1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Prokuroria kërkon t'i hiqet imuniteti Mediut

Arben Muka, Tiranë26 Prill 2008

Kërkesa për t'i hequr ish-ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu imunitetin e deputetit lidhet me tragjedinë e Gërdecit.

https://p.dw.com/p/Dp3n
Shtëpi e shkatërruar në GërdecFotografi: DW / Pandeli Pani


Prokuroria e Republikës ka dorëzuar të enjten pasdite një kërkesë për parlamentin ku kërkohet heqja e imunitetit për deputetin e partisw republikane, Fatmir Mediu, ish ministër i mbrojtjes deri para afër njw muaji.

Sipas argumetimit që kanë bërë hetuesit mbështetur në aktet dhe dokumentet e administruara nga hetimet e deritanishme, „evidentohen mjaft indicje dhe të dhëna që përbëjnë dyshim të arsyeshëm se deputeti Fatmir Mediu ka kryer veprime dhe mosveprime me dashje në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës së tij, në cilësinë e Ministrit të Mbrojtjes, se ato kanë lidhje shkakësore me pasojat e ardhura nga ngjarja e ndodhur në Gërdec dhe se kanë sjellë përfitime të padrejta në favor të subjekteve private të interesuar dhe të përfshira në procesin e demontimit të municioneve në ish- repartin ushtarak Gërdec“.


Gjithnjë sipas argumentimit që kanë bërë prokrurorët indicjet, të dhënat dhe provat lidhur me veprimet dhe mosveprimet në kundërshtim me ligjin, përbëjnë

mospërmbushje të rregullt të detyrës të kryera nga ish- ministri i Mbrojtjes“.

Gjatë një takimi me gazetarët në Tiranë kryeprokurorja e përgjithshme Ina Rama ka renditur mbi 20 shkelje ligjore të Mediut, nëpërmjet të cilave „ka favorizuar haptazi kompanitë private SAC-Albademil, duke u garantuar atyre fitim maksimal si dhe ka shpërfilluar rregullat e sigurisë, mungesa e të cilave solli katastrofën me pasoja të rënda“.


Gjithashtu urdhrat e kundraligjshëm të Mediut, sipas hetuesve, caktuan Gërdecin për ngritjen e fabrikës, detyruan Forcat e Armatosura të transportonin municionin drejt Gërdecit, duke humbur mbi 500 mijë dollarë nga ky proces si dhe ricikluan një kontratë të dytë në dhjetor 2007, këtë herë me municionet e kalibrit të rëndë, që tre muaj më vonë do të hidhnin në erë gjithë sigurinë e vendit.


Pasi ka argumentuar të gjitha akuzat kryeprokurorja shprehu bindjen se ato krijojnë bazën e mjaftueshme ligjore për të ushtruar ndjekje penale ndaj deputetit Fatmir Mediu. „Për këto arsye, në mbështetje të nenin 73, pika 2 të Kushtetutës dhe të nenit 288 të Kodit të Procedurës Penale, kërkojmë dhënien e autorizimit për proceduar penalisht ndaj z. Fatmir Mediu, deputet i Kuvendit të Shqipërisë“.

Në shpërthimet e datës 15 mars 2008 në ish repartin ushtarak të Gërdecit humbën jetën 26 persona, u plagosjen e rëndë të 11, u plagosjen e lehtë të 31 dhe dëmtime të natyrës më të lehtë patën 260 të tjerë, pa përmendur këtu lëndimin e shëndetit mendor dhe emocional të një numri të konsiderushëm personash të tjerë.


Në Qarkun e Tiranës dhe të Durrësit, sipas evidencave të Prokurorisë së Republikës janë dëmtuar 5413banesa dhe objekte private, 32 biznese private dhe 34 ferma bujqësore.