1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qetësi mashtruese

Steffen Leidel22 Mars 2006

Ditëve të fundit bota pa në televizor pamje të xhiruara nga TV spanjoll në të cilat shiheshin qindra refugjatë, shumica nga Mauritania, të cilët përpiqeshin të shkonin në ishujt Kanare. Shumë prej tyre u mbytën.

https://p.dw.com/p/Aqqd
Pamje nga kufiri spanjollo-marokan në Meilla
Pamje nga kufiri spanjollo-marokan në MeillaFotografi: AP

Në kufi janë instaluar mbi 100 kamera të cilat filmojnë çdo të lëvizje për ta transmetuar drejtpërdrejt në ekranet e qendrës së policisë ushtarake.

"Sapo dikush i afrohet gardhit kamerat drejtohen tek ky person dhe ne dërgojmë menjëherë një patrullë. Madje edhe në tokë janë instaluar sensorë që regjistrojnë lëvizjet." - thotë Juan Antonio Rivera, nëpunës i Guardia Civil.

Deri para pak kohësh ishte e pamundur t'i vizitoje pikat kufitare në Melilla. Madje përfaqësuesit e policisë ushtarake spanjolle, Guardia Civil, nuk jepnin as informacione, duke argumentuar me shkaqe sigurie. Tani policia është e gatshme që t'i shoqërojë gazetarët që duan të vizitojnë këtë zonë, por në lidhje me rrethanat që çuan në vdekjen e refugjatëve policia hesht.

Sipas të dhënave zyrtare gjetën vdekjen 11 vetë. OJQ-të flasin për më tepër. Kryetari i OJQ-së Prodein, Jose Palazon, ishte vetë në anën marokane: "Sipas nesh kanë qenë 22 të vdekur, në pyje kemi folur me grupe të ndryshme afrikanësh dhe madje një të vdekur e kemi filmuar vetë në një pyll. Kemi bërë fotografi, por autoritetet nuk kanë interes t'i sqarojnë rrethanat."

Qetësia që bie në sy përgjatë kufirit në Melilla të mashtron, thotë Palazón. Në anën tjetër të kufirit vazhdojnë të qëndrojnë të fshehur shumë refugjatë nga Afrika në pritje për të gjetur një rast për të hyrë në territorin e BE-së.

"Tema e emigrantëve po shndërrohet në një biznes për Marokun dhe Spanjën. Maroku ka marrë shumë para prej BE-së, por nuk kujdeset aspak për refugjatët. Përkundrazi ushtria marokane ushtron një presion të jashtëzakonshëm ndaj emigrantëve." - sqaron Palazón.

Kushtet e refugjatëve të fshehur nëpër malet dhe pyjet në zonën Melilla janë katastrofale dhe ata janë të varur prej ndihmave nga popullsia. Policia marokane ia ka ndaluar popullsisë që t'u japë emigrantëve për të pirë dhe për të ngrënë. Roberti është nga Kameruni: "Për momentin vështirësinë më të madhe e kemi për të gjetur diçka për të ngrënë. Ka disa njerëz që na japin ndonjëherë bukë. Më përpara jetonim prej plehërave, po edhe ato tani i kanë hequr. Shumë prej nesh bëjnë rrugë të gjata për të gjetur diku kazanë plehërash."

Ai dhe dy shokë të tjerë kanë tre vjet që rrinë fshehur pyjeve. Ata kanë provuar deri tani dymbëdhjetë herë për të gjetur një mundësi për të hyrë në Melilla, por pa sukses. Tani po presin një herë për një herë, për ta provuar sërish.