1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Që Musharaf ta fuste vendin në kurs demokratik- për këtë nuk kishte shumë gjasa

6 Nëntor 2007

Gjendja e jashtëzakonshme në Pakistan, e cila u vendos të shtunën nga pushtetmbajtësi Pervez Musharaf komentohet gjerësisht në shtypin gjerman të së martës.

https://p.dw.com/p/C30p
Në foto: pushtetmbajtësi i Pakistanit, Pervez Musharaf
Pushtetmbajtësi i Pakistanit, Pervez MusharafFotografi: AP

Kështu, në gazetën që botohet në Dyseldorf, HANDELSBLATT ndër të tjera lexojmë: "Musharafi erdhi dikur me puç në pushtet, sepse ishte ngopur nga turbullirat demokratike të vitit 1999. Që pikërisht ai ta sillte vendin në një kurs të ri, demokratik, për këtë nuk kishte shumë gjasa. Prandaj lotët e krokodilit për transformimet e pagëzueshme të Musharafit nuk do të ishin me vend. Megjithatë, për qeverinë amerikane të vitit 2007 është tepër e vështirë që t'i shohë gjërat në këtë mënyrë. Sepse presidenti amerikan Xhorxh Bush filloi para disa vjetësh ta ngrejë pragun moral të Realpolitikës amerikane. Deri në fund të periudhës së tij në post, Bushi nuk do të zbresë nga kali i lartë i moralit. Po kushdo që ta pasojë atë në post, ajo ose ai, do të bënte mirë që si udhërrëfyese të politikës së jashtme të bënte sërish pragmatizmin, në vend të ideologjisë."

Nga gazeta BRAUNSCHWEIGER ZEITUNG shkëpusim: "Jo vetëm nga ana e islamistëve ndodhet nën presion Musharafi, edhe opozita demokratike është forcuar, siç kanë treguar protestat masive të verës. Vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme, që së jashtmi duket një demonstrim force, në të vërtetë është një shenjë dobësie: vetëm kështu beson Musharafi që mund të qendrojë në pushtet. SHBA duhet ta detyrojnë atë të ndryshojë rrugë më në fund. Sanksionet, të cilat ato i kërkojnë me këmbëngulje për Iranin, do të kishin qenë një rrugë për të bindur edhe Musharafin. Eshtë edhe për SHBA e pakuptimtë, që të mbështesin një diktator, i cili e shkel me këmbë demokracinë dhe të cilit i mungon forca për t'u dallë përballë islamistëve."

"Veprimet e Musharafit dokumentojnë që ai nuk është më zot i gjendjes", mendon komentatori i STUTTGARTER ZEITUNG. Dhe më tej "Për dhjetë ditë Gjykata e Lartë do të kishte vendosur, nëse si komandant i forcave të armatosura ai kishte pasur të drejtë të zgjidhej si president. Tani ai rrezikon një konflikt masiv me kampin reformator të rrënjosur në shtresën e mesme, duhet të përballet me rivalen Benazir Buto dhe lufton njëkohësisht kundër shkallëzimit të terrorit islamik që prej verës. Një moment më të papërshtatshëm për një provë pushteti në politikën e brendshme nuk do të kishte pasur. Edhe njëherë tjetër ai nxori në një kohë të gabuar përfundimet e gabuara"

BERLINER ZEITUNG mendon se faj për zhvillimet në Pakistan ka politika amerikane ndaj këtij vendi: "Pakistani, me të gjitha problemet e sotme është një rezultat i politikës amerikane të së djeshmes: talibanët dhe islamistët e kanë vënë në mengene regjimin me atentate me atentatorë vetëvrasës. Rajonet malore me shumë etnitë e tyre dhe me strukturat e komplikuara të fiseve janë të paqeverisshme. Angazhimi i ushtrisë atje kërkon gjithnjë e më shumë viktima, shkak prej të cilit tani në opozitë me Musharafin është edhe ushtria. Formula Musharaf ose demokraci është e pakuptimtë. Më me gjasa është që pas largimit të Musharafit, Pakistani të radhitet në shtetet e dështuara, me pasoja, si për Indinë, ashtu edhe për Afganistanin. Islamistët radikalë ndoshta nuk do të hipnin në pushtet, por përfaqësuesit e tyre në ushtri dhe në shërbimin e fshehtë mund t'i shtinin në dorë çelësat për bunkerin e armëve bërthamore".

Ngjashëm mendon edhe ALLGEMEINE ZEITUNG, e cila botohet në Mainc: "Shpresa, që pas një kryengritjeje të suksesshme kundër Musharafit të kthehen në Pakistan raporte gjysëm demokratike, kjo shpresë shkon në kufijtë e naivitetit. Rrëzimi i Musharafit dhe ardhja në post e një pasardhësi të të njëjtit kalibër- kjo do të ishte zgjidhja më e durueshme. Po të zhytet vendi në luftë civile, atëherë ka gjasa që islamistët të shtien ndoshta në dorë armë bërthamore. Kjo do të ishte një ëndërr e keqe. Në këtë rast Perëndimit do t'i duhej të mendonte për skenare që nuk i kishte përfytyruar deri tani."