1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Pse të jesh i përmbajtur në Kosovë sot më shumë është defekt , e më pak virtyt"?

Agim ZOGAJ25 Nëntor 2003
https://p.dw.com/p/As3z
Kështu pyet autori i editorialit të numrit të sotëm të "Kohës Ditore" për të nënvizuar në vijim se " Kosova ka hyrë në periudhën e pasluftës me një histori të përmbajtjës edhe në politkë edhe në shoqëri.
Paslufta, megjithatë, ka sjellë një çrregullim në sistemin e vlerave, që në shikim sipërfaqësor e nxjerr një pamje ku kosovarët e pasluftës dhe përmbajtja nuk duken si çift që shkojnë bashkë".
Ambiciet egoiste inidividuale, sipas autorit " të mbështjella me demagogji politike dhe kuazi - kombëtare, dekorojnë qytetet e Kosovës me rrokaqiej ilegalë dhe shtëpi private të ndërtuara nga të hollat publike dhe në tokat publike.
Lakmia për karrierë dhe status, për të qenë " dikush i madh", ka mbizotëruar në të gjitha sferat e jetës, ndërsa profesionistët, të përmbajturit pra, tash e gjejnë veten të shkelur nga amatorët". Dëshira e zjarrtë ndërsa, gjithnjë sipas "Kohës Ditore" " për të shkurtuar rrugën deri në majë, qoftë të bregut politik, qoftë atij të pasurisë, Kosovës i ka sjellë inflacion hajnash, gënjeshtarësh, arrogantësh, diletantësh. Përmbajtja sot i këshillohet vetëm xhematit, njeriut të rëndomtë, atij që duhet të paguajë faturën e jetesës në vendin më të shtrenjtë të Ballkanit.
Kështu, njeriu i rëndomt është i pari kur agjërohet, por që e ulin në skaj të tavolinës kur vjen Dita e Bajramit. Përmbajtja, pra, në Kosovën e këtij Fitër Bajramit, nuk është më virtyt, por është defekt, madje i madh.
Kohë e ligë për shumicën, njerëzit normalë, të përmbajtur", komenton ndër të tjera "Koha Ditore" për të theksuar në përmbyllje se " Të varfërit do të mbeten edhe më të varfër, të pasurit do të bëhen edhe më koprracë, liderët do të jenë edhe më të izoluar nga qytetarët, ndërsa pushteti edhe më i korruptuar sesa ishte më parë".
Ndrrojmë temë me gazetën "Bota Sot" e cila pasi fillimisht rikonstaton se " Pa privatizim nuk mund të ketë kapitalizëm dhe shtet ligjor të Kosovës" më tej shton se " Kosova, institucionet e saj janë tërësisht të interesuara që, sa më urgjentisht, të zhblokohet procesi i privatizimit në Kosovë dhe të mbyllet përfundimisht edhe hermetikisht çdo rrugë e rikthimit të së kaluarës në Kosovë, çdo mundësi e rikthimit të Kosovës në të kaluarën e saj. Institucionet ndërkombëtare duhet të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës konstruktivisht dhe të çliruara nga çdo dogmë e paragjykim në përkrahje të procesit sa më të përshpejtuar të privatizimit të ekonomisë së Kosovës" Gazeta konkludon se " Veçanërisht është koha vendimtare që Harri Holkeri, të tregojë lartësinë e personalitetit të tij dhe të japë dritën jeshile për zhbllokimin, një herë e përgjithmonë të procesit të privatizimit në Kosovë".