1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Punimet ende vazhdojnë, po Brazili është gati

Mimoza Kelmendi12 Qershor 2014

Në asnjërin nga qytetet e Kampionatit Botëror nuk kanë përfunduar të gjitha projektet. Kanë përfunduar vetëm pak gjëra. Por njerëzit megjithatë do të argëtohen, sepse brazilianët vetë janë të gatshëm për Kampionatin.

https://p.dw.com/p/1CGi0
Abflug der deutschen Nationalmannschaft nach Brasilien 7.6.2014
Fotografi: picture-alliance/dpa

"Brazili në fushën e futbollit është njëra gjë. Brazili jashtë fushës është gjë tjetër", u tha Fausto Silva brazilianëve të dielën. "Faustao" drejton që prej një çerek shekulli emisionin treorësh të pasdites "Domingao". Pak ditë para hapjes së Kampionatit Botëror të Futbollit ai e përdori emisionin e tij për të shfryrë kundër qeverisë.

Por njëkohësisht ai u bëri thirrje bashkëatdhetarëve të tij që zemërimin ndaj qeverisë të mos ua shfryjnë 600.000 sportdashësve që priten në Brazil nga e gjithë bota. "Kampionatin për arsimin, shëndetësinë dhe kundër paragjykimeve ne duhet ta fitojmë në tetor!" Atëherë në Brazil do të zgjidhet parlamenti dhe qeveria.

Frikë nga turpërimi

Zemërimi, për të cilin e ka fjalën Faustao lidhet nga njëra anë me shpenzimet miliardëshe të qeverisë për projektet e Kampionatit Botëror. Kjo u shkarkua një vit më parë me rastin e Confederations Cup në Brazil, kur në mënyrë spontane qindra-mijëra brazilianë u bashkuan me manifestimet, të iniciuara nga grupet politike. Kësaj i shtohet ndërkohë edhe frika e turpërimit.

Kur më 2007 FIFA e përcaktoi Brazilin si vend të Kampionatit, brazilianët e çmendur pas futbollit përjetuan gëzim kolektiv. Por ata nuk e kishin mendjen vetëm tek sporti. Shumë panë edhe një mundësi të madhe për t'i treguar botës që Brazili është më tepër se futbolli dhe zamba. Por këtë shans, vendi që e ka fituar pesë herë Kampionatin Botëror të Futbollit e ka hedhur dëm, mendon Roberto Rivellino, kampion i botës më 1997: "Probleme do të ketë gjithmonë, por kur i shpenzon paratë, të paktën të kishin përfunduar të gjitha. Ne patëm shtatë vjet."

Asnjë qytet i Kampionatit Botëror nuk është gati

Me të vërtetë, në Sao Paolo, në Curitiba dhe Porto Alegre edhe pak ditë para nisjes së Kampionatit Botëror sheh punëtorë ndërtimi që vazhdojnë punën. 13 stadiume duhet të zgjeroheshin për Kampionatin Botëror, vetëm në Brasilia kanë përfunduar deri tani punimet. Asnjë nga dymbëdhjetë qytetet e Kampionatit nuk i ka përfunduar të gjitha projektet. Në çdo qytet të Kampionatit janë projekte si linja tramvaji apo ndërtime trasesh, zbatimi i të cilave u zvarrit ose të cilat thjesht u eleminuan nga plani i Kampionatit. Si në Porto Alegre, ku përveç stadiumit dhe rrethinave direkte të tij nuk u ndërtua asgjë për Kampionatin.

Brazilianët janë të gatshëm

Por të gjithë këtë, do të jenë pak turistë ata që do ta ndiejnë direkt. Rrugët për në stadiume janë ndërtuar, edhe aeroportet janë përgatitur të paktën provizorisht që ta përballojnë dyndjen. Por gardhet e ndërtimit në terminale nuk të lënë përshtypjen se kanë qenë angazhuar projektues të aftë. Pikërisht për këtë, mendojnë vëzhguesit, brazilianët e thjeshtë do të bëjnë të gjitha përpjekjet për t'u lënë mysafirëve një përshtypje pozitive të vendit të tyre.