1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Propozim i diskutueshëm për reformë - Rreth projektrezolutës së katër kandidatëve për antarësim në Këshillin e Sigurimit

Klaus Dahman18 Maj 2005

Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Anan, detajet për zgjerimin e Këshillit të Sigurimit nuk duhet të vendosen në seancën e zgjeruar të Asamblesë së përgjithshme të OKB-së për reformën në shtator. Kjo pasi debati për shtimin e antarëve me vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit dhe për kandidatët e mundshëm me të drejtë vote kërcënon të përçajë bashkësinë ndërkombëtare dhe rezikon edhe hapat e mëtejshëm të reformës. Në këtë mënyrë disa antarë duan që të vendosin qartësi qysh në periudhën e pushimeve të verës.

https://p.dw.com/p/ArPE
Kuartieri qendror i OKB-së në Nju Jork
Kuartieri qendror i OKB-së në Nju JorkFotografi: dpa

- Ai vend që derdh më shumë kuotizacion në arkën e OKB-së duhet të bashkëvendosë edhe në Këshillin e Sigurimit për përdorimin e këtyre parave, ky është argumentimi i Japonisë dhe i Gjermanisë, si vendi i dytë dhe i tretë në listën e vendeve që shlyejnë kuotizacionet më të mëdha në këtë organizatë dhe që kërkojnë vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit. Bashkë me dy pretendentët e tjerë Brazilin dhe Indinë këto vende janë duke i shfrytëzuar të gjitha mundësitë diplomatike në OKB në Nju Jork. -

Periudha deri në fund të korrikut është mjaft e shkurtër, këtë e di mirë edhe Gunter Pleuger, përfaqësuesi i lartë i Gjermanisë në OKB. Përpara një jave ai bashkë me ambasadorët e Japonisë, Brazilit dhe Indisë vendosi se si mund të arrijnë shumicën e nevojshme për aprovimin e planeve të tyre në Asamblenë e Përgjithshme. Hapi i parë në këtë drejtim është një rezolutë, nëpërmjet së cilës përcaktohen të dhënat bazë. Kjo do të thotë: se me sa vende të reja antare me vend të përhershëm duhet të zgjerohet Këshilli i Sigurimit, si do të shpërndahen këto mandate në aspektin rajonal dhe në ç´mënyrë duhen zgjedhur antarët e përhershëm.

Projektrezolutën e tyre katër ambasadorët e prezantuan në qarqe të ngushta ditën e hënë. Për këtë ata ftuan përfaqësuesit e të gjitha vendeve që anojnë nga ky version, këto janë gati 70 shtete kryesisht nga Afrika dhe Evropa Lindore. Pas takimit në selinë gjermane në Nju Jork Gunter Pleuger u shpreh optimist: "Raundi i parë i diskutimit për rezolutën që prezantuam ne ishte mjaft pozitiv. Gjatë ditëve dhe javëve të ardhëshme ne do të bashkëpunojmë më ngushtë me këtë grup, por njëkohësisht do të përpiqemi edhe me të gjitha delegacionet e tjera që të mbledhim numrin e nevojshëm të votave për këtë rezolutë."

E domosdoshme është shumica e dy të tretave nga 191 vota gjithsej në Asamblenë e Përgjithshme, gjë që presupozon punë intensive bindëse. Konkretisht grupi i katër vendeve kërkon gjashtë vende të reja të përhershme në Këshillin e Sigurimit: dy për Azinë, dy për Afrikën, një për Amerikën Latine dhe një për Evropën Perëndimore. Në këtë mënyrë të përgjithshme është formuluar aktualisht projektrezoluta, ndonëse është e qartë, se Gjermania, Japonia, Brtazili dhe India i pretendojnë për vete këto gjashtë vende. Por për këtë do të vendoset në raundin e dytë, vuri në dukje ambasadori i Indisë Niruoam Sen: "Ne propozojmë, që Asambleja e Përgjithshme të ketë liri të plotë për të vendosur në mënyrë demokratike për çdo antar të ri në veçanti."

Këto gjashtë antarë të rinj të përhershëm duhet të kenë edhe të drejtën e vetos - ose siç është formuluar në projektrezolutë: "ato duhet të kenë të njëjtat përgjegjësi dhe detyrime" si edhe pesë antarët e përhershëm të këtij forumi. Në sfondin e rezistencës masive katër shtetet në projektrezolutën e tyre lënë të kuptohet, se nuk duan të insistojnë tek kërkesa për të drejtën e vetos. Ambasadori brazilian Ronaldo Mot Sardenberg theksoi:
"Për ne është e rëndësishme tani që të aprovohet rezoluta. Çështja e së drejtës së vetos nuk duhet të jetë pengesë në këtë drejtim, ajo nuk ka përse të cënojë shanset për miratimin e rezolutës. Ky nuk është plani ynë tani për tani."

Qëllimi që ndjek grupi i katërshes në këtë çështje është krejt tjetër: e drejta e vetos të debatohet me pesë antarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit. Ambasadori Gunter Pleuger tërheq vëmendjen: "Nëse kjo nuk mund të ndryshohet nga pikëpamja ligjore, së paku duhet që ajo të reformohet në mënyrë të tillë që të gjejë përdorim dhe që të jetë një e drejtë me e pranushme. P.sh. në rast se diskutohet për një rezolutë që synon të ndalojë genocidin, atëherë nuk ka përse të ushtrohet e drejta e vetos."

Krahas gjashtë vendeve të reja me antarësi të përhershme në Këshillin e Sigurimit duhet të shtohen edhe katër antarë jo të përhershëm, pra një më shumë se deri tani. Sekretari i Përgjithshëm Kofi Anan do ta kufizojë numrin e përgjithshëm të antarëve të Këshillit të Sigurimit në 24. Gjermania, Japonia, Brazili dhe India u kanë bërë në këtë drejtim një lëshim evropiano-lindorëve, të cilët në rast të kundërt mund të kishin mbetur me duar bosh nga procesi i zgjerimit.

Megjithatë rezistenca kundër grupit të katërshes është e fortë. Më së shumti e ngre zërin i ashtuquajturi "klubi i kafesë" me në krye Pakistanin, Italinë dhe Meksikën. Në vitet 70 ky grup pati sukses me bllokadën e vet kur për herë të parë komisioni i OKB-së u konsultua për nëntë antarë të rinj.

Një rezistencë më të madhe këto katër vende aspirante do të hasin nga vetë pesë antarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit, kryesisht nga SHBA, Rusia dhe Kina. Këto vende ndonëse tani për tani janë të rezervuar duke mos dalë me deklarata të qarta zyrtare, pozicionet bazë të tyre janë të njohura: p.sh. Uashingtoni do ta mbajë sa më të kufizuar që të jetë e mundur raundin e zgjerimit të Këshillit të Sigurimit. Japonia ka kundërshtare Kinën, gjë që kërkon një punë mjaft të vështirë bindëse nga qeveria në Tokio, aq më shumë tani që marrëdhëniet midis dy vendeve janë të tensionuara. E pra është e dyshimtë nëse pokeri diplomatik do të mbyllet faktikisht deri në fund të korrikut. Gjithashtu e pasigurtë është nëse në Asamblenë e Përgjithshme në shtator do të mund të merret një vendim udhërrëfyes për reformimin e Këshillit të Sigurimit.