1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Projekt multi-etnik për shqiptarët, serbët dhe romët në Novobërdë

16 Korrik 2009

Qeveria e Kosovës së shpejti do të zgjidhë çështjen e banimit për 29 familje shqiptare, serbe dhe rome të komunës së Novobërdës.

https://p.dw.com/p/IqyN
Pamje nga Novobërda, KosovëFotografi: DW

Një tatëpjetë zigzage në fshatin Bostan, çon në lagjen me baraka e shtëpi me qerpiç në të cilat jetojnë 13 familje rome në kushte të rënda sociale.

"Këtu ka familje me shtatë-tetë anëtarë që jetojnë në një dhomë. Atë dhomë e kanë banjo, kuzhinë e dhomë për fjetje. Pothuaj të gjithë jetojnë nga ndihma sociale, plastika e hekurat që shesin" -shpjegon Naser Jashari, përfaqësues i këtyre familjeve.

Në një oborr të vogël në të cilin vlojnë fëmijë të palarë e të veshur keq, një grua e re po nxjerr ujë nga pusi. Afërdita Jashari, nënë e pesë fëmijëve flet për kushtet në të cilat jetojnë këta banorë.

"Jetojmë më mënyrë katastrofale, shtëpia vec kur t´na rrëzohet. Kam pese fëmijë të vegjël! Ujin po e nxjerrim me kazanë. Se cfarë uji po pimë, a e sheh? Fëmijët i kemi më shumë të sëmurë se shëndoshë."

"Jetoj në një dhomë tre me katër. Kallabllëk, pa ujë, pa banjë, pa kushte"- thotë Selver Jashari, 25 vjeç, baba I dy femijëve.

29 familje në fshatrat Bostan dhe Llabjan jetojnë në kushte të vështira banimi. Por tani komuna ka zgjidhje, thotë kryetari i komunës së Novobërdës, Bajrush Ymeri: "Kërkesa jonë gëzon mirëkuptimin e qeverisë, kështu që qeveria e Kosovës ka ndarë mjetet për ndërtimin e 29 shtëpive. Në fshatin Bostan do të jenë 13 shtëpi për famile rome, 8 për familje shqiptare dhe 8 për familje serbe. Që do të thotë se 77 banorëve të fshatit Bostan, nga gjithsej 263 banorë, do t´u regullohet çëshjta e banimit"- shpjegon kryetari Ymeri.

Njeri përfituesit e fshatit Bostan, do të jetë edhe serbi 70 vjecar, Velibor trajkovic: "Unë dua të falenderoj së pari komunën që më ka propozuar, por edhe qeverinë e Kosovës e cila ka ndarë buxhetin. Sepse, nuk është pak që vetëm në territorin e komunës sonë të ndërtohen 29 shtepi. Dhe une jam shumë mirënjohës sepse kjo shtëpi do të jetë një lehtësim I madh në jetën time".

Ramiz Jashari 29 vjecar është baba I pesë fëmijëve: "Vallahi mos pyet! Vec ishalla na bahet qekjo shpi, se me fmi në një dhomë, pa banjo pa kurrgja!"

Përfaqësuesi Naser Jashari drejtohet me lutjen për shpejtimin e punimeve para se të fillojë moti I ftohtë: "Se ka familje që i kanë shtëpite e vjetra dhe ato shtëpi duhet të prishen. E tash,edhe nëse rrinë jashtë për pak kohë, moti është i nxehtë" - thotë ai.

Projektin multietnik për ndërtimin e 29 shtëpive për shqiptarët, serbët dhe romët e Novobërdës do ta financojë qeveria e Kosovës. Projekti prej 500.000 euro do të udhëhiqet nga Ministria e Shërbimeve Publike, 465.542 euro do të mbulohen nga qeveria e Kosovës, 74.809 euro nga qeveria norvegjeze dhe 3.000 euro nga Kuvendi Komunal i Novobërdës.

Autore: Ajete Beqiraj

Redaktoi: Sonila Harasani