmije në Gjermani është diçka e vështirë, sepse përkujdesja për foshnjat nga mosha 0 deri në 3 - vjeçare, nuk është kurrsesi e garantuar nga shteti. Vetëm tre në 100 fëmijë në Gjermaninë perëndimore gjejnë vende nëpër çerdhe. Më shumë vende ka për fëmijët e kopshtit, por orari i kopshtit shumë shpesh nuk përkon me atë të punës së prindërve. Kjo është arësyeja, se përse një e treta e nënave me fëmijë punojnë me gjysmë turni.

Kostot për kujdesjen e fëmijëve llogariten në bazë të të ardhurave të prindërve. Në landin e Nordhrajn Vestfalisë ato arrijnë nga zeroja deri në 312 Euro në muaj. Koalicioni i madh që aktualisht qeveris Gjeramninë pat rënë dakord, që kostot mbi 1.000 Euro në vit të rimbursohen nga tatimet. Ministrja kristdemokrate e familjes, Ursula fon der Lajen, sqaron: "Kjo praktikisht do të thotë, që sektori i përkujdesjes së fëmijëve, që deri tani ka qenë në pjesën më të madhe ilegal, do të ketë rastin të legalizohet."

Gati dy të tretat e nënave i lënë fëmijët tek të ashtuquajturat nëna ditore, thuhet në një anketim të një reviste për prindër, kjo pasi mungojnë vendet e kopshteve. Gjatë ditëve të fundit partitë gjermane vazhduan t'i zhvillojnë edhe më tej planet e tyre për nxitjen e familjeve. Partia Socialdemokrate madje do që t'i rimbursojë të gjitha shpenzimet për trajtimin e fëmijëve. Ministrja e familjes, Ursula von der Lajen, është e mendimit që përkujdesja për fëmijët duhet të jetë pa para.

Problematik megjithatë mbetet financimi. Deri tani ai është mbuluar nga komunat, që janë të zhytura në borxhe dhe nuk duan të heqin dorë nga afro 3 miliardë Eurot, që përfitojnë nga kontributet e prindërve.

Debati për vendet e cerdheve dhe kopshteve ka lindur në Gjermani që kur filloi të bëhej e qartë, që shteti dikur më i begatë i Evropës, sa vinte e po plakej, e varfërohej. E megjithatë, deri tani gjendja shumë pak është përmirësuar. Të shohim se sa seriozisht do t'i marrë qeveria dhe ministrja e re premtimet e bëra. Më 26 mars në Gjermani zhvillohen në tre lande njëkohësisht zgjedhje dhe sigurisht që të gjithë politikanët fillimisht janë përqendruar të thonë ato që duan të dëgjojnë zgjedhësit.