1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pse nuk kthehen në Kosovë të hollat e privatizimit?

10 Qershor 2010

Autoritetet kosovare nuk po mund t'i kthejnë ende në Kosovë afro gjysmë miliardë euro të siguruara nga privatimi i ndërmarrjeve shoqërore. Këto të holla janë investuar jashtë Kosovës.

https://p.dw.com/p/NmiN
Fotografi: DW-TV

Që nga fillimi i procesit të privatizimit menjëherë pas luftës, në Kosovë janë shitur qindra ndërmarrjeve shoqërore. Nga ky proces, janë grumbulluar afro gjysmë miliardi euro, por të gjitha të hollat janë investuar jashtë Kosovës me një interes shumë të vogël, afro 1,5 përqind. Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe ministria e Ekonomisë dhe Financave, kanë kërkuar nga Banka Qëndrore e Kosovës, që këto të holla t'i ktheje dhe t'i investojë në Kosovë.

Zyra civile ndërkombëtare e cila mbikqyr zbatimin e pakos së Marti Ahtisarit, nuk është shprehur kundër kthimit të këtyre të hollave në Kosovë, mirëpo ka thënë se investimi i tyre duhet të bëhet në mënyrë të sigurt.

Andrea Capusello, përgjegjës për ekonomi në zyrën civile ndërkombëtare, i tha DW-së se për tu investuar këto të holla në Kosovë ka disa rregulla të qarta. “Qëndrimi i ICR-së është përcaktuar në një letër përgjigje për ministrinë e Ekonomisë dhe Financave. Zyra civile ndërkombëtare ka sqaruar se ekzistojnë rregulla shumë precize të përcaktuara për mbrojtjen e këtyre fondeve, të cilat duhet të jenë në përputhje me investimet e tyre dhe është brenda kufizimeve të lejuara me këto rregulla që këto para, mund të investohen në Kosovë ose diku tjetër”, thotë Andrea Kapusello.

Sistemi bankar i Kosovës është i besueshëm

Njëra ndër rregullat për investimin e fondeve të privatizimit në Kosovë është siguria në investime. Për këtë cështje, Andra Capusello nga zyra civile ndërkombëtare thotë:"Përshtypja ime personale është se Banka Qendrore e Kosovës është mbikëqyrëse e mirë e sistemit bankar. Ne kemi parë që sistemi bankar i Kosovës ka mbetur jashtëzakonisht stabil gjatë gjithë periudhës më të keqe, të krizës ekonomike botërore. Kështu që mendoj se sistemi bankar i Kosovës dhe sistemi financiar i saj janë stabile dhe të besueshme”. Por sipas tij, që fondet e privatizimit të investohen në vend, Kosova duhet të ketë rangim në tregun financiar ndërkombëtar dhe meqenëse nuk e ka këtë, është e pamundur të bëhet matja e shkallës së përshtatshmërisë së investimeve në Kosovë kundrejt standardit të përcaktuar me këto rregulla.

Flash-Galerie Kosovo
Fotografi: picture alliance/dpa

Fondet e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore i menaxhon Banka Qëndrore e Kosovës, e cila i ka të investuar këto fonde jashtë vendit, pa u bërë e ditur se ku. Kryeguvernatori i Bankës Qëndrore, Hashim Rexhepi, i tha DW-së, se megjithatë ai mendon se kthimi i të hollave të privatizimit në Kosovë është një interes strategjik për vendin. “Çështja e kthimit të mjeteve të privatizimit paraqet një interes strategjik për zhvillimin e Kosovës, por për kthimin e tyre duhet një dialog gjithpërfshirës në mënyrë që të gjenden modalitetet. Kështu që Banka Qëndrore nuk mund të jetë pengesë eventuale nëse ekzistojnë vendimet e tilla që mjetet t`i kthej menjëherë”, thotë Hashim Rexhepi.

Institucionet financiare në Kosovë nuk i plotësojnë ende disa kritere

Zoti Rexhepi, thotë se Banka Qëndrore si mbikqyrëse e institucioneve financiare në Kosovë, garanton se ky sistem është i sigurt për investime, mirëpo ka edhe disa rregulla të tjera që praktikohen në sistemin bankar. “Ligji i përcakton disa kritere që institucionet financiare në Kosovë nuk i plotësojnë ende. Është fjala e reitingut të tyre kreditor nga agjencionet financiare ndërkombëtare, sikurse edhe reitingu i vendit”, thotë Hashim Rexhepi.

Ndërkohë Shpend Ahmeti, nga Instituti për zhvillime të avancuara, thotë për programin tonë se që nga paslufta një pasuri e madhe e Kosovës siç janë fondet e privatizimit dhe fondet pensionale, janë investuar jashtë Kosovës. Mirëpo, ai thotë se këto para nuk janë kapital për buxhetin e Kosovës në mënyrë që qeveria t'i menaxhojë. E vetmja mënyrë e investimit të tyre është në sistemin bankar të Kosovës por në anën tjetër sipas tij, bankat në Kosovë përdorin kamata shumë të larta. “Bankat në Kosovë po ashtu kanë mungesë të projekteve dhe e dyta është se nuk e kanë ndihmuar ekonominë kosovare”, thotë Shpend Ahmeti.

Propozimi Gjithëpërfshirës për Statusin dhe Ligji i Agjencisë kosovare të privatizimit, e theksojnë qartë që fondet e privatizimit duhet të investohen në mënyrë të sigurt, në instrumente të vlerësuara se janë të shkallës për investime nga agjencitë vlerësuese ndërkombëtare. Mbi këtë bazë, qëllimi se pse këto fonde mbesin jashtë Kosovës është që të ruhen interesat e përfituesve kryesorë, që janë kreditorët dhe pronarët e ndërmarrjeve shoqërore si dhe buxheti i Kosovës.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Aida Cama