1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Publikohet raporti vjetor i "Human Rights Watch" - Pjesë nga kapitulli për Kosovën

Elert Ajazaj15 Janar 2009

Sistemi i dobët i drejtësisë penale në Kosovë pengon ndëshkimin e dhunës me motive etnike dhe të krimeve të tjera serioze.

https://p.dw.com/p/GZ0L
Logoja e organizatës "Human Rights Watch"

Në raportin për vitin 2009, të publikuar të mërkurën (14.01.09) në Uashington, Organizata për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut "Human Rights Watch" vëren: se shpallja e pavarësisë së Kosovës në muajin shkurt jo vetëm që dështoi në qartësimin e statusit juridik të saj, por ajo nuk solli as ndonjë përmirësim të dukshëm të kushteve të të drejtave të njeriut. Sipas saj, veprimtarët për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në përgjithësi punojnë pa u penguar nga autoritetet ndërkombëtare, apo nga qeveria e Kosovës.


Sistemi i dobët i drejtësisë penale i pengon përpjekjet për të luftuar mosndëshkimin e dhunës etnike dhe të krimeve të tjera serioze, thuhet në raport. Më tej theksohet se pakicat hasin dhunë të vazhdueshme dhe diskriminim. Të pakta ishin kthimet në shtëpi të të zhvendosurve prej luftës dhe të refugjatëve, pavarësisht rritjes së numrit të kthimeve me detyrim nga Evropa Perëndimore.


Pasiguria në lidhje me statusin e administratës së përkohshme të OKB-së në Kosovë, UNMIK, dhe të misioneve pasuese penguan efikasitetin e tyre, shkruhet më tej në raport.


Në pjesën e raportit për Serbinë thuhet se arrestimi i Radovan Karadzic-it dhe transferimi i tij në Tribunalin e OKB-së në Hagë ishte një sukses i rëndësishëm në bashkëpunimin e Serbisë me Tribunalin. Megjithatë, thuhet ndër të tjera në raport, në opinionin publik vazhdon të jetë e përhapur armiqësia kundrejt Tribunalit.

(VFB)