1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Punë për të gjithë dhe punë të denjë - 100 vjetori i ILO

Aida Cama
11 Prill 2019

Organizata Botërore e Punës u krijua 100 vjet më parë si një nga organizatat e para multinacionale që iu kushtua vendosjes së bazës sociale. ILO bota e punës sot do të dukej krejt ndryshe.

https://p.dw.com/p/3GcAF
Brasilien Symbolbild Kinderarbeit
152 milionë fëmijë punojnë sot në botëFotografi: Getty Images/O. Havana

"ILO do të përqëndrohet tek e ardhmja e punës”, thotë Guy Ryder, drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Punës. Bota e punës është në transformim dhe ndryshimet e saj janë duke sjellë oportunitete për disa vetë, por për të tjerët është duke gjeneruar mungesë stabiliteti, ankth dhe frikë, thotë drejtori i ILO-s, organizatës multilaterale që vendosi 100 vjet më parë bazën e sistemit social duke bërë bashkë qeveritë, sipërmarrësit dhe punëtorët.

Rinovim i kontratës sociale

Guy Ryder ka ardhur në Nju Jork, për të festuar në OKB 100 vjetorin e krijimit të Organizatës Botërore të Punës, ILO. "Në këtë periudhë tranzicioni është e rëndësishme të vrasësh mendjen çfarë forme do të ketë puna si e tillë në të ardhmen, cilat do të jenë kushtet në të cilat njerëzit do të punojnë" thotë ai.

"Kërkesa e njerëzve në planet ka qenë dhe është rinovimi i kontratës sociale midis qeverive dhe njerëzve, dhe në punë midis punëtorëve dhe kapitalit,” thotë Ryder në fjalën e mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme, të martën (10.04). Kjo kontratë sociale duhet të bazohet në konceptet e drejtësisë, barazisë, bashkëpunimit, ndarjes së oportuniteteve dhe prosperitetit dhe përfshirjes në zhvillimin e qëndrueshëm.

Guy Ryder
Guy RiderFotografi: picture-alliance/Xinhua News Agency/L. Muzi

Rrugë e gjatë për të bërë

Punësim i plotë dhe punë e denjë për të gjithë, është objektivi që synon ILO. "Ne nuk jemi ende në rrugën e duhur për të arritur këtë objektiv,” thotë Ryder para gazetarëve.

Sot në botë ka 170 milionë vetë pa punë. Papunësia tek të rinjtë është 2 deri 3 herë më e lartë se papunësia në përgjithësi. Në vendet me të ardhura të mesme dhe të ulta 25 deri 30 përqind e punonjësve punojnë, e megjithatë jetojnë në varfëri. Pra edhe kur ekzistojnë vendet e punës, ato nuk arrijnë standartet minimale për punë të denjë. 16 përqind e punonjësve në botë punojnë në tregun informal të punës. Në 20 përqind të botës, ende vazhdon diferenca e pagesës midis gjinive. 152 milionë fëmijë punojnë sot në botë. 40 milionë vetë janë viktima të skllavërisë moderne. Dhe 2,7 milionë punonjës vdesin në vit për shkak të punës që bëjnë dhe sëmundjeve të shkaktuara nga puna.

"Ne kemi një rrugë të gjatë përpara,” thotë Ryder.

Deklarata e ILOs për parimet bazë të të drejtës së punës e vitit 1998 është baza e axhendës për punë të denjë dhe vende pune për të gjithë. Mbrojtja sociale, dialogu social dhe të drejtat janë pikat ku përqëndrohet puna e ILO-s. Organizata po punon për një deklaratë që të sigurojë garancitë bazë universale dhe të shërbejë si aspiratë për politikat lidhur me punën. Deklarata pritet të nxirret në muajin qershor në Gjenevë.