1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

PS: Politikë të re, Shqipëria e re për ndryshimin

26 Qershor 2009

Lidhur me atë se çfarë ofron PS-ja dhe ka ecur fushata elektorale deri tani Vilma Filaj-Ballvora intervistoi kandidatin e PS-së, Ilir Beqja, nënsekretar i programit politik të PS-së.

https://p.dw.com/p/IbyG
Rrugë në Tiranë me postera elektoral.
Partia Socialiste program, Programi i Partisë socialiste program që sheh tek Shqipëria e ardhshme, bazuar në vlerat më të mira të së majtës evropiane.Fotografi: DW/ Ballvora

Deutsche Welle : Z. Beqja sllogani i elektoral i PS-së është një politikë e re, Shqipëria e re për ndryshimin. Cila është sipas Jush Shqipëria e re?


Ilir Beqja: Shqipëria e re është një Shqipëri, e cila kërkon të dalë nga tranzicioni 18 vjeçar, tranzicion që ka sjellë rritje të ekonomisë në Shqipëri, por jo deri aty, ku shqiptarët e meritojnë. Shqipëria e re është ajo që kërkon të dalë nga tranzicioni 18 vjeçar dhe që nuk po arrin të dalë dot. Është Shqipëria jo e përbaltjes së kundërshtarit politik, por e një politike që zhvillohet në të mirë të qytetarit të saj.

Deutsche Welle : A mund të veçoni të paktën tri pika kyçe që janë rinovuar në programin e PS-së, krahasuar me PS-në e fillimit të tranzicionit?


Ilir Beqja: Sigurisht që programi ynë i ri është një program, që sheh tek Shqipëria e ardhshme bazuar në vlerat më të mira të së majtës evropiane. Sigurisht konsolidon ekonominë e lirë të tregut, por gjykojmë, që ne propozojmë një skemë të re të zhvillimit të industrive prodhuese, të cilat do t' i japin një rritje të fortë dhe të qëndrueshme ekonomike vendit, krijim të vendeve të punës, që nuk kemi prej 10 vjetësh, një politikë të re shumë aktive për fshatin dhe gjithashtu elementë thelbësorë në shëndetësi si dhe elementë të tjerë të kohezionit social.


Deutsche Welle: Cilat grupe të elektoratit mendoni se mund të tërheqë më shumë Partia Socialiste në këto momente?

Ilir Beqja: Qysh në fillim kemi gjykuar, se përveç elektoratit tonë tradicional t'i drejtohemi edhe elektoratit përtej së majtës e së djathtës, e sidomos elektoratit që prej vitesh nuk merr pjesë në votime, sepse është i mërzitur nga politika e vjetër e 18 viteve. Prandaj duam të zgjerojmë mbështetejen tek këto kategori si edhe tek ata që votojnë pë rherë të parë.

Deutsche Welle : Në kampin e së mjatës ka fragmentarizim, a shkakton kjo edhe rrjedhje të elektoratit të PS-së?


Ilir Beqja: Edhe pse e majta është e pozicionuar në dy koalicione, sistemi i ri elektoral bën që votat e gjithë elektoratit të majtë të jenë fillimisht pjesë e koalicioneve dhe pastaj pas zgjedhjeve dhe rezultateve do të shihet se çfarë do të bëhet më tej.

Deutsche Welle : Z. Beqja, mendoni, se me këtë fushatë zgjedhjesh, prej të cilave pritet të dëshmojnë pjekurinë e elektoratit shqiptar dhe të klasës politike gjithashtu, është arritur diçka? A ka dallim kjo nga fushatat e mëparshme?



Ilir Beqja: Do të shohim se cili do të jetë rezultati, për të parë edhe se çfarë është arritur. Ne jemi përpjekur gjatë gjithë kësaj periudhe, edhe para se të filojë fushata, që të bëjmë një opozitë konstruktive në të mirë të procesit politik në Shqipëri. Pala tjetër nuk është përgjigjur me të njëjtën gjuhë. Sidofqoftë gjykojmë, që standarti i zgjedhjeve është shumë i rëndësishëm për ecurinë e mëtejshme të Shqipërisë drejt integrimit.

Autor : Vilma Filaj - Ballvora

Redaktoi : Aida Cama