1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria e Kosovës: komunat të paraqesin projektet që do të ndihmohen nga donacionet ndërkombëtare

Bekim Shehu/Prishtinë 16 Korrik 2008

Projektet duhet të paraqiten brenda një jave. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se do të kërkohet llogari për çdo cent të shfrytëzuar nga donacionet.

https://p.dw.com/p/Edc2
Oli Ren dhe Hashim Thaçi në konferencën e donatorëve në Bruksel, 11 korrik 2008
Oli Ren dhe Hashim Thaçi në konferencën e donatorëve në Bruksel, 11 korrik 2008Fotografi: picture alliance/dpa

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, porositi kryetarët e komunave të Kosovës që të menagjojnë mirë me donacionet që iu dhanë Kosovës në konferencën e donatorëve në Bruksel dhe kërkoi angazhim maksimal në finalizimin e projekteve. Kryeministri tha, se Kosova përfitoi një shumë të madhe donacionesh ashtu edhe sic ka pritur, mirëpo, në të njetën kohë është shtuar edhe përgjegjësia për institucionet e saja.

"Menaxhimi i këtyre mjeteve do të jetë transparent, në përputhje me ligjin dhe me zotimin tonë të vazhdueshëm dhe të dëshmuar, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Do të ketë llogaridhënje për çdo cent të shfrytëzuar", tha kryeministri Thaçi.

Qeveria e Kosovës, ka vendosur që të formojë një komision të posaçëm, ku do të ketë edhe përfaqësues komunash, në mënyrë që ndarja e mjeteve nga donacionet të bëhet në mënyrë të duhur. Komunat e Kosovës, kanë vetëm një javë kohë që të paraqesin projektet e tyre, në mënyrë që realizimi i projekteve të fillojë menjëherë. Ndihma financiare që iu dha Kosovës në konferencën e donatorëve, nga analistët është cilësuar si një kthesë e madhe në rrugën e zhvillimit ekonomik të vendit. Kjo nëse qeveria, thonë ata, do të dijë t'i menaxhojë mirë mjetet. Sipas analistëve, ky është një shans që Kosova të mund të përfitojë mjete tjera edhe nga mekanizmat e tjerë financiarë ndërkombëtarë. Kosova tashmë ka aplikuar për anëtarësim në FMN dhe në Bankën Botërore. FMN, zyrtarisht ka njoftuar se ka filluar shqyrtimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë dhe se e njeh Kosovën si një shtet të pavarur të ndarë nga Serbia. Së shpejti pritet edhe përgjigjja nga Banka Botërore.