1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Protesta e Serbisë në OKB - Beogradi konteston pavarësinë e Kosovës

Fabian Schmidt22 Shtator 2008

Serbia kërkon që OKB-ja të pranojë, se pavarësia e Kosovës nuk është legjitime. Në Asamblenë e 63-të të Përgjithshme të OKB-së do të shqyrtohet rezoluta e Serbisë për kalimin e çështjes në Gjykatën Ndërkombëtare.

https://p.dw.com/p/FN64
Nga sesioni i 61-të i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-sëFotografi: AP

Për të ngarkuar Gjykatën Ndërkombëtare të shqyrtojë legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës, Serbisë i duhet mbështetja nga një shumicë e thjeshtë e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Mëgjithatë profesori i së drejtës ndërkombëtare pranë Universitetit Humboldt në Berlin, Kristjan Tomushat (Christian Temuschat) është skeptik, që Beogradi do ta kalojë këtë pengesë: "Unë mendoj, se nuk ka shumë vende që të jenë të interesuara për ta kaluar çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare. Unë mendoj gjithashtu, që rusët për shkak të problemit me Gjeorgjinë nuk kanë interes, që një çështje e tillë të sqarohet nga ana gjyqësore."


Por edhe nëse nisma e Beogradit do të dështojë duke mos siguruar shumicën e thjeshtë të nevojshme, sipas ekspertit për Ballkanin nga Mynihu Franc-Lotar Altman (Franz Lothar Altmann) qeveria e Beogradit s´ka për të humbur gjë: "Për Serbinë kjo është një situatë që ajo vetëm mund të fitojë. Serbia në politikën e brendëshme mund të thotë: `Ne i bëmë të gjitha përpjekjet e mundshme, por është e qartë, që shtetet, që e kanë njohur Kosovën nuk do ta tërheqin më vendimin e tyre`. Pra për Serbinë sido që të jetë rezultati nuk do të ketë ndonjë efekt negativ."


Në rast se Gjykata Ndërkombëtare merr mandatin të japë vlerësimin e saj, profesor Tomushat, parashikon që ajo do ta pranojë atë. Asnjëherë deri tani kjo gjykatë nuk ka refuzuar të japë ekpsertizën e saj, madje edhe për raste politike mjaft delikate: "Një rast që mund të përmendet është kur Asambleja e Përgjithshme donte të dinte diçka për ndërtimin e murit ndarës në Palestinë. Shumë shtete i kërkuan Gjykatës Ndërkombëtare që ta refuzojë ekspertizën. Gjykata Ndërkombëtare nuk e bëri këtë, ajo mund ta refuzojë kërkesën vetëm bazuar në arësye shumë të forta."


Megjithatë është e paqartë, se ç´vendim mund të marrë gjykata. Kjo varet në radhë të parë prej mënyrës se si parashtrohet kërkesa. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së fillimisht duhet ta formulojë kërkesën në komisionin juridik: "Në këtë komision do të ketë një luftë të madhe. Shpesh herë në raste të tilla përjashtohen pikat kritike. Si rjedhojë gjykata nuk ka mundësi që të shprehet mbi çështjen konkrete."


Në rast se Asambleja e Përgjithshme shtron çështjen e legjitimitetit të shkëputjes së Kosovës, Gjykata Ndërkombëtare lidhur me këtë mund të shprehet: "Nuk ka çështje ligjore, që të qëndrojë jashtë juridiksionit të saj. Gjykata mund të shprehet mbi të gjitha çështjet juridike, por natyrisht që ajo nuk mund të përgjigjet për çështjet politike."


Sidoqoftë Gjykata Ndërkombëtare apo OKB-ja nuk mund të vendosin, nëse një shtet është sovran ose jo. Eksperti për Ballkanin, Altman thekson: "Njohja mund të arrihet vetëm përmes shteteve të veçanta- Por Asambleja e Përgjithshme mund të vendosë, nëse një shtet do të pranohet si antar i organizatës. Gjykata vendos vetëm mbi çështje të kontestueshme që cënojnë të drejtën ndërkombëtare. Në rastin e njohjes së pavarësisë nuk ka një mendim unik, nëse shkëputja është e drejtë ose jo."


Relevante është pyetja, nëse paprekshmëria e kufijve është absolute, apo nëse ajo zhvleftësohet për shkak të shkeljeve të rënda të të drejtavetë njeriut. Për këtë arësye eksperti për Ballkanin Altman konsideron, se rasti i Kosovës nuk mund të krahasohet me Gjeorgjinë: "Në Kosovë për vite me radhë janë bërë përpjekje për të rivendosur bashkëjetesën midis grupeve të ndryshme të popullsisë. Janë bërë përpjekje për të organizuar kthimin e refugjatëve. Qevrisë i është kërkuar, që të përmbushë standardet e të drejtave të pakicave dhe të drejtave të njeriut. Të gjitha këto nuk kanë ndodhur në Osetinë Jugore dhe në Abkazi."


Megjithatë Altman parashikon, që Kosova dhe Gjeorgjia do të përmenden në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në të njëjtin kontekst: "Kjo vetëm për faktin, që Rusia vazhdimisht luan rolin e mbrojtëses së paprekshmërisë së kufijve, të moslejimit të shkëtpujes dhe të mbrojtjesës së të drejtës ndërkombëtare. Tani papritur ajo po bën pikërisht të kundërtën, nga çka kërkuar vazhdimisht. Me këtë ajo si një ndër përkrahëset e pozicionit të Serbisë e ka humbur tashmë kredibilitetin. Edhe Beogradi është i pasigurt lidhur me pozicionin e Rusisë."