1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pyetje të tjera?

23 Maj 2011

Për çfarë është AStA, ku gjej ndihmë në rast nevoje, dhe si funksionojnë pikët e kredisë?

https://p.dw.com/p/11Lq6
Fotografi: picture-alliance/dpa

AStA

Ai që quhet "Komisioni i përgjithshëm i studentëve- AStA-s “, merret me përfaqësimin e studentëve. Komisioni zgjidhet çdo vit nga parlamenti i studentëve. Anëtarët e AStA-s janë shpesh anëtar partie. Ata thonë fjalën e tyre në politikën e shkollës së lartë dhe ofrojnë qendra të ndryshme këshillimi.

Audimax

Salla që quhet "Auditorium Maximum" është salla më e madhe e një universiteti. Ai përdoret ndër të tjera për leksione, që kanë lidhje me më shumë se një fushë studimore. Po ashtu ai përdoret për aktivitete dhe mbledhje studentore.

Bllok- leksionesh (Blockveranstaltungen)

Seminaret dhe leksionet zhvillohen zakonisht çdo javë të semestrit. Gjatë leksioneve- bllok e gjithë lënda që jepet mblidhet në një njësi kohore, për shembull një fundjavë ose një javë të tërë në periudhën kur nuk zhvillohen leksione.

Campus

Në shumicën e qyteteve në botë, Campus-i është një territor i mbyllur universitar, në të cilin ndodhen disa institute të një shkolle të lartë. Në Gjermani, institutet e veçanta dhe ndërtesat universitare janë të shpërndara në të gjithë qytetin. Sidomos, kjo ka ndodhur kur shkollat e larta janë zgjeruar me kalimin e kohës dhe nuk kanë pasur në dispozicion sipërfaqen e duhur.

Credit Points

Credit Points quhen në gjermanisht "pikë arritjesh". Ato merren për rezultate të caktuara në shkolle. Për të patur një proces të suksesshëm studimesh duhen marrë një numër i caktuar i tyre. Një Credit Point (CP) është e barabartë me 30 orë punë.

c.t. (cum tempore) / s.t. (sine tempore)

Këto shkurtime lexohen shpesh në katalogun e leksioneve të kursit, kur bëhet fjalë për fillimin e një aktiviteti të caktuar. Në fakt gjermanët janë të njohur për zbatimin e përpiktë të orarit, por kur bëhet fjalë për fillimin e një leksioni apo të një seminari shpesh parashikohet një mungesë e caktuar përpikmërie. E ashtuquajtura "çereku akademik " do të thotë se koha e fillimit llogaritet me një çerek ore plus-minus. Kjo shënohet me shkurtimet c.t., pra cum tempore. S.t. (sine tempore) do të thotë që aktiviteti fillon në një orë të përpiktë.

Regjistrimi - Exmatrikulation

Në fillim të semestrit duhet bërë regjistrimi formal në universitet. Nëse kjo nuk ndodh brenda afatit të caktuar atëherë, studenti çregjistrohet (exmatrikuliert). Atëherë studimi në këtë universtitet nuk është më i mundur. Kur dikush ka përfunduar studimin, duhet bërë vetë çregjistrimi zyrtar.

Specialistët -Fachschaft

Në një grup të tillë janë grumbulluar studentët e një dege të caktuar. Përfaqësues të saj, të mbledhur në një këshill kujdesen për interesat e studentëve të kësaj dege. Përfaqësues të tyre merren edhe me studentët që sapo hyjnë në universitete, duke i ndihmuar për degët speciale apo me organizimin e planit studimor.

Fakulteti

Njësia mësimore, studimorë dhe administrative të një dege të caktuar në universitet quhet fakultet. Pjesa më e madhe e universiteteve kanë fakultete mjekësore, filozofike dhe të shkencave natyrore – matematike. Njësia nën fakultete përbëhet nga institutet, ku ndiqet një drejtim i caktuar i degës. Çdo institut ka si pjesë përbërëse katedra të ndryshme. Katedrat nga ana e tyre drejtohen nga një profesor.

 
Studimet bazë / Studimet diplomuese (Grundstudium / Hauptstudium)


Para futjes së studimeve për të marrë bachelor dhe master, çdo studim ndahet në studim bazë dhe në studim kryesues. Në studimin bazë merren dijet bazë që përfundojnë me një provim apo me një diplomë, që ka vlerë më të ulët se diploma e vërtetë. Në studimet kryesuese pason specializimi në degën përkatëse. Meqenëse pjesa më e madhe e degëve të studimit përfundojnë me diplomë, ekziston ende ndarja në studime bazë dhe në studime të përgjithshme.

