1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Außenminister EU

22 Shkurt 2010

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian, takohen sot të hënën në Bruksel për t`u marrë me vrasjen në Dubai të një funksionari të Hamasit. Në takim merr pjesë mininstri gjerman i shtetit, Hoyer.

https://p.dw.com/p/M7kq
Salla e parlamentit evropian në BrukselFotografi: DW

Ministrat e Jashtëm të BE-së mblidhen sot në takimin e tyre mujor. Në të ata do të merren me vrasjen e një funksionari të Hamasit në Dubai. Zyrtarisht kjo nuk është pikë e rendit të ditës, por disa ministra duan të takohen me ministrin e Jashtëm izraelit Lieberman, i cili vjen të hënën në Bruksel. Ekzistojnë supozime se vrasja misterioze është kryer nga shërbimi sekret izraelit, i cili ka përdorur gjatë kryerjes së saj pasaporta të fallsifikuara nga disa vende evropiane. Nga Gjermania në takim merr pjesë ministri i shtetit, Werner Hoyer.

Në rend të ditës së takimit të ministrave të jashtëm të BE-së bëjnë pjesë temat e njohura të programit atomik iranian, Afganistani, Zimbabveja, gjendja në Haiti, në Ukrainë dhe në Bjellorusi. Suksese nuk janë arritur kërkund, kështu që ministrat e Jashtëm nuk do të mundohen të arrijnë të hënën përparime të dukshme.

Avigdor Lieberman
Ministri i Jashtëm izraelit, Avigdor LiebermanFotografi: AP

Kështu që vëmendja përqëndrohet në një temë tjetër, e cila zyrtarisht nuk ka fare të bëjë me takimin e ministrave të jashtëm: praninë e ministrit të Jashtëm izraelit, Avigdor Lieberman, në Bruksel. Udhëtimi është përgatitur prej kohësh, megjithatë ka fituar ndërkohë rëndësi të madhe. Disa ministra të Jashtëm duan të takojnë Liebermanin, për t`i bërë disa pyetje të pakëndshme.

Bëhet fjalë për vrasjen në Dubai në mes të janarit të Mahmud al-Mabhuh-it, një ish funksionar të lartë dhe kontrabandist i supozuar armësh, i ish organizatës palestineze Hamas. Krimi spektakular dhe misterioz duhet të jetë kryer nga shërbimi sekret izraelit, Mossad. Shefi i policisë i Dubait është 99 përqind i sigurt për këtë. Edhe mes diplomatëve evropianë nuk është i pakët numri i atyre, që mendojnë se Mossadi mund të ketë bërë një gjë të tillë. Një gazetë britanike njoftonte fundjavën e fundit, se kryeministri Netanjahu e ka lejuar vetë personalisht aktin e vrasjes.

Reisepass mit Chip
Pasaportë gjermaneFotografi: picture-alliance/dpa

Kriza diplomatike midis Izraelit dhe disa vendeve evropiane është kthyer në çështje të ngatërruar, sepse komanda 11 vetëshe, që ka kryer vrasjen ka përdorur pasaporta nga vendet evropiane, nga Irlanda, Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania. Një nga pasaportat e përdorura është nxjerrë në Këln. Prokuroria e atjeshme ka nisur hetimet për të nxjerrë, nëse një vrasës i mundshëm ka mashtruar autoritetet me anë të një identiteti të fallsifikuar për të marrë pasaportën.

Zemërim i madh është shkaktuar në Irlandë. Pesë nga pasaportat e fituara me dredhi, vijnë prej Irlandës, kështu edhe ministri i Jashtëm Michael Martin ka vendosur një takim me Liebermanin. Ai bëri të ditur se në takim do të tregojë shqetësimin e madh dhe do të kërkojë sqarime rreth kësaj çështjeje serioze. Nuk ka mundësi që Liebermani të ndjekë këtë kërkesë, sepse Izraeli nuk ka dhënë kurrë komente për aksionet, që mund të kenë lidhje me Mossad-in.

Kështu që nga përzgjedhja e fjalëve, që do të përdorë Martins dhe kolegët e tjerë pas takimit me Liebermanin, do të merret vesh çfarë potenciali acarues ka kriza midis Izraelit dhe partnerëve evropianë.

Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, ka kërkuar sqarim të shpejtë dhe të plotë të rastit. Këtë ai nuk do të mund t`ia thotë personalisht Liebermanit, sepse në takimin e kolegëve ka dërguar ministrin e shtetit, Hoyer. Dhe thuhet se ai nuk ka caktuar takim me Liebermanin.

Autor: Martin Bohne/Aida Cama

Redaktoi: Angjelina Verbica