1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Protestë paqësore e opozitës në Tiranë - BE: politika nuk duhet bërë në sheshe

19 Shkurt 2011

Zhvillimi paqësor i protestës është një shenjë e mirë se mesazhet e BE dhe të faktorit ndërkombëtar nuk ranë në vesh të shurdhët. Por nuk po ndodh kështu me kërkesën tjetër të PE dhe BE:politika të mos bëhet në sheshe.

https://p.dw.com/p/10KOS
Mijëra protestuan paqësisht duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë Berisha.
Mijëra protestuan paqësisht duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë Berisha.Fotografi: DW/A.Ruci

Demonstrata antiqeveritare e opozitës dhe e mbështetësve të saj mbrëmë në Tiranë u zhvillua në mënyrë paqësore dhe përfundoi pa asnjë incident. Të grumbulluar para kryeministrisë protestuesit kërkuam largimin e kryeministrit Berisha dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Edi Rama albanischer Politiker und Künstler
Rama: Demonstratat do të vazhdojnë deri në plotësimin e kërkesave të opozitës.Fotografi: DW/A.Ruci

Lideri i opozitës, Edi Rama tha mbrëmë se demonstratat do të vazhdojnë deri në plotësimin e kërkesave të demonstruesve.

Disa mijëra mbështetës të opozitës kërkuan mbrëmë në mënyrë paqësore dorëheqjen e qeverisë, pothuajse katër javë pas vrasjes së 4 protestuesve, kur demonstrata antiqeveritare e 21 janarit u bë e dhunshnme.

Forca të shumta policore ruajtën ndërtesën e kryemnistrisë, para të cilës dhjetëra protestues dhe policë u plagosën në demonstratën e 21 janarit. Por demonstrata e mbrëmshme përfundoi në mënyrë paqësore dhe pjesëmarrësit u shpërndanë pas përfundimit të fjalimit të liderit të opozitës.

Nuk pati fjalime të krerëve të partive opozitare aleate me PS. Në vend të tyre morën fjalën të afërm dhe familjarë të 4 demonstruesve të vrarë, portretet e të cilëve ishin në sfond të podiumi ku mbaheshin fjalimet. Në fjalën e tij lideri i opozitës vuri në dukje se opozita ishte në demonstratë “për t'i dhënë fund padrejtësisë dhe për t'i dhënë Shqipërisë një qeverisje të ndershme".

Z. Rama tha se opozita nuk dëshëron të vijë në pushtet me anë të demonstratave por “do t'i vazhdojë ato për të dëbuar qeverinë Berisha nga pushteti”.

Kryeministri Berisha ka refuzuar të japë dorëheqjen dhe e ka akuzuar opozitën si organizatore të një puçi. Mbështetësit e tij dhe të PD pritet të dalin nesër në një manifestim të shoqëruar me një koncert, për të festuar 20 vjetorin e rënies së monumentit të diktatorit komunist Enver Hoxha.

Mesazhet e ndërkombëtarëve

Zhvillimi paqësor i protestës së mbrëmshme është një shenjë e mirë se mesazhet e BE dhe të faktorit ndërkombëtar në përgjithësi nuk ranë në vesh të shurdhët. Por nuk po ndodh kështu me kërkesën tjetër të PE dhe BE: politika të mos bëhet në sheshe por në institucione, në Parlament.

Politologu Ermal Hasimja mendon se politika e rrugës nga të dyja palët shmang debate për çështje të rëndësishme.

Politologu Ermal Hasimja.
Politologu Ermal Hasimja.Fotografi: DW

“Janë shmangur debatet e mëdha për reformat, për ligjet që duhen miratuar dhe për të cilat Shqipëria ka shumë nevojë. Dëgjojmë gjithë kohës akuza dhe kundërakuza të përsëritura. Ajo për të cilin ka nevojë ky vend, politika që merret me njerëzit dhe hallet e tyre, nuk po gjen vend.”

Parlamenti dhe Komisioni Europian u bënë thirrje në fillim të kësaj jave liderit të opozitës Rama dhe kryemnistrit Berisha, të gjejnë një zgjidhje politike të krizës dhe të mos sakrifikojnë të ardhmen europiane të Shqipërisë, për hir të interesave të tyre personale.

Autore: Ani Ruci / Tiranë

Redaktoi: Eliana Xhani