1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qëllime të njëjta, mjete të ndryshme

Monika Hoegen4 Korrik 2005

Synimet e Mileniumit - Qëllimi kryesor i programit të OKB/së është, që deri në vitin 2015 të përgjysmohet varfëria në botë. Për këto synime është rënë dakord pesë vjet më parë. Në samititn e shteteve antare të OKB-së në shtator, do të bëhet bilanci i parë i asaj çka është realizuar deri tani dhe sa rol ka luajtur secili vend. Në Gjermani kjo temë duket se ka rënë nën hijen e përgatitjeve për fushatën parazgjedhore. Por ç’rol luajnë këto në programet zgjedhore të partive?

https://p.dw.com/p/Ar3H

Në faqet e tyre të internetit politika e zhvillimit zë vetëm një vend dytësor, si nënkapitull i rubrikës "Politikë e Jashtme dhe e Mbrojtjes." Por opozita konservative, Unioni Kristiandemokrat, thotë se dëshiron t’u japë një vlerë të veçantë qëllimeve të Milieniumit. Kryetari i grupit të punës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, Kristian Ruk, thotë:

"...se një politikë e suksesshme zhvillimi do të thotë në të njëjtën kohë mbrojtje nga rreziqet që i kanosen vendit, si për shembull, ndryshimi i kushteve klimaterike ose terrorizimi. Përveç kësaj, ajo siguron vende pune për Gjermaninë. Bashkëpunimi ekonomik dhe politika e zhvillimt sigurojnë tregje për të ardhmen."

Deri tani Unioni e ka kritikuar ashpër politikën e zhvillimit të bërë nga qeveria kuq-blertë. Paratë janë shpërndarë pa ndonjë kriter të qartë.

Por sa realist është rritja e buxhetit për zhvillim, kur në përgjithësi buxheti shtetëror ndodhet në një nivel shumë të ulët? Ruk këtë e lë të hapur. Gjithsesi, ai thotë se sa u përket qëllimeve të Mileniumit, as Unioni Kristiandemokrat nuk do të lëvizë nga rritja e premtuar e buxhetit për këtë sektor me 0,28 për qind të Produktit të Përgjithshëm Shoqëror.

"Ne do t’u përmbahemi detyrimeve ndërkombëtare që ka premtuar qeveria e deritanishme. Edhe sa i përket 0,33 përqindshit të planifikuar për vitin 2006 kemi bërë një propozim realist financimi."

Liberalët që janë kandidatët kryesorë për një koalicion të mundshëm me Unionistët në këtë pikë mbajnë qendrim të kundërt: Markus Lëning nga grupi parlamentar i Liberalëve në Bundestag.

"Aktualisht nuk mund të flasim seriozisht për rritje, sepse ne jemi duke bërë borxhe prej 50 miliardë Eurosh nga viti në vit. Nuk mund të premtojmë, që çdo vit do të shpenzojmë edhe pesë ose dhjetë miliardë të tjerë. Kjo nuk ka se si të jetë serioze."

Ndihma e zhvillimit duhet t’u jepet qeverive që e merritojnë, thotë Lënnig. Ato që luftojnë korrupsionin dhe respektojnë të drejtat e njeriut e u përmbahen rregullave demokratike.

Ndërsa Aleanca 90/Të Blertët në programin e tyre kanë kërkuar dyfishimin e ndihmës së zhvillimit, në mënyrë që të realizohen synimet e Mileniumit. Tilo Hope zëdhënësi i partisë e di se ku mund të gjenden paratë për financimin e këtij dyfishimi, për shembull.

"nga subvencionimi i bujqve në nivel evropian, pasi ky subvencionim e dëmton shumë përparimin e vendeve zhvillim. Aty ka shumë para."

Të Blertët deri tani e kanë parë veten si pararojë në luftën kundër varfërisë.

Socialdemokratët duan të mbeten tek politika e deritanishme. Ministrja Hajdemari Viçorek Cojl do të sjellë në fushatën parazgjedhore argumente për të bindur votuesit e saj.

"Tani po shpenzojmë çdo vit një bilion dollarë për armatime. Sikur t’i zhvendosnim këto shpenzime në dobi të politikës së zhvillimit, do të arrinim shumë më tepër në luftimin e dhunës dhe terrorit në botë."

Në kuadër të qëllimeve të Mileniumit qeveria gjermane ka hartuar një plan: Në bazë të këtij parashikon rritjen graduale të shpenzimeve për këtë synim. Deri në vitin 2006 ato do të arrijnë nivelin 0,33 për qind të prodhimit të përgjithshëm shoqëror, 0,51 për qind deri në vitin 2010 dhe deri në vitin 2015, 0,7 për qind.