1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Projektrezolutë e re e parlamentit serb për dënimin e krimeve ndaj serbëve

3 Prill 2010

Kryetarja e Parlamentit të Serbisë, Sllavica Gjukiq-Dejanoviq u ka shpërndarë përfaqësuesve të partive në kuvend një projektrezolutë me të cilën dënohen krimet kundër të gjithë shtetasve serbë.

https://p.dw.com/p/MmXA
Seancë parlamentare në Parlamentin serb, BeogradFotografi: picture-alliance/ dpa

Konsultimet e para mbi projektrezolutën u mbajtën ditën e enjte (01.04), ndërsa para nxjerrjes së dokumentit në Parlamentin serb është parashikuar të mbahet edhe një takim, pas festave të Pashkëve. Projektrezoluta e paraqitur prej partive në pushtet ndër të tjera parashikon: dënimin e të gjitha krimeve kundër serbëve në Kroaci, Bosnje - Hercegovinë, Kosovë si dhe krimeve të bëra gjatë bombardimeve të NATO-s, mbështetjen e hetimeve të institucioneve të Serbisë kundër personave që kanë bërë krime kundër serbëve, mbështetjen e bashkëpunimin me vendet e rajonit dhe institucionet ndërkombëtare në hetimet dhe përndjekjen e të dyshuarve për krime kundër serbëve gjatë shekullit XX, si dhe mbështetjen e ekspertëve juridikë të Serbisë në procesin para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë kundër Kroacisë.

Karadzic vor Gericht
Pamje nga salla e gjyqit të Tribunalit të HagësFotografi: AP

Argumentat e partive në pushtet

Shefja e deputetëve të koalicionit në pushtet, Nada Kolunxhija tha se, parlamenti i Serbisë me denimin e krimeve në Srebrenicë dhe atyre kundër popullit serb, dëshiron që të pozicionohet ndaj të së kaluarës, krimeve dhe të shprehë gatishmërinë për përndjekjen, arrestimin dhe nxjerrjen para drejtësisë të të gjithë të akuzuarve për krime lufte.

Serbien Land und Leute Slavija Platz Straße in Belgrad
Pamje nga BeogradiFotografi: Petar Labrador

Opozita e pakënaqur

Përfaqësuesit e opozitës nuk ishin të kënaqur me këtë propozim. Ish-ministri në qeverinë e Vojisllav Koshtunicës dhe kryetari i partisë Serbia e Re, Velimir Iliq, është larguar nga takimi me shpjegimin se "në këtë dokument nuk thuhet se ku janë bërë krimet kundër serbëve, se çfarë duhet bërë me ata që kanë bërë krime, nuk thuhet se a duhet bërë presion ndaj bashkësisë ndërkombëtare që vendet ku janë bërë krime kundër serbëve t'ua kthejnë atyre pasuritë e mbetura atje dhe të mundësojnë nxjerrjen para drejtësisë të personave të cilët në Serbi akuzohen për krime, si Agim Çeku, Ramush Haradinaj, Naser Oriq dhe të tjerë".

Shefi i deputetëve të Partisë Demokratike Serbe të Koshtunicës, Millosh Aligrudiq edhe një herë akuzoi partitë në pushtet për "papërgjegjësi, mungesë morali dhe punë kundër interesave të popullit dhe shtetit serb", për shkak të miratimit të rezolutës për Srebrenicën. Ai tha se partia e tij nuk ka dashur të marrë pjesë në konsultimet e para për denimin e krimeve kundër serbëve, me shpjegimin se "është e paturpshme dhe jomorale t'i ndash viktimat e pafajshme".

Jovanoviq: Të kumtohet e vërteta për luftën e serbëve

Shefi i liberalëve, Çedomir Jovanoviq ishte i mendimit se parlamenti serb ka një shans të jashtëzakonshëm që me deklaratën për dënimin e krimeve kundër serbëve të kumtojë edhe të vërtetën për shkaqet e viktimizimit të popullit serb dhe të kumtojë se kush mbanë përgjegjësinë për futjen e tyre në luftë. "Do të donim që kjo rezolutë të jetë më e ndryshme se dhjetëra të tjerave që janë miratuar në këtë parlament dhe të cilat gati gjithmonë ishin vetëm alibi për mungesë gatishmërie që të merret përgjegjësia për humbjet e popullit serb, krimet tragjike të popullit tonë dhe të gjithë shtetasve të këtij vendi, të cilëve u kemi shkatërruar jetën", theksoi Jovanoviq.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Lindita Arapi