1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Propozime konkrete apo vetëm finte elektorale - Kancelari dhe krerët e opozitës këmbejnë letra

Wolter von Thiesenhausen3 Mars 2005

Papunësia në Gjermani ka arritur shifra tepër të larta, 5,2 milionë. Për këtë shkak opozita i ofroi qeverisë bashkëpunimin e saj për krijimin e një pakti për punësimin. A ka perspektivë kjo ofertë?

https://p.dw.com/p/Ar4P
Kancelari gjerman në pikë të hallit
Kancelari gjerman në pikë të hallitFotografi: AP

Pa u tharë mirë gjurmët e betejave verbale, opozita dhe partitë në pushtet filluan të kuvendojnë sërish me njëra-tjetrën. Shifra katastrofale prej mbi 5 milionë të papanë dhe shtimi i varfërisë në Gjermani nuk mund t'i lënë më politikanët që të rrinë me duar në brez. Në rast se qytetarët, do të arrinin në përfundimin se politikanët, pavarësisht se cilës partie i takojnë, nuk dinë më se ç'të bëjnë, kjo do të kishte pasoja fatale për klimën politike dhe shoqërore në vend.

Megjithatë duket se jo të gjithë politikanët e kanë kuptuar se ndërkohë kohët kanë ndryshuar dhe po luhet një lojë e re. Në radhët e koalicionit qeveritar mes social-demokratëve dhe ekologjistëve ka ende politikanë që vazhdojnë t'u bien trompetave për sulm të përgjithshëm ndaj opozitës demokristiane, ndërkohë që krerët e opozitës po këmbejnë letra me kancelarin. Po edhe këta politikanë me siguri që së shpejti do ta kthejnë pllakën, sepse ajo që përbuzin më tepër qytetarët gjermanë janë ata që nuk u përgjigjen thirrjeve për të ndërmarrë bashkarisht diçka. Dhe është pikërisht frika e refuzimit të elektoratit, e cila e çon politikën përpara.

Sipas përfytyrimeve të opozitës edhe tani duhet që bashkarisht të ndërmerren hapat që do të çojnë në ndryshime të thella, sikurse u bë kjo vitin e kaluar me reformën e sistemit social dhe të tregut të punës. Në letrat për kancelarin përfaqësuesit e opozitës kanë hedhur të njëjat ide që kishin paraqitur para një gjysmë viti. Edhe pse kancelari ishte i hapur për t'i përqafuar këto ide, ai u detyrua asokohe që t'i refuzonte ato nisur prej rezistencës me të cilën do të ndeshte në radhët e partisë së tij.

Në pozicionin e socialdemokratëve nuk ka ndryshuar ende asgjë. Çdo zbutje të ligjeve për tarifat e pagesave socialdemokratët e konsiderojnë si sulm ndaj autonomisë së këtyre tarifave. Ulja e shpenzimeve për rrogat dhe zgjatja e orarit të punës ndeshin në një rezistencë energjike. Thirrjet për çburokratizim tingëllojnë në veshët e partive të koalicionit qeveritar si thirrje për më pak siguri për vendin e punës, për më pak mbrojtje ambienti dhe për pakësimin e ndihmave për femrat e punësuara.

Në rast se vërtet do të arrihet që të zhvillohen bisedime mes opozitës dhe qeverisë suksesi i këtyre bisedimeve do të varet në mënyrë thelbësore se deri në ç'masë do të jenë të gatshëm për kompromis demokristianët. Kështu p.sh. në rast se do të shkurtoheshin subvensionet shtetërore për ata që ndërtojnë shtëpi apo blejnë banesa, atëhere këto mjete do të mund të përdoreshin për subvensionimin e shkencës dhe zgjerimin e sistemit shkollor. Demokristianët e landeve jugore gjermane nuk ka qenë deri tani dakord me hapa të tillë. Në rast se ata nuk pranojnë komprimise të tilla, atëhere idetë e hedhura prej kryesisë së këtyre partive për të bashkëpunuar me qeverinë, do të damkosen si një finte elektorale, sikurse mendojnë jo pak socialdemokratë dhe ekologjistë.