1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Programit atomik i Iranit pritet të shtrohet në Këshillin e Sigurimit

Gerwald Herter24 Shtator 2005

Këshilli i guvernatorëve të Agjencisë ndërkombëtare për Energjinë Atomike miratoi rezolutën e BE-së mbi mosmarrëveshjet me Iranin për programin atomik.

https://p.dw.com/p/ArDG
Takimi i Agjencisë për Energjinë Bërthamore
Takimi i Agjencisë për Energjinë BërthamoreFotografi: AP

Votimet në Këshillin e guvernatorëve të Agjencisë ndërkombëtare për Energjinë Atomike në Vjenë janë krejtësisht të pazakonshme. Fakti që Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe e thyen këtë rregull të pashkruar, tregon se sa seriozisht i kanë marrë shtetet e BE-së mosmarrëveshjet me Iranin, për problemet e energjisë bërthamore. Sipas të dhënave të diplomatëve, në votimin e organizuar në Këshillin e guvernatorëve të Agjencisë ndërkombëtare për Energjinë Atomike, vetëm Venezuela votoi kundër deklaratës për Iranin. Kina dhe Rusia, të cilat fillimisht kishin bërë rezistencë, abstenuan sikurse edhe përfaqësuesit e dhjetë të ashtuquajturave vende të paangazhuara.

Dënohet sjellja e Iranit

Me dokumentin në fjalë Këshilli i guvernatorëve të Agjencisë ndërkombëtare për Energjinë Atomike, dënon sjelljen e qeverisë së Iranit në lidhje me bashkëpunimin në programin ndërkombëtar për energjinë atomike. Në deklaratë përmendet edhe Këshilli i Sigurimit, gjithsesi koha se kur do të dorëzohet në Nju-Jork dosja për Iranin, mbetet e hapur. Sipas diplomatëve, përfaqësuesit e vendeve të BE-së patën diskutuar deri në minutën e fundit me përfaqësuesit e tjerë në Këshillin e guvernatorëve të Agjencisë ndërkombëtare për Energjinë Atomike në Vjenë, në lidhje me ndryshimet në projektdokumentin, i cili ishte shkruar me një gjuhë tepër të qartë. Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe arritën në këtë mënyrë, që të pengonin një numër më të madh votash kundër. Sipas vlerësimeve të përfaqësuesve të Agjencisë ndërkombëtare për Energjinë Atomike në Vjenë, bisedimet më të shumta u zhvilluan me Rusinë.

Irani ka filluar sërish pasurimin e uranit

Në Këshillin e guvernatorëve të Agjencisë ndërkombëtare për Energjinë Atomike në Vjenë janë të përfaqësuara 35 vende. Së bashku me Kinën, Indinë, Afrikën e Jugut dhe disa vende të tjera Rusia ishte shprehur gjithmonë, kundër përfshirjes së Këshillit të Sigurimit në këtë çështje.

SHBA janë të bindura se Teherani dëshiron, që pasurimin e uranit ta përdorë për ndërtimin e armëve bërthamore. Qeveria iraniane pretendon se ka ndër mend, që ta përdorë uranin e pasuruar vetëm për qëllime paqësore, për shembull për prodhimin e energjisë elektrike.

Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe u përpoqën deri tani, për të ndërmjetësuar në këtë mosmarrëveshje. Por edhe sipas mendimit të evropianëve, një gjë është e qartë: për 18 vjet me radhë Irani është përpjekur t'i mbante sekret pjesët themelore të programit të tij atomik.

Ka dy vjet, që BE-ja po përpiqet që ta bindë Teheranin të heqë dorë prej pasurimit të uranit. Por muajin e kaluar Irani filloi sërisht përgatitjet për pasurimin e uranit. Pas kësaj bisedimet me evropianët u ndërprenë. Në centralet atomikë të Isfahanit ka filluar sërish transformimi i uranit në formë të lëngshme, pra në heksafluorid urani. Diplomatët iranianë kërcënuan, se në rast se Agjencia ndërkombëtare për Energjinë Atomike në Vjenë do t'ia kalojë çështjen Këshillit të Sigurimit, Irani do të vazhdojë me pasurimin e vërtetë të uranit.