1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pushimet verore 2016 – Fituesit dhe humbësit

ks/at (dpa)11 Gusht 2016

Frika prej sulmeve terroriste apo pasiguria politike i shtyn shumë turistë t'i shmangen Turqisë si destinacion turistik. Prej kësaj përfitojnë vende të tjera.

https://p.dw.com/p/1JfY3
Fotografi: Imago/Imagebroker/P. Williams

Shumë turistë po u shmangen destinacioneve të dikurshme të preferuara në Turqi. Në muajin qershor – pra përpara përpjekjes së dështuar për grusht shteti – në Turqi kanë shkuar vetëm 2.4 milionë turistë të huaj, gati 41 për qind më pak se muajin e kaluar.

Vende të tjera po përfitojnë. Kështu Spanja po përjeton një bum të vërtetë. Edhe Ishujt Kanare, në fakt një destinacion klasik për periudhën e dimrit, kanë regjistruar në gjysmën e parë të vitit një rritje prej 13 për qind. Në Spanjë prenotimet janë rritur me njëmbëdhjetë për qind. Majorka dhe ishujt e tjerë të Baleareve kanë shënuar një rritje prej katër për qind. Fakti që rritja atje nuk është më e lartë, ka të bëjë me arritjen e kapaciteteve.

Sonnenuntergang in Monodendri
Fotografi: DW/I. Anastassopoulou

Edhe Italia pret gjithashtu një verë rekord – kryesisht për shkak të rritjes së kërkesës brenda vendit. Sipas vlerësimeve të Shoqatës së Hotelerisë Federalberghi rreth 33.3 milionë turistë italianë duan ta kalojnë verën në Itali, një shifër kjo 9.5 për qind më shumë se vitin e kaluar.

Përveç Italisë dhe Spanjës në radhën e fituesve janë edhe Greqia, Portugalia dhe Bullgaria. Greqia pret një rekord deri në 27 milionë turistë nga jashtë. Bullgaria ka shënuar sipas Ministrisë Turizmit në gjysmën e parë të vitit numrin më të madh të turistëve që prej dhjetë vjetësh. Vetëm nga Gjermania aty kanë shkuar 62 për qind më shumë turistë në muajin qershor. Për Portugalinë, numri i rezervimeve nga Gjermania shënoi në fund të qershorit një rritje prej 17 për qind.

Spanien Kanarische Inseln La Gomera
Fotografi: picture alliance/robertharding/A. Tovy

Edhe në Gjermani numri i vizitorëve dhe i turistëve nga brenda dhe jashtë vendit është rritur në gjysmën e parë të vitit me tre për qind. Nëse veprat e dhunshme në Vyrcburg, Mynih dhe Ansbah kanë pasur pasoja, kjo nuk mund të thuhet deri tani, sepse ato ndodhën në korrik. Deri tani nuk ka asnjë të dhënë për anulime udhëtimesh nga ana e turstiëve të huaj, njofton organizata DZT /GNTB që është përgjegjse për marketingun e Gjermanisë si destinacion turistik.