1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qëndrim diplomatik i Prishtinës zyrtare

Bekim Shehu10 Maj 2007

Grupi negociator i Kosovës garanton autoritetet ndërkombëtare se Kosova nuk do të shpallë në mënyrë të njëanshme pavarësinë

https://p.dw.com/p/ArVr
Prishtina
PrishtinaFotografi: picture-alliance/ dpa

Anëtarët e grupit negociator kanë dhënë garanci se Kosova nuk do ta shpallë në mënyrë të njëanshme pavarësinë e saj, por sipas tyre, çdo veprim për të ardhmen e vendit do të ndërmerret në koordinim të plotë me faktorët kryesorë ndërkombëtarë.

Kryetari PDK-së në opozitë Hashim Thaqi, i cili është anëtar i grupit negociator, thotë se Kosova nuk ka nevojë të shpallë njëanshmë pavarësinë e saj, sepse për të, tashmë çështja e pavarësisë është një punë e përfunduar me mbështetje ndërkombëtare.

Grupi negociator i Kosovës, konstaton se është shumë e rëndësishme që zgjidhja e statusit të Kosovës të përmbyllet nëpërmjet një rezolute në KS-it, sepse kjo marrëveshje sipas tyre ka të mirat e saj.

Më parë disa herë radhazi, autoritetet e Prishtinës kanë thënë se Kosova ka një plan "B", në rast se në KS-it, nuk arrihet konsensusi për një rezolutë të re mbi bazën e planit të ndërmjetësit, Marti Ahatisari. Më këtë sinjalizohej se parlamenti i Kosovës, mund të shpallë pavarësinë në mënyrë të njëanshme.

Deklaratat e fundit të autoriteteve ndërkombëtare dhe BE-së, përkatësisht qëndrimi i Gjermanisë si kryesuese e radhës së presidencës se unionit, e cila hapur kundërshton çdo veprim të njëanshëm në çështjen e statusit të Kosovës, duket se i kanë shtyrë autoritetet e Prishtinës që të jenë të kujdeshme dhe të mos përmendin alternativa tjera të arritjes së pavarësisë, veç të mbështesin planin e ndërmjetësit, Marti Ahtisari, i cili rekomandon pavarësi të mbikqyrur për Kosovën.