1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Protestat e dhunshme e kanë katapultuar Serbinë drejt izolimit

Andrea Mühlberg22 Shkurt 2008

Kryeministri serb Kostunica shprehu në një njoftim për shtyp keqardhjen për ekseset, por bën përgjegjëse bashkësinë ndërkombëtare.

https://p.dw.com/p/DBqh
Demonstruesit në Beograd duke valëvitur flamuj serbë dhe rusë në shenjë proteste ndaj pavarësisë së Kosovës.Fotografi: picture-alliance/ dpa

Pas ekseseve kundër ambasadave të huaja në Beograd sot është kthyer sërish e përditshmja. Tribuna e mitingut të djeshëm është zhdukur përsëri. Vetëm copa xhamash, kazanë plehrash të djegur dhe dyqane të plaçkitura, jo vetëm perëndimore, dëshmojnë për ekseset.

Kosovo Polizisten vor der US-Botschaft in Belgrad
Policë serbë në ruajtje të ambasadës së SHBA-veFotografi: AP

Para ndërtesave të ambasadave në bulevardin e Knjaz Miloshit janë vendosur njësi speciale dhe shumë më tepër policë se në ditë e tjera. Por kjo shumëkujt i duket tepër e vonuar. Në momentin e duhur, kur u sulmuan ambasadat, policia nuk ishte prezente. Huliganët e kishin rrugën e lirë.

Prestigji ndërkombëtar i Serbisë është dëmtuar

Në komentin e tij të parë ministri i jashtëm Vuk Jeremic i mori në mbrojtje forcat e sigurisë."Policia ka reaguar shpejt, edhe pse ndoshta nuk është dukur kështu. Por po të marrësh parasysh njerëzit e panumërt në rrugë, nuk ka qenë e domosdoshme të siguroheshin vetëm ambasadat, por edhe i gjithë manifestimi me disa qindramijëra pjesëmarrës."

Në të njëjtën kohë politikani i kampit qeveritar properëndimor i dënoi ekseset. Ai deklaroi, se vandaluesit e pakët nuk përfaqësojnë ndjenjën kolektive të popullsisë serbe. Këtë e vertëtojnë edhe reagimet e qytetarëve të Beogradit në rrugë.

"E tmerrshme. Kjo është paradigma e asaj që na ndodh. Natyrisht që dëmton prestigjin tonë. Përse do të nga duartrokiste bota, për një gjë të cilën e dënojmë vetë këtu?"

I njohuri i tij flet për një sindromë të pashërueshme. "I jam lutur zotit, që i vdekuri në ambasadën amerikane të mos ishte qytetar amerikan. Sepse përndryshe ndoshta amerikanët do të na kishin bombarduar të pasnesërmen."

Brennende USA Flagge in Belgrad
Protestues duke djegur një flamur amerikanFotografi: AP

Edhe në gazetat serioze serbe dënohen pamjet e shëmtuara të ekseseve. "Kjo nuk është Serbia", titullohet një nga gazetat e mëdha. Një tjetër ankohet, që vetëm disa e kanë dëmtuar emrin e Serbisë, ndërsa qindramijëra kanë demonstruar në paqe kundër pavarësisë së Kosovës.

Serbien Kosovo Unabhängigkeit Erklärung Reaktionen Vojislav Kostunica
Vojislav KostunicaFotografi: AP

Kryeministri serb Kostunica shprehu në një njoftim për shtyp keqardhjen për ekseset e djeshme, por bën përgjegjëse bashkësinë ndërkombëtare. Mediat serbe citojnë sot nga protokolli i një mbledhjeje të kabinetit. Kryeministri me tendencë nacionaliste duhet të ketë thënë tekstualisht: "Këto njerëz, huliganë siç i quani ju, kanë reaguar vetëm ndaj shkeljes të së drejtës ndërkombëtare."

Kjo akuzë i bëhet tani vetë Serbisë. Këshilli i Sigurimit dënoi ashpër sulmet ndaj ambasadave të huaja dhe kujtoi Serbinë, se ambasadat janë të pacënueshme. Edhe SHBA-të akuzuan udhëheqjen serbe dhe kritikuan masat e këqia të sigurisë. Protestuesit nuk i bëjnë mirë popullsisë serbe, përkundrazi. Ata jo vetëm kanë hedhur hije mbi manifestimin paqësor, por e kanë katapultuar Serbinë pak më tej në izolim.