1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Prononcimi i kancelares: Shok prej masakrës në Berlin

20 Dhjetor 2016

Dymbëdhjetë vetë gjetën vdekjen dhe 49 të tjerë u plagosën, kur një kamion depërtoi në masën e njerëzve. Kancelarja Angela Merkel u quajti këtë "një akt mizor dhe të pakuptueshëm".

https://p.dw.com/p/2Uant
Deutschland Merkel Statement zum Anschlag in Berlin
Fotografi: Reuters/H. Hanschke

"Në rrethanat aktuale mund të mendojmë se kemi të bëjmë me një sulm terrorist", tha Merkel në Berlin. "Kjo është një ditë shumë e rëndë për Gjermaninë." Merkel tha në një prononcim, se ajo në këto çaste mendon në radhë të parë për të vdekurit dhe të plagosurit. Një vend i tërë është i bashkuar në hidhërim. "Unë jam me mendime edhe tek forcat e shpëtimit, policët, zjarrëfikësit, mjekët e kujdestarët." Ajo i falendëroi ata "nga zemra për angazhimin e tyre të vështirë."

Kancelarja tha, se ka besim të madh tek hetuesit, që po punojnë për ta zbardhur këtë akt. Sipas saj ky është një akt "mizor dhe i pakuptueshëm", që më ka shokuar. Ky akt do të ndëshkohet, "aq rreptë sa e kërkojnë ligjet tona".

Merkel theksoi: "Ne nuk duam të jetojmë me mendimin, se frika nga e keqja na paralizon." Ne nuk do të heqim dorë nga tregjet e Krishtlindjeve.