1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Protokolli i Kiotos i vitit 1997 mund të hyjë tani në fuqi

Regina Brinkmann16 Shkurt 2005

Akullnaja që shkrijnë, sa vjen e më shumë katastrofa prej thatësirës dhe përmbytjeve: këto janë pasojat e ndjeshme të ngrohjes së Tokës, mendojnë mbrojtësit e mjedisit. Arsyeja për këtë është çlirimi ende në rritje i dioksidit të karbonit. Emetimi i gazrave të tilla që shkaktojnë efektin serë synohet të pakësohet me anë të Protokollit të Kiotos.

https://p.dw.com/p/ArQV
Fotografi: AP

Marrëveshja u lidh më 1997 në konferencën botërore për klimën në Kioto të Japonisë pas bisedimesh të vështira. Në protokoll vendet e industrializuara zotohen që deri në vitin 2012 ta ulin me gjithsej 5 për qind krahasuar me nivelin e vitit 1990 sasinë e gazrave të çliruara që shkaktojnë efektin serë.

Gjermania pothuajse e ka përmbushur tashmë pjesën e saj në këtë zotim, sepse me fundin e Republikës Demokratike Gjermane shumë fabrika u mbyllën dhe si pasojë ndatoja e ajrit u reduktua.

Ulje të tjera synohet të shënohen me anë të të ashtuquajturës tregti të emetimeve. Në këtë kuadër sipërmarrjet industriale që vazhdojnë të ndotin ajrin duhet të sigurojnë "kontingjente ajri të pastër". Këto mund t'u blihen atyre sipërmarrjeve që i kanë kryer detyrat e shtëpisë në çështjen e mbrojtjes së mjedisit dhe çlirojnë më pak ndotje në ajër sesa lejohet.

Kjo është një mundësi që të drejtat e çlirimit të gazrave të kalojnë nga njëra dorë në tjetrën. Një tjetër mundësi është pjesëmarrja në projekte për ruajtjen e mjedisit në vendet në zhvillim.

Derisa qeveria gjermane e vlerëson Protokollin e Kiotos si një kthesë historike në politikën ndërkombëtare për klimën, ekspertët e mjedisit e konsiderojnë tepër të ulët pakësimin e parashikuar në marrëveshje.

Një tjetër mangësi. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndotëset numër një i ajrit në botë, nuk janë më pjesë e protokollit. Gjoja mbrojtja e klimës i kushton ekonomisë amerikane rreth 400 miliardë dollar dhe pothuajse 5 milionë vende pune. Kështu argumenton Shtëpia e Bardhë. Veç kësaj presidenti amerikan Bush kritikon faktin që marrëveshja detyron vetëm shtetet e industrializuara, por jo fuqi ekonomike në rritje si Kina ose India.

Edhe në Rusi sundonte për një kohë të gjatë rezervim në lidhje me temën e Protokollit të Kiotos. Vetëm tre muaj më parë e ratifikoi Duma, dhoma e ulët e parlamentit rus, dokumentin e Kiotos. Në këtë mënyrë numri i shteteve që duan ta zbatojnë marrëveshjen është rritur në 141. Me po-në nga Moska u arrit numri i nevojshëm 55 i vendeve të industrializuara, që prodhojnë rreth gjysmën e gazrave që shkaktojnë efektin serë dhe në këtë mënyrë shtatë vjet pas konferencës për klimën në Kioto protokolli mund të hyjë tani në fuqi.