Ndihmë në rast nevoje –  kujdesi psikoterapik dhe ai baritor

Studentët, sidomos ata që vijnë nga vende të tjera kanë shpesh vështirësi që të përshtaten me sistemin gjerman të studimeve. Ndryshe nga vendet e tyre, në universitetet gjermane ata shpesh duhet të rregullojnë dhe organizojnë vetë gjithshka, përveç përshtatjes me gjuhën e huaj. Shpesh nevojat financiare, bëjnë që kuotat e ndërprerjes së studimeve mes studentëve të huaj të jenë të larta. Shumë universitete ofrojnë në fillim të një semestri ndihmë për studentët e huaj. Kush ka probleme me studentët e tjerë, me profesorët apo me jetën në vendin e huaj, mund të drejtohet për shembull në qendrën e këshillimit psikoterapik të universitetit. Edhe kishat përfaqësohen në komunitetet e shkollave të larta dhe ofrojnë shërbim baritor.

Ndërmjetësimi për punë në universitet

Kush dëshiron që krahas studimeve edhe të punojë, mund të kërkojë ndihmë për të gjetur punë tek AstA. Atje mund të pyesin firma dhe persona privatë, që kanë vende pune për të dhënë. Vendet e punës ndahen mes të interesuarve. Vendet e punës mund të jenë afatshkurtër ose afatgjatë.


Dëshmi e rezultatit apo "Scheine"

Kush dëshiron që të mbyllë me sukses një aktivitet studimor, merr si dëshmi „schein“. Në dokumentin përkatës shënohet emri i aktivitetit dhe një notë ose numri i kredive.

Numri i matrikulimit

Çdo student merr në shkollën e lartë një të ashtuquajtur numër matrikulimi. Matrikël quhet lista e personave të universitetit. Numri shërben për identifikimin e studentit përkatës dhe shënohet në disa dokumenta.

Mensa

Në mensën e universiteti, studentën mund të hanë duke dhënë pak para. Mensat operohen nga shërbimet studentore (studentenwerken). Menyja që ofrohet varet nga madhësia e universitetit. Universitetet e vogla private shpesh nuk kanë mensë.

Moduli

Shumë aktivitete të një dege të caktuar përbëjnë një modul. Pra modulet janë njësi të mbyllura studimore. Në fund të një moduli bëhet kontrolli përmbajtësor. Kjo do të thotë që gjatë studimeve jepen provime, për të marrë një dëshmi për modulin përkatës. Për çdo aktivitet që zhvillohet brenda modulit jepen orët javore të semestrit (SWS). 2 SWS do të thotë që aktiviteti përkatës zhvillohet dy herë në javë për 45 minuta. Për gjithë semestrin 2SWS janë zakonisht 30 njësi kohore. Gjatë kryerjes së studimit nevojiten një numër i caktuar orësh javore semestrore, që sipas rastit shënohen edhe në librezën e studentit.


Rigorosum

Krah punimit doktorues me shkrim ekziston edhe rigorosum, provimi me gojë i cili të jep titullin doktor.

Regjistrimi (Rückmeldung)

Regjistrimi në universitet duhet bërë brenda një afati të caktuar. Shpesh mjafton vetëm pagimi i kontributit semestral për të njoftuar dëshirën për të vazhduar studimin në universitet. Kur afati kalon, mund të ndodhë që të bëhet çregjistrimi.

Tabela e zezë

Edhe në kohën e Facebook-ut dhe të Twitter-it vazhdon të ekzistojë tabela e zezë në universitet. Këto janë vendet ku ngjiten njoftimet e ndryshme si oferta banesash, kërkim dhome, apo njoftime për aktivitete të ndryshme.

 Semestri

Në Gjermani një vit studimor ndahet në dy semestra. Semestri i verës zgjat nga prilli në tetor, kurse ai i dimrit nga tetori në prill.

Aboneja semestrale

Me të ashtuquajturin abone semestrale studentët mund të udhëtojnë më lirë në mjetet publike të transportit. Paratë duhen dhënë në fillim të semestrit. Aboneja vlen deri semestrin tjetër. Një gjë e tillë nuk ofrohet nga të gjitha shkollat e larta.

Seminare

Seminare quhen aktivitetet mësimore, në të cilat nuk flet vetëm lektori. Studentët duhet të konfrontohen me temën e caktuar, duke bërë detyrat e shtëpisë ose përgatitur referate për temën dhe duke i prezantuar ato para kursit. Seminaret kanë numër të kufizuar pjesëmarrësish.

Sekretariati i studentëve

Tek sekretariati i studentëve merren formularët dhe informacionet e duhura kur bëhet fjalë për të kërkuar vendin e studimit, regjistruar, çregjistruar në shkollat e larta. Aty mund të bëhen pyetje edhe për kushtet e lejimit në degë të caktuara. Sekretariati i studentëve është pika administrative e universitetit, në të cilin studentët shkojnë kur shkelin në universitet.

 Karta studentore

Çdo student merr nje kartë studentore, me të cilën vërteton se është student në një shkollë të lartë. Me kartën studentore merren bileta më të lira në teatër ose muzeume, apo në koncerte.

Tutoriumi

Nganjëherë leksioneve u shtohet edhe një tutorium. Atje bëhet thellimi ose shpjegimi sqarues për një temë të caktuar. Për shembull në degët me përmbajtje të vështirë si në juridik këto oferta pranohen me dëshirë nga studentët. Aktiviteti drejtohet shpesh nga studentë të klasave më të larta, që quhen tutorë.

Bibliotheka universitare

Çdo universitet i madh ka bibliotekën e vet. Në të gjendet kryesisht literaturë specifike nga degët e të gjitha fushave që ofrohen. Nëse lektorët duan që studentët të lexojnë një përzgjedhje të caktuar librash për temën, atëherë ata mund t`i prezantojnë librat në të ashtuquajturin "Handapparat," një dollap ku bëhet përmbledhja e librave. Kështu ato mund të gjenden lehtë nga studentët. Shumë biblioteka universitare janë të lidhura me njëra tjetrën. Nëse një libër nuk ndodhet në bibliotekën e universitetit, atëherë mund të kërkohet në internet për të gjetur vetë se cili universitet e ka librin, dhe e ofron për ta marrë me porosi.

Sportet universitare

Lojrat, sporti dhe lëvizjet janë shumë të rëndësishme për formimin shpirtëror. Këtë e kanë pranuar të gjitha universitetet dhe shkollat e larta. Ato ofrojnë kurse dhe mundësi trajnimi për llojet e ndryshme të sportit që nga badminston, fitness e deri tek luftimi me shpata dhe joga apo thai chi.Ofertat e universitetit mund te gjenden në faqen e tyre të internetit.

Leksionet

Leksionet janë aktivitete mësimore në të cilat zakonisht lektorët flasin për një temë të caktuar dhe studentët dëgjojnë dhe mund të bëjnë pyetje. Numri i pjesëmarrësve nuk është i kufizuar, gjë që bën që në disa degë sallat e leksioneve të tejmbushen.

Periudha pa leksione

Periudha "pa leksione" quhet edhe pushime semestrale. Kjo nuk do të thotë, që gjatë kësaj kohe nuk zhvillohen aktivitete mësimore. Për studentët kjo periudhë nuk përbën vërtet pushim, sepse në të shpesh jepen provime apo bëhen praktikat e detyrueshme apo ndiqen leksione bllok.

Katalogu i leksioneve

 Ky përmban të gjitha aktivitetet e universitetit përkatës për degë të caktuara dhe për semestrin që pritet të fillojë. Katalogu përmend temën, vendin dhe orën e fillimit të aktivitetit si dhe emrin e lektorit dhe orët e javës simestrale. Në shumicën e rasteve këto të dhëna gjenden edhe online. Për plotësimin e katalogut të përgjithshëm të leksioneve, degët e caktuara publikojnë edhe katalogun e komentuar, i cili përshkruan më me hollësi përmbajtjen e aktiviteteve të caktuara dhe të kurseve. Në të shënohen edhe numri maksimal i pjesëmarrësve ose kushtet paraprake.

Who is Who në universitet?

Në krye të universitetit ndodhet një rektor. Kancelari në universitet është drejtuesi i aparatit administrativ dhe kujdeset ndër të tjera për çështjet financiare të shkollës së lartë. Çdo fakultet ka një ndrejtues të vetin, një dekan apo dekane. Ai është përgjegjës për administratën dhe reprezantimin e fakultetit.

Brenda një instituti profesorët mund të kenë një katedër, duke qenë kështu përgjegjës për një degë të caktuar, mbajnë leksione dhe zhvillojnë studimet në fushën e tyre. Lektorët kanë shpesh titullin e doktorit apo të profesorit. Por nëse ata nuk janë nuk janë të emëruar nga një universitet në një post me titullin përkatës, atëherë nuk e mbajnë titullin e profesorit. Një lektor mund të mbajë seminare dhe leksione.

Bashkëpunëtorët shkencorë dhe asistentët janë shpesh kanë mbrojtur një temë doktorature dhe shpërndahen në një dekanat. Ata ndihmojnë profesorin në fushën kërkimore dhe në mbajtjen e leksioneve. Përveç kësaj ata mbajnë edhe vetë leksione.

Ndihmësit studentorë, të ashtuquajturit HiWis, pra ndihmësit shkencorë, janë shpesh studentë të semestrave të larta, që janë të interesuar për të punuar më vonë në katedër. Ndihmësit studentorë punojnë në fushën e shërbimeve dhe studimeve dhe ndihmojnë profesorët dhe asistentët, ose punojnë si tutorë.

Autor: Claudia Unseld/ Aida Cama

Redaktoi: Vilma Filaj- Ballvora