1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Publikohet regjistrimi i disa zërave të terroristëve të 11 shtatorit

Georg Shvarte14 Prill 2006

Fluturimi United 93 në atë mëngjes të 11 shtatorit 2001 u nis me vonesë në orën 8:47 minuta në Nju Jork, me synim aeroportin e San Franciskos. 41 minuta më vonë, qendra e drejtimit të fluturimit dëgjon në radio britma në kabinën e pilotit, pastaj heshtje. Atë që ndodhi atëherë në kabinën e pilotit të Boeingut 757 e dëgjoi për herë të parë juria në procesin terrorist kundër marokenit Zakarias Musaui.

https://p.dw.com/p/ArLq
11 shtator 2001
11 shtator 2001Fotografi: AP

Regjistrimi i zërave i të vetmit voice-recorder të ruajtur nga të katër avionët e rrëmbyer atë ditë fillon në orën 9:31 minuta.

Njëri nga rrëmbyesit thotë: "Zonja dhe zotërinj, ju flet kapiteni. Ne kemi një bombë në bord. Qendroni ulur." Në këtë kohë janë përplasur me World Trade Center dy avionë të tjerë të rrëmbyer. Një minutë më vonë dëgjohen komandat e katër rrëmbyesve:"Ulu, ulu. Qepe gojën. Mos lëviz, ulu." Dy minuta më vonë një lutje arabisht: "në emër të Allahut, të Mëshirëplotit"; pastaj komanda të tjera: "shtrihuni, poshtë, poshtë, poshtë." Dy minuta më vonë zëri i një anëtareje të ekipazhit: "Të lutem, mos më bëj gjë!" Një zë tjetër thërret tri herë: "Nuk dua të vdes!" Pastaj një luftë, një rënkim dhe njëri nga rrëmbyesit thotë:"Kjo qe e gjitha, gjithçka në rregull, i dhashë fund."

Në orën 09:40 sërish një deklaratë e rrëmbyesve:"Ju flet kapiteni, të gjithë të qendrojnë ulur, kemi një bombë në bord dhe do të kthehemi në aeroport."

Në kabinën e pilotit njëri nga rrëmbyesit çkyç autopilotin, dëgjohet një sinjal alarmi, debate të rrëmbyesve:"Këtë butonin e gjelbër këtu?" "Po, atë". United 93 shmanget nga kursi, humbet lartësi, drejtohet nga Uashingtoni. Pasagjerët u telefonojnë me celular centraleve të emergjencës, miqve, të afërmve, mësojnë për World Trade Center. Para kabinës së pilotit janë mbledhur pasagjerë, që përpiqen të thyejnë derën."Mbaje derën nga brenda", bërtet njëri nga rrëmbyesit. Në ekranet e radarëve avioni fillon të bëjë zikzake. "Poshtë dhe lart, drejtohe poshtë dhe lart", thërret njëri nga rrëmbyesit. Me sa duket ata duan që pasagjerët të mos qendrojnë dot në këmbë.

Ora 10, njëri nga rrëmbyesit pyet:" Kjo ishte e gjitha? T'i japim fund?" "Jo, akoma. Vetëm kur të kenë ardhur të gjithë". Një minutë më vonë sërish pyetja:"Kjo ishte, ta ul?" "Po, ule!". Ora 10 e 3 minuta: nëntë herë bërtet njëri nga rrëmbyesit: "Allahu është më i madhi!" Shtatë sekonda më vonë regjistrimi ndërpritet.

240 km para Uashingtonit Boiungu rrëzohet në një arë në Shanksville, në Pensilvani. 40 pasagjerë dhe katër rrëmbyes vdesin atëherë, midis tyre edhe babai dhe njerka e Hamilton Petersen. Shiritin e regjistruar, nga i cili opinioni amerikan, në bazë të dëshirës së familjeve të viktimave merr vetëm një kopje, ai e ka dëgjuar në origjinal."Ky është një shembull për atë, se si qytetarë normalë veprojnë spontanisht dhe e shpëtuan Capitolin, në kryeqytetin e Amerikës nga një atentat terrorist."

Juria në procesin Musaui dëgjoi me fytyra të ngurosura regjistrimin 30 minutash të shiritit. Tani ajo duhet të vendosë, nëse marokeni, që thotë se qe parashikuar si rrëmbyes i një avioni të pestë, do të dënohet me vdekje ose me burgim të përjetshëm.