1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ofertat për punësim të koalicioneve në garë në Shqipëri

Ani Ruci25 Maj 2013

Premtimet për hapje vendesh të reja pune përbëjnë ofertën e politike më joshëse të dy koalicioneve kryesore në këto zgjedhje. Cilat janë ofertat e tyre politike për të ndryshuar situatën dhe hapur vende të reja pune?

https://p.dw.com/p/18dpk
Fotografi: DW/A. Muka

Në Shqipëri këtë javë u hap zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, që sipas Kodit Elektoral bëhet vetëm 30 ditë para dates së zgjedhjeve. Premtimet për hapje vendesh të reja pune përbëjnë ofertën e politike më joshëse tw dy koalicioneve kryesore që garojnë në këto zgjedhje: ”Aleanca për punësim, Integrim dhe Mirëqenie” i maxhorancës së djathtë në pushtet dhe ”Aleanca për Shqipërinë Europiane” i opozitës së majtë, në një vend si Shqipëria ku shifra zyrtare e papunësisë luhatet mes 13- 15% ndërsa sondazhet dhe studimet e pavarura e nxjerrin në 40%.

PS që kryeson koalicionin opozitar deklaron se në Shqipëri ka 1 milion të papunë kursë PD, që është në pushtet prej 8 vitesh dhe që kërkon një mandat të tretë, deklaron se ky numër është 700 mijë, rreth 30% më i ulët. Cilat janë ofertat e tyre politike për të ndryshuar situatën dhe hapur vende të reja pune?

“Aleanca për Shqipërinë Europiane” – rilindja e fshatit, ndihmë sociale jo lëmoshë

Arbër Mazniku, Drejtues i Grupit të Punës për Punësimin në Partinë socialiste, që kryeson koalicionin” aleanca për Shqipërinë Europiane” thotë për DW se oferta politike e PS lidhur me punësimin e shqiptarëve është 300 mijë vende të reja pune.

Arbër Mazniku, Drejtues i Grupit të Punës për Punësimin në Partinë socialiste.
Arbër Mazniku, Drejtues i Grupit të Punës për Punësimin në Partinë socialisteFotografi: DW/A. Ruci

“Rilindja e fshatit, nxitja e investimeve në sektorin e bujqësisë dhe të blegtorisë do të gjenerojë 150 mijë vende pune. Përmes një investimi të drejtpërdrejtë të shtetit prej 120 milionë eurosh, në katër vitet e ardhshme, në sektorin e përpunimit, një koncept ky më i gjerë se industria e fasonit bashkë me shërbimet shoqëruese, do të krijojë 52 mijë vende pune. Në sektorin e turizmit , ku Shqipëria ka potenciale të mëdha , plani i “turizmit gjithëvjetor” dhe njësimi i ofertës turistike të Shqipërisë me atë të Kosovës për turistitët e huaj do të krijojë 11 mijë vende pune”, thotë Z. Mazniku.

Oferta e punësimit të PS përfshin zhvillimin e ekonomisë së detit, peshkimit për krijimin e 15 mijë vendeve të reja të punës, sektorit të teknologjisë së informacionit ku parashikohet të punësohen 4 mijë vetë, reformimin e skemës së ndihmës sociale, nga një skemë lëmoshe, si e cilëson Arbër Mazniku, në një skemë të mirëfilltë të punës komunitare, dinjitoze në shërbim të komunitetit ku llogaritet punësimi i 62 mijë personave.

“Aleanca për Punësim, Mirqënie, Integrim” – investime të mëdha në infrastrukturë

Oferta politike e koalicionit të djathtë në pushtet, “Aleanca për Punësim, Mirëqënie, Integrim” për punësimin është 250 mijë vende të reja pune. Në “Konventën për Punësim” të zhvilluar kohët e fundit në Tiranë, Kryeministri Berisha, tha se “punësimi është shtylla kryesore e programit të PD në katër vitet e ardhshme. Punësimi e pagat më të mira janë qëllimi më madhor i çdo reforme të programit të PD. Katër vitet që vijnë do të jenë vitet e punësimit për gjithë shqiptarët”, tha në këtë Konventë Z. Berisha.

PD e mbështet realizimin e ofertës së saj politike për punësim në investimet e mëdha kryesisht në infrastrukturë. Me gjuhën e shifrave PD premton se “do të ndërtohen 104 hidrocentrale, mijëra km rrugë, ujësjellësa, kanalizime, do të ndërtohen dhe funksionojnë porte dhe aeroporte të reja, 6 parqe të reja industriale dhe dhjetëra resorte turistike”.

Sa është kostoja e një vendi pune në Shqipëri?

Prof.Dr. Zef Preçi,, ekspert në fushën e ekonomse thotë për DW se oferta politike për punësimin është tregues i zhvendosjes së debatit politik të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit në problemet jetësore të shoqërisë së sotme shqiptare: "Rrugët e hapjes së vendeve te reja të punës nuk kanë dallime thelbesore mes tyre. Qeveria po përpiqet të ofrojë disa nuanca të vijimësisë së investimeve publike dhe private në infrastukturë, ndërsa opozita ka një ndërthurrje mes sistemit të ndihmës sociale për papunësinë me nevojën e zgjerimit të zënies me punë të forcave të afta për punë. E meta e ofertave politike për punësim është mungesa e përllogaritjeve të kontributeve reale të sektorëve të ekonomise kombëtare dhe e faturës financiare për kostot përkatëse të vendeve të reja të punës. Studimet tona tregojnë se kostoja e një vendi të ri pune është 15-20 mijë euro”, thotë Zef Preçi.

Zef Preci, Wirtschaftsfachmann in Tirana. Bilder von Arben Muka, Tirana, Albanien, April 2009. Bilder anlässlich eines Berichtes des Albanischen Programms der DW am 29.04.09.
Zef Preci TiranaFotografi: DW / Arben Muka

Punësimi lidhet me rimëkëmbjen ekonomike të Shqipërisë, me “post- krizën” që korrespondon me mandatin e ri qeverisës 2013-2017. Rimëkëmbja, thekson Z. Preçi kalon përmes garantimit të qendrueshmërisë politike të vendit, të nxitjes së prodhimit vendas, thithjes së investimeve të huaja direkte, luftës pa kompromis kundër evazionit fiskal dhe korrupsionit